Europa në javën që kaloi…60
https://parstoday.ir/sq/news/uncategorised-i17965-europa_në_javën_që_kaloi_60
Me përshëndetje për ju të nderuar dëgjues, po fillojmë emisionin tonë të përjavshëm ku do të flasim mbi zhvillimet më të rëndësishme të javës së kaluar në Europë.
(last modified 2026-03-28T19:16:51+00:00 )
Qershor 15, 2016 20:28 Europe/Tirane
  • Europa në javën që kaloi…60

Me përshëndetje për ju të nderuar dëgjues, po fillojmë emisionin tonë të përjavshëm ku do të flasim mbi zhvillimet më të rëndësishme të javës së kaluar në Europë.

Spikeri

Javën e kaluar, parlamenti anglez votoi projektligjin që autorizon gjerësisht organet e sigurisë dhe të inteligjencës angleze të mbledhin informacione dhe të spiunojnë qytetarët e këtij vendi. Ky projektligj u miratua me 444 vota pro të deputetëve të mazhorancës dhe të shumicës së deputetëve të partive opozitare. 69 deputetë të parlamentit anglez mes të cilëve edhe ata të partisë kombëtare të Skocisë votuan kundër zgjerimit të kompetencave të organeve të sigurisë dhe të inteligjencës për shkak të shqetësimit nga pasojat negative të këtij ligji kundër lirive themelore dhe jetës private të qytetarëve. Organet e sigurisë dhe të inteligjencës së Britanisë edhe më parë kanë kryer akte spiunazhi ndaj qytetarëve britanikë duke mbledhur të dhënat e abonentëve të internetit si dhe duke përgjuar kompjuterat dhe telefonat celularë të personave të dyshuar për terrorizëm dhe projektligji i miratuar javën e kaluar nga parlamenti britanik i jep legjitimitet këtij veprimi. Ky projektligj u prezantua në vitin 2015, por fillimisht nuk u përkrah nga partia laburistë, por kjo parti që është partia kryesore opozitare në Angli e përkrahu këtë projektligj pas kryerjes së disa ndryshimeve. Disa nga ndryshimet kishin të bëjnë me mbrojtjen e gazetarëve dhe marrjen e autorizimit nga gjykata para përgjimit të personave të dyshuar. Sidoqoftë, grupet e të drejtave të njeriut janë thellësisht të shqetësuara për faktin se shtimi i kompetencave të organeve të sigurisë dhe të inteligjencës do të krijojë kushtet për kufizimin edhe më të madh të lirive themelore dhe jetës private të qytetarëve britanikë.

Spikeri

Me synimin për t’i dhënë Moskës mesazhin e qartë se, “nëse njëri prej aleatëve tanë sulmohet, e gjithë aleanca do të përgjigjet si një e vetme”, shefi i NATO-s tha se aleanca ushtarake atlantiko-veriore do të përforcojë mbrojtjen kundër Rusisë, nga deti Baltik deri në detin e Zi. Javën e kaluar, Jens Stoltenberg, sekretar i Përgjithshëm i NATO-s, deklaroi në një konferencë për shtyp se ministrat e Mbrojtjes së aleancës ranë dakord për dërgimin e 4 batalioneve me forca shumëkombëshe, mbi baza alternimi, në Estoni, Letoni, Lituani dhe Poloni. Ai shtoi gjithashtu se ministrat u rakorduan gjithashtu edhe për “masat e përshtatshme” për të siguruar “mbrojtjen dhe parandalimin” në rajonin e detit të Zi, përfshi këtu magazinimin paraprak të pajisjeve dhe furnizimeve.Ministrat e Mbrojtjes të vendeve të NATO-s zhvilluan nje takim dydito në selinë e NATO-s, teksa sekretari i Përgjithshëm e quajti “mbrojtjen e territorit tonë dhe të popujve tanë”, si objektivin parësor të aleancës.Takimet e ministrave po bëhen për të vendosur bazat e Samitit të NATO-s gjatë muajit të ardhshëm, më 8 dhe 9 korrik, në Varshavë të Polonisë. Në takimet e ardhshme ministrat pritet të bien dakord gjithashtu për të bashkëpunuar më nga afër me Bashkimin Europian sa i përket çështjeve të sigurisë, duke diskutuar mbi përmirësimin e mbrojtjes kibernetike të NATO-s, shpërndarjen e informacioneve të shërbimeve sekrete dhe vendimmarrjen përballë sfidave aktuale, por do të takohen edhe me ministrin e Mbrojtjes së Ukrainës.Pa zbuluar detaje, Stoltenberg tha se “do të përcaktojmë kornizën sesi do të përballemi me kërcënimet dhe sfidat nga Jugu”, duke nënkuptuar ekstremizmin e dhunshëm që po përhapet me shpejtësi në Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut.SHBA-të, Britania dhe Gjermania janë angazhuar tashmë për udhëheqjen e 3 prej 4 batalioneve, të cilat do të dërgohen në Poloni, Estoni, Letoni dhe Lituani. Një zyrtar amerikan tha se udhëheqësit kanadezë janë duke u takuar së fundi për të diskutuar mbi mundësinë e udhëheqjes së batalionit të katërt.Zyrtarë amerikanë thanë gjithashtu se ende nuk është e qartë nëse Pentagoni do të përdorë trupat, që gjenden aktualisht të dislokuara në Europë, për të formuar batalionin e drejtuar prej tyre, apo do të dërgojnë forca të reja. Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Ashton Carter tha se SHBA-të mund të kontribuojnë me shumicën ose të gjithë trupat e nevojshëm për këtë njësi, e bëhet fjalë për 800-1.000 trupa. Sidoqoftë, këto veprime shihen me skepticizëm nga Rusia dhe funksionarët e lartë të Kremlinit kanë paralajmëruar se Moska nuk do të qëndrojë duarkryq përballë provokacioneve të NATO-s në lindje të Europës.

Spikeri

Javën e kaluar, kryeministri britanik, David Cameron paralajmëroi kundër një “dekade të humbur” në rast të daljes së vendit nga Bashkimi Evropian.''Rezultati do të jetë një dekadë e humbur për Britaninë e Madhe, në fushën e rritjes ekonomike, investimeve, shpenzimeve sociale nëse britanikët zgjedhin opsionin Brexit në referendumin e 23 qershorit”, deklaroi ai. “Do të kemi një dekadë pasigurie në të cilën duhet rinegociuar kontrata tregtare me BE-në, që do të përthithë energjinë e qeverisë dhe të vendit tonë”, shtoi ai. Ndërsa mesatarja e sondazheve të fundit i vendos kampet “brenda” dhe “jashtë” BE-së në një rezultat mjaft të ngushtë, kreu i qeverisë u kërkoi shtetasve të votojnë pro qëndrimit në BE. Përfaqësuesi kryesor i kampit pro daljes nga BE-ja dhe kreu i partisë eurofobe Ukip, Nigel Farage nga pikëpamja e kundërt vlerësoi se i duhet dhënë fund këtij projekti të dështuar. Nga ana tjetër, ish-kryeministrat e Britanisë, John Major dhe Tony Blair, kanë paralajmëruar se dalja e mundshme nga Bashkimi Europian do të rrezikojë unitetin e këtij vendi. Ata kanë thënë se një gjë e tillë mund të rihapë çështjen e pavarësisë së Skocisë dhe të vë në rrezik të ardhmen e Irlandës Veriore, ku stabiliteti është arritur me mund. Mesazhi i tyre i ka bërë jehonë edhe deklaratës së ish-presidentit të Shteteve të Bashkuara, Bill Clinton, i cili, në një artikull për revistën britanike New Statesman, ka thënë se është i shqetësuar për paqen dhe prosperitetin e Irlandës Veriore nëse Britania del nga Bashkimi Europian. qytetarët e Mbretërisë së Bashkuar, më 23 qershor, do të votojnë në referendumin që vendos për të ardhmen e këtij vendi në bllokun europian. Në këtë kuadër, zëdhënësi i zyrës për marrëdhënie me jashtë i Partisë Kombëtare të Skocisë, deklaroi se skocezët janë të gatshëm për organizimin e një referendumi për shkëputje nga Britania.Aleks Salmon, zëdhënësi i zyrës për marrëdhënie me jashtë i Partisë Kombëtare të Skocisë, duke folur sot në prag të organizimit të referendumit mbi daljen e Britanisë nga BE, deklaroi se nëse anglezët votojnë për tu larguar nga BE, skocezët do të organizojnë referendum për të dalë nga Britania. Zëdhënësi i zyrës për marrëdhënie me jashtë i Partisë Kombëtare të Skocisë, deklaroi se parlamenti i Skocisë ka kompetencë të organizojë referendum për pavarësinë e Skocisë nga Britania nëse Anglia përkundër vullnetit të skocezëve vendos të dalë nga BE.

Spikeri

Javën e kaluar, Zviceranët kanë rrëzuar me 77% të votave propozimin që nëse do votohej do t’u jepte atyre 2.555 dollarë në muaj, pavarësisht nëse ishte në punë apo jo. Propozimi i hedhur në referendum do të vendoste nëse duheshin garantuar apo jo të ardhura bazë për çdo qytetar, por vetëm 23 % e zviceranëve kanë qenë dakord në lidhje me këtë propozim Mes klasës politike zvicerane pati shumë pak mbështetje për këtë ide dhe asnjë parti parlamentare nuk ka folur në mbështetje të saj. Sipas tyre, prishja e lidhjes mes punës së kryer dhe parave të merituara do të ishte e keqe për shoqërinë.Mbështetësit e idesë së të ardhurave të garantuara thonë se, më shumë se 50% e punës në Zvicër nuk paguhet, pasi ajo bëhet në komunitete apo në shtëpi. Ndërsa kundërshtarët e saj thanë se çdo zvicerani do t’i jepen parà edhe nëse nuk bën asgjë, e gjithë bota do të tentojë të shkojë në Zvicër.Mbështetësit e kësaj ideje shpreheshin se puna në shekullin e XXI-të po bëhet gjithnjë e më e automatizuar, duke pakësuar numrin e vendeve të punës. Ky referendum ka qenë unik në llojin e vet, duke e bërë Zvicrën të parin vend që çon në votim një ligj të tillë.