Europa në javën që kaloi...58
Me përshëndetje për ju të nderuar dëgjues, po fillojmë emisionin tonë të përjavshëm ku do të flasim mbi zhvillimet më të rëndësishme të javës së kaluar në kontinentin europian.
Spikeri
Në kushtet kur marrëdhëniet mes Rusisë dhe Perëndimit janë tensionuar ndjeshëm, presidenti rus Vladimir Putin, javën e kaluar zhvilloi një vizitë në Greqi ku u takua me funksionarët e lartë grekë. Vizita zyrtare e Presidentit rus, Vladimir Putin pas 9 vitesh në Greqi, ka rikonfirmuar nivelin e lartë të marrëdhënieve greko-ruse. Vizita e presidentit rus Vladimir Putin në Athinë pas nënt ë vitesh dhe marrëveshjet e shumta që pritet të nënshkruajë me homologun e tij grek Pavlopoulos dhe kryeministrin Tsipras, i cili vizitoi vjet dy herë Kremlinin, tregojnë edhe një herë se dy vendet me lidhje të thella historike, kulturore dhe fetare kanë lënë pas një periudhë ftohjeje, duke parë se më shumë se kurrë në këto momente kanë interesa të përbashkëta politike dhe ekonomike. Kryeministri grek Aleksis Tsipras vuri në dukje se forcimi i marrëdhënieve me Rusinë përbëjnë një zgjedhje strategjie, e cila është e ndikuar edhe nga lidhjet e ngushta historike, kulturore dhe politike. Po ashtu kryeministri grek tha se ndihma e Moskës është e nevojshme përsa i përket forcimit të stabilitetit në rajon. Për Aleksis Tsipras vizita e Putin vjen në një kohë kur Greqia ka kthyer faqen e historisë, pasi po i jep fund pasigurisë ekonomike. “E gjithë kjo mund të kontribuojë në forcimin e marrëdhënieve tona në një mjedis që ka stabilitet dhe perspektivë”, tha Tsipras. “Ndërsa nga ana e tij Putin tha sa se në Moskë është diskutuar në mënyrë analitike perspektiva e Bashkëpunimit ekonomik, sigurisht ka shumë probleme dhe se rrethanat janë të vështira, por që sigurisht ka perspektiva të mira,” e mbylli fjalën Vladimir Putin. Tani sfida që i mbetet Athinës dhe Moskës, përveç zotimeve është që t’i kthejnë marrëdhëniet e mira të popujve në rezultate të prekshme ekonomike. Gjatë vizitës në Greqi, Putin u shoqërua nga një grup ministrash e biznesmenësh, midis tyre krerët e GAZPROM-it dhe ROSNEFT-it, me synim marrëveshje me kompanitë vendase të naftës dhe gazit natyror. Midis tyre veçohet gazsjellësi South Stream 2, një projekt i anuluar më parë dhe i kundërshtuar nga BE-ja dhe SHBA-ja, por që merr jetë në kushtet e sotme, kur Moska kërkon të shmangë Ukrainën dhe Turqinë, si rrugë të gazit të saj natyror drejt Europës, pasi janë dy vende me të cilat ndodhet në konflikte të ashpra politike. Greqia nga ana e saj ka interes sepse kalimi i një gazsjellësi të dytë në territorin e saj, pas atij Trans-Adriatik, i krijon mundësi për të përfituar çmime më konkurruese dhe rrit njëkohësisht rolin e saj strategjik në hartën energjitike në Ballkan dhe Europë. Gjithashtu, pala ruse sjell dy propozime për blerjen e një pjese të portit të Selanikut, që do t’i japë mundësinë për të pasur një pikë strategjike në Mesdhe si dhe për blerjen 100% të kompanisë së trenave TRAINOSE dhe asaj të hekurudhave. Ndërsa Greqia, përveç synimit që ka për të tërhequr miliona turistë rusë, shpreson që nëpërmjet rrugëve të tërthorta ballkanike, me qendër kryesore Serbinë, të promovojë eksportet e saj drejt Rusisë, pasi fermerët grekë janë dëmtuar jashtë mase nga embargo që BE-ja i ka vendosur Moskës për çështjen e Ukrainës. Në aspektin politik, siç është shprehur edhe presidenti Putin, Rusia sheh tek Greqia urën lidhëse me BE-në dhe NATO-n, pasi Moska kërkon fillimin e një dialogu me Brukselin për një sërë çështjesh, që nga thjeshtëzimi i procedurave për vizat e qytetarëve të saj, deri në krijimin e një aleance energjitike. Putin e shfrytëzoi vizitën e tij në Greqi për të paralajmëruar se nuk ka zgjedhje tjetër veçse të kundërpërgjigjet ndaj Shteteve të Bashkuara lidhur me sistemin e mbrojtjes nga raketat në Evropë. Presidenti rus, gjatë një udhëtimit në Athinë tha se do t’i duhet t’i kundërpërgjigjet dislokimit amerikan të sistemit anti-raketë në Poloni dhe Rumani. “Nëse deri dje në këto zona të Polonisë njerëzit nuk e dinin çfarë do të thotë të jetosh në shënjestër të pushkës, sot jemi përballë faktit që na detyron të marrim masa për të garantuar sigurinë tonë,” tha zoti Putin, pas takimit me kryeministrin grek Alexis Tsipras. Putin, i cili ka shprehur revoltim ndaj sistemit amerikan të mbrojtjes nga raketat duke e cilësuar kërcënim për sigurinë ruse, nuk dha hollësi lidhur me metodat konkrete që mund të përdorë Rusia si kundërpërgjigje. Ai tha vetëm se Rusia në këtë rast nuk po ndërmerr hapin e parë, por thjesht po i përgjigjet veprimit amerikan.
Spikeri
Javën e kaluar, kreditorët ndërkombëtarë kanë rënë dakord ti japin një tjetër paketë ndihmash financiare Greqisë me vlerë prej 8.7 miliardë dollarësh. Megjithatë ata paralajmërojnë se vendi po përballet me një të ardhme te pasigurt ekonomike. Greqia ka kërkuar një paketë te dyte ndihmash financiare prej më shumë se 10 miliardë dollarësh nga paketa e shpëtimit prej 86 miliardë dollarë për të shmangur mospagimin e borxheve në javët e ardhshme. Por ministrat e jashtëm të eurozonës ,gjate takimit të javës së kaluar në Bruksel, përzgjodhën paketën më të vogël të ndihmave financiare dhe menduan qe ajo të ndahet proporcionalisht për 3 muajt e ardhshëm. Huadhënësit e Greqisë, vendet europiane, Banka Qendrore Europiane, Fondi Monetar Ndërkombëtar, thanë se Greqia e përfshirë nga borxhet po lëviz shume ngadalë me kryerjen e reformave të premtuara ekonomike. Greqia është ne vitin e gjashte te recesionit por huadhënësit e saj mendojnë se e ardhmja e saj mbetet e pasigurtë. Mijëra punëtorë të sektorit publik, vendet e punës të së cilëve rrezikohen nga shkurtimet gjithëpërfshirëse te planifikuara, protestuan gjatë javës së kaluar ne rrugët e Athinës dhe në qytete të tjera të Greqisë duke shprehu pakënaqësinë e tyre ndaj vazhdimit të politikave të kursimit ekonomik të ndërmarra nga qeveria e kryeministrit Aleksis Tsipras.
Spikeri
Javën e kaluar, Alexandër Van der Bellen fitoi zgjedhjet presidenciale në Austri duke mos lejuar që kandidati i esktremit të djathtë Norbert Hofer të bëhej i pari president në Europë nga një parti radikale. Gjatë fushatës për president, Hofer ka dalë ashpër kundër Kosovës dhe anëtarësimit të saj në instancat evropiane, duke shprehur simpati ndaj Serbisë dhe popullit serb. Radikali ishte në avantazh fillimisht, por më pas votat e numëruara i dhanë fitoren Van der bellen. Hofer udhëhiqte me 51.9 % ndaj 48.1% që kishte Van der Bellen, por gjithçka ndryshoi pasi u numëruan 750 mijë votat e mbetura që janë rreth 12 % e popullsisë së Austrisë. Ish kandidati i Partisë së Gjelbër triumfoi në 9 nga 10 qytetet kryesore të Austrisë, ndërkohë që Hofer dominoi zonat rurale. 60 % e femrave zgjodhën Van der Bellen ndërsa 60 % e meshkujve ja dhanë votën e tyre radikalit të djathtë. Hofer e pranoi humbjen. Posti i presidentit në Austri është më shumë një post ceremonial, por kreu i shtetit ka forcën të shkrijë këshillin kombëtar, që është një ndër instancat më të fuqishme në parlament. Shkrirja e këshillit kombëtar sjell automatikisht zgjedhje të reja, pra presidenti nuk është krejtësisht pa forca ekzekutive në Austri. Në pjesën tjetër të Evropës shumë njerëz të thjeshtë dhe politikanë të lartë si nga partitë konservatore edhe ato social-demokrate kishin frikë se në Austri mund të vinte në krye të shtetit, për herë të parë në BE, një populist i djathtë. Van der Bellen fitoi në një fushate zgjedhore polarizuese vetëm me një minimum të vogël votash. Për Austrinë këto zgjedhje presidenciale ishte në një mënyrë ose në një tjetër një tërmet politik. Votuesit ndëshkuan partitë që mbajnë koalicionin qeverisës, social-demokratët dhe konservatorët. Qendra u shpërbë dhe mbetën kandidatët e skajeve të spektrit politik, zgjedhja ndërmjet të cilëve ishte më tepër një torturë. Shumë votues votuan për Van der Bellen, jo sepse ata e konsiderojnë politikanin e të Gjelbërve si politikan të mrekullueshëm, por për shkak se ata donin të parandalonin një populist të djathtë. Zgjedhjet treguan gjithashtu se sa të fortë janë tani në spektrin konservator kombëtar në Austri skeptikët ndaj BE-së, kritikuesit e fesë islame, kundërshtarët e migracionit. Konservatorët e djathtë dhe ekstremistë në Austri do ta përdorin mbështetjen që gjetën në këto zgjedhje për zgjedhjet parlamentare 2018. Norbert Hofer, i cili javët e fundit e prezantoi veten si njeri i butë, ndërkohë që më parë kishte kontakte aktive me qarqet ekstreme të krahut të djathtë, kishte premtuar se nëse do të fitonte në zgjedhje donte të ndryshonte sistemin. Prirja në BE duket se po shkon qartë drejt populizimit të djathtë dhe të majtë si dhe rikombëtarizimit. Në Finlandë populistët e djathtë janë në qeveri. Poloni dhe në Hungari kryeministrat janë nga parti të tilla. Në Sllovaki dhe Greqi janë pjesë e qeverisë populistë të majtë skeptikë ndaj Evropës. Në Itali lëvizja populiste e majtë “Pesë Yje” përbën forcën e tretë në parlament. Në Francë socialistët dhe konservatorët po ndjejnë gjithnjë e më fort presionin e populistëve të Frontit Kombëtar. Vitin e ardhshëm Marine Le Pen do të hyjë për Frontin Kombëtar në garën për president. Në Gjermani, partia nacionaliste “Alternativa për Gjermaninë” e cila është jashtëzakonisht kritike ndaj migrimit, BE-së dhe fesë islame, është në rritje. Lista mund të vazhdojë.
Spikeri
Nëse Britania do të shkëputej nga BE, pasojat do t’i vuanin jo vetëm vendet e përfshira, por edhe ekonomia globale. Kjo u paralajmërua javën e kaluar nga ministrat e Financave të G7-s në dokumentin e tyre final pas një samiti dyditor. “Pasiguritë globale janë shtuar, ndërsa konfliktet gjeopolitike, terrorizmi, fluksi i emigrantëve dhe tronditja për një dalje të mundshme të Britanisë komplikojnë kontekstin ekonomik global”, pohuan ministrat. Britanikët do të vendosin lidhur me çështjen në një referendum që do të mbahet më datë 23 qershor. Gjatë takimit, ministrat e 7 ekonomive më të zhvilluara të botës diskutuan për një sërë tematikash, nga ekonomia globale tek vlerat e shkëmbimeve të huaja dhe pastrimi i parave. Edhe kryeministri i Holandës, Mark Rutte u është bashkuar thirrjeve drejtuar Britanisë për të mos braktisur Bashkimin Europian, duke paralajmëruar për pasoja katastrofike. “Do të ishte një lajm shumë i keq për Britaninë, për Holandën, për të gjithë Europën”, ka deklaruar Rutte. Sidoqoftë, mundësia e daljes së Britanisë nga BE ka shkaktuar konfuzion në shumë vende të këtij unioni si dhe pesimizëm për të ardhmen e BE.