Irani në pasqyrën javore...58
https://parstoday.ir/sq/news/uncategorised-i16420-irani_në_pasqyrën_javore...58
Në emër të Zotit dhe me përshëndetje për ju të nderuar dëgjues, po fillojmë emisionin tonë të përjavshëm kushtuar zhvillimeve më të rëndësishme të javës së kaluar në Iran.
(last modified 2026-03-28T19:16:51+00:00 )
Qershor 03, 2016 00:25 Europe/Tirane
  • Irani në pasqyrën javore...58

Në emër të Zotit dhe me përshëndetje për ju të nderuar dëgjues, po fillojmë emisionin tonë të përjavshëm kushtuar zhvillimeve më të rëndësishme të javës së kaluar në Iran.

Spikeri

Lideri suprem i revolucionit islamik duke parashtruar ''identitetin dhe rrugën revolucionare'' të Këshillit të Lidershipit, theksoi: ''Rruga e vetme e vazhdimësisë dhe e progresit të sistemit të RII dhe e realizimit të aspiratave të revolucionit islamik është fuqizimi i vërtetë i vendit dhe Xhihadi i Madh, pra mosnënshtrimi përballë armiqve.'' Ajetollah Khamenei, Lideri suprem i revolucionit islamik, në takimin e zhvilluar javën e kaluar me kryetarin dhe anëtarët e Këshillit të Lidershipit të zgjedhur me votën e popullit iranian, këtë këshill e cilësoi si një ngjarje vërtet madhështore. Lideri suprem i revolucionit islamik duke falënderuar Zotin për organizimin e zgjedhjeve të mira, për pjesëmarrjen masive të popullit në këto zgjedhje dhe për formimin e Këshillit të Lidershipit me anëtarë shumë të nderuar, theksoi: ''Këshilli i Lidershipit është një mirësi hyjnore dhe përveç obligimeve të tij në kuadër të Kushtetutës, ky këshill është një ngjarje madhështore me ndikim shumë të madh.'' Ajetollah Khamenei tha se krijimi i këtij këshilli me dijetarë dhe mendimtarë të shquar fetarë me votën e drejtpërdrejtë të popullit ka rëndësi shumë të madhe dhe shtoi: '' Ky këshill me figura të shquara ka potencial të madh për shkëmbimin e pikëpamjeve, për koordinim dhe për aktivitet efikas.'' Lideri suprem i revolucionit islamik duke folur për lidhjet e gjera të anëtarëve të Këshillit të Lidershipit me shtresat e ndryshme të popullit iranian dhe për ndikimin e madh të tyre në opinionin publik, theksoi se ky këshill duhet të jetë gjithmonë aktiv në zbatimin e detyrave që i janë përcaktuar nga Kushtetuta e RII.'' Ai tha se Këshilli i Lidershipit ka potencial të madh në koordinimin e pikëpamjeve mbi çështjet kryesore, në përqendrimin mbi çështje të caktuara, në shpalljen e qëndrimeve dhe kërkesave dhe në formimin e një dialogu mbi nevojat themelore të shoqërisë dhe shtoi:'' Nëse realizohet ky objektiv, natyrisht edhe organet ekzekutive dhe ligjvënëse do të vihen në veprim për të realizuar kërkesat e popullit.'' Lideri suprem i revolucionit islamik duke theksuar se rruga dhe qëllimet e Këshillit të Lidershipit duhet të jetë rruga dhe qëllimet e revolucionit islamik, shtoi:'' Pushteti islam, liria, pavarësia, drejtësia sociale, mirëqenia e popullit, zhdukja e varfërisë dhe e injorancës, rezistenca përballë valës shkatërruese të korrupsionit moral, ekonomik, social dhe politik në perëndim dhe qëndresa përballë fuqive arrogante të botës, janë qëllimet kryesore të revolucionit islamik.'' Ai sundimin dhe shfrytëzimin e cilësoi tipar natyror të fuqive arrogante dhe theksoi:'' Fronti i arrogancës nisur nga natyra e tij, përpiqet të shtrijë sundimin mbi popujt e botës dhe çdo vend dhe popull që nuk reziston bie viktimë e sundimit dhe shfrytëzimit të fuqive arrogante.'' Lideri suprem i revolucionit islamik, Islamin e cilësoi si një kështjellë shkatërruese e shtypjes, shfrytëzimit dhe padrejtësive dhe shtoi:'' Sigurisht, përballë fuqive arrogante të botës mund të rezistojë ai islam që është konkretizuar në formën e një pushteti që posedon mjete të fuqishme politike, ushtarake, ekonomike, kulturore dhe mediatike.'' Ajetollah Khamenei duke ju drejtuar të zgjedhurve të popullit në Këshillin e Lidershipit, theksoi: Ndalesa nuk është e lejueshme, prandaj të keni gjithmonë parasysh principin e zhvillimit dhe progresit për realizimin e aspiratave të Islamit dhe të revolucionit islamik.''

Spikeri

Marrëveshja strategjike ndërkombëtare për themelimin e korridoreve për transport midis Iranit, Indisë dhe Afganistanit (marrëveshja Chabehar), u nënshkrua javën e kaluar në praninë e liderëve të këtyre tre vendeve. Dr. Hasan Ruhani, president i Republikës Islamike të Iranit, në një konferencë të përbashkët me gazetarë me kryeministrin e Indisë, ka thënë: Marrëveshja Chabehar është një burim transiti mes jugut dhe lindjes dhe jugut dhe veriut dhe hekurudha Chabehar-Zahedan dhe Zahedan-Serkhes, do të jete një urë që mund të lidhë vende të ndryshme duke përfshirë Indinë me Afganistanin, vendet e Azisë së Mesme, Kaukazin dhe Evropën lindore. Presidentët e RII, Afganistanit dhe kryeministri i Indisë, theksuan nevojën e zgjerimit të marrëdhënieve mes tre vendeve në kuadër të përpjekjeve për forcimin e paqes, stabilitetit dhe sigurisë në rajon. Hasan Ruhani dhe Ashraf Ghani, presidentët e RII dhe Afganistanit, si dhe Narendra Modi, kryeministër i Indisë, zhvilluan një konferencë shtypi në Teheran ku theksuan se nënshkrimi i marrëveshjes trepalëshe të tranzitit në portin Chabehar do të ndikojë në zgjerimin e bashkëpunimit dhe investimeve të përbashkëta të tre vendeve si dhe do të forcojë marrëdhëniet miqësore dhe konstruktive mes vendeve të rajonit. Dr. Hasan Ruhani në këtë konferencë shtypi theksoi se mesazhi i marrëveshjes trepalëshe Chabehar për botën është se ne jemi të bashkuar për bashkëpunim të përbashkët dhe për të ecur në rrugën konstruktive. Ruhani nënshkrimin e marrëveshjes trepalëshe e cilësoi si një ditë të rëndësishme dhe historike në marrëdhëniet mes tre vendeve dhe duke theksuar se kjo marrëveshje ka favore dhe interesa për të gjitha vendet e rajonit, nënvizoi se ky është fillimi i një të ardhme të ndritur dhe progresiste të vendeve të rajonit. Në vazhdim presidenti i RII theksoi: Padyshim kjo marrëveshje trepalëshe do të ndikojë pozitivisht në forcimin e sigurisë, stabilitetit, bashkëpunimit dhe progresit të vendeve të rajonit. Nga ana e tij presidenti i Afganistanit Ashraf Ghani marrëveshjen trepalëshe e konsideroi si pikënisje e një zhvillimi të madh jo vetëm për tre vendet, por për të gjithë rajonin dhe shtoi: Marrëveshja trepalëshe mes Iranit, Indisë dhe Afganistanit krijon kushtet e lidhjeve më të forta mes tre vendeve si dhe do të lidhë Kinën me vendet e Azisë Qendrore. Nga ana e tij, kryeministri i Indisë duke theksuar se kjo marrëveshje do të zbatohet me vullnet të plotë të tre vendeve, shtoi se ky projekt është një shembull shumë i mirë për rajonin dhe ky projekt duhet të lidhet me korridorin ndërkombëtar të transportit veri-jug.

Spikeri

Forcimi i marrëdhënieve rajonale ishte temë kryesore në takimin e liderit suprem të Revolucionit Islamik të Iranit me presidentin e Afganistanit dhe me kryeministrin e Indisë. Lideri suprem i Revolucionit Islamik të Iranit në takim me Muhamed Ashraf Ghani, presidentin e Afganistanit, theksoi se Republika Islamike e Iranit gjithnjë ka treguar përkushtim serioz ndaj interesave dhe sigurisë së Afganistanit dhe zhvillimin e këtij vendi në të gjitha fushat e konsideron të rëndësishëm aq sa edhe zhvillimin e vet. Lideri suprem i Revolucionit Islamik të Iranit në takim me Narandra Modi, kryeministri i Indisë, gjithashtu vuri në dukje të kaluarën shumë të gjatë të marrëdhënieve kulturore, ekonomike dhe popullore mes Iranit dhe Indisë dhe deklaroi se ekzistojnë fusha shumë të gjera për bashkëpunim mes Iranit dhe Indisë. Ajetollah Khamenei tha se Republika Islamike e Iranit mirëpret zgjerimin e marrëdhënieve me Indinë e cila është një prej ekonomive të reja dhe në rritje e sipër të botës, prandaj ka seriozitet shumë të madh në zbatimin e marrëveshjeve bilaterale. Ajetollah Khamenei në vazhdim vuri në dukje politikat e drejta të qeverisë së Indisë për të mos u bashkuar me asnjë prej koalicioneve perëndimore dhe amerikane të ashtuquajtura për të luftuar kundër terrorizmit dhe shtoi se lufta e vërtetë dhe serioze kundër terrorizmit mund të konsiderohet një prej fushave të tjera të bashkëpunimit mes Iranit dhe Indisë. Deklaratat e liderit suprem të Revolucionit Islamik të Iranit në këto dy takime tregojnë çështje të rëndësishme dhe kyçe në marrëdhënieve mes Iranit dhe vendeve të rajonit, sidomos të vendeve fqinje. Padyshim këto takime dhe çështjet për të cilat ka folur lideri suprem, do të hapin një faqe të re në marrëdhëniet politike, ekonomike, të sigurisë dhe shoqërore të Iranit me vendet e rajonit, mirëpo forcimi i këtyre marrëdhënieve dhe shfrytëzimi i këtyre rasteve ka edhe pengesa të caktuara. Çështja e terrorizmit, lëndët narkotike, emigrantët dhe kufijtë e përbashkëta ujore, janë prej çështjeve të cilat duhet të zgjidhen duke u bazuar në interesat dhe sigurinë e përbashkët të vendeve të rajonit. Një pjesë e kufijve të Iranit dhe Afganistanit përfshihet nga lumi Hirmand, mirëpo ekzistojnë mosmarrëveshje në lidhje me mënyrën e ndarjes së ujit të lumit Hirmand dhe në lidhje me të drejtat përkatëse me këtë lum. Të dy vendet kanë deklaruar se i qëndrojnë besnik zotimeve të bëra në bazë të marrëveshjes në lidhje me ujin e lumit Hirmand e cila është nënshkruar në vitin 1973. Mosmarrëveshjet në lidhje me ujin e lumit Hirmand datojnë që nga shekulli 19, në kohën kur Afganistani ishte koloni e Britanisë së Madhe, prandaj kjo çështje në një farë mënyre konsiderohet trashëgimi i periudhës së kolonializmit. Ashtu siç ka deklaruar lideri suprem i Revolucionit Islamik të Iranit në takim me Ashraf Ghani, çështjet që konsiderohen mosmarrëveshje mes Iranit dhe Afganistanit siç janë emigrantët, uji, transporti dhe siguria, të gjitha mund të zgjidhen dhe të gjitha këto çështje duhet të shqyrtohen me seriozitet në kuadër të një afati kohor. Ajo që ka rëndësi është fakti se në perspektivën e marrëdhënieve bilaterale dhe multilaterale të Iranit dhe vendeve të rajonit ekzistojnë raste të çmuara që shfrytëzimi i tyre është theksuar në mënyrë të veçantë nga lideri suprem i Revolucionit Islamik të Iranit, mirëpo realizimi i këtij bashkëpunimi ka nevojë për zbatimin e marrëveshjeve dhe për mbështetjen e funksionarëve të dy vendeve.

Spikeri

Javën e kaluar, zv/ministri i punëve të Jashtme të RII deklaroi se është e domosdoshme që regjimi i Izraelit të firmosë traktatin e ndalimit të armëve të shkatërrimit në masë. Sejed Abas Eragçi, zv/ministër i punëve të Jashtme të RII, duke folur në konferencën e 14-të të vendeve aziatike anëtare të Konventës së Ndalimit të Armëve Kimike që u zhvillua në Teheran, deklaroi se RII mendon se askush nuk duhet të jetë indiferent ndaj nevojës së respektimit të ligjeve dhe konventave ndërkombëtare nga regjimi i Izraelit dhe bashkësia ndërkombëtare duhet të ushtrojë presione ndaj Izraelit për t'a detyruar atë të nënshkruajë traktatet ndërkombëtare për çarmatimin dhe Konventën e Ndalimit të Armëve Kimike. Eragçi shtoi se regjimi sionist duke poseduar arsenale të shumta të armëve atomike dhe kimike, nuk pranon të anëtarësohet në traktatet dhe konventat ndërkombëtare që ndalojnë armët e shkatërrimit në masë. Zv/ministri i punëve të Jashtme të RII tha se Irani si një anëtar i përgjegjshëm dhe i angazhuar i bashkësisë ndërkombëtare ka pranuar të anëtarësohet në traktatet e ndalimit të armëve të shkatërrimit në masë dhe dënon prodhimin dhe përdorimin e këtyre armëve. Në konferencën e 14-të të vendeve aziatike anëtare të Konventës së Ndalimit të Armëve Kimike që u zhvillua në Teheran dhe që zgjati 3 ditë, morën pjesë 25 vende të Azisë.

Spikeri

Në festivalin e 69-të ndërkombëtar të filmit Cannes, filmi iranian ‘ Shitësi ‘ me regjisurë të Asgar Farhadi edhe një herë ka korrur sukses të madh dhe ka marrë dy çmime për skenarin më të mirë dhe aktrimin më të mirë. Çmimin për aktorin më të mirë e ka marrë Sejed Shahab Huseini, një prej aktorëve më të mëdhenj të Iranit. Zëdhënësi i qeverisë së Republikës Islamike të Iranit deklaroi se marrja e çmimit të festivalit të filmit Cannes në Francë është krenari për iranianët. Muhamed Bagher Nobakht, zëdhënësi i qeverisë së Iranit, në një intervistë me agjencinë e lajmeve ISNA, në lidhje me marrjen e dy çmimeve të fundit në festivalin e filmit Cannes, deklaroi se ky sukses i kinemasë së Iranit është krenari për të gjithë popullin iranian në fushën e artit, për arsye se dy artistë iranianë kanë arritur të fitojnë çmime në këtë festival prestigjioz ndërkombëtar. Nobakht shtoi se qeveria gjithmonë është mbështetëse e artit origjinal iranian dhe islamik, prandaj mund të pritet që artistët iranianë të pozicionohen në një pozitë më të lartë dhe të krijojnë krenari edhe më të madhe për popullin iranian.