Amerika në një vështrim të brendshëm...61
https://parstoday.ir/sq/news/uncategorised-i18565-amerika_në_një_vështrim_të_brendshëm...61
Me përshëndetje për ju të nderuar dëgjues, po fillojmë emisionin e përjavshëm ku do të flasim mbi zhvillimet më të rëndësishme politike, ekonomike dhe sociale të javës së kaluar në Shtetet e bashkuara të Amerikës.
(last modified 2026-03-28T19:16:51+00:00 )
Qershor 20, 2016 19:55 Europe/Tirane
  • Amerika në një vështrim të brendshëm...61

Me përshëndetje për ju të nderuar dëgjues, po fillojmë emisionin e përjavshëm ku do të flasim mbi zhvillimet më të rëndësishme politike, ekonomike dhe sociale të javës së kaluar në Shtetet e bashkuara të Amerikës.

Spikeri

Javën e kaluar, një krim i tmerrshëm tronditi Amerikën dhe të gjithë botën. Të shtënat në një klub nate kanë tronditur qendrën e Orlandos në Florida, ku policia bëri të ditur për 50 persona të vdekur dhe 53 të plagosur pas të shtënave nga agresori 29-vjeçar, Omar Mateen, i cili u mbyll për pak kohë në ambientet e barit me disa pengje ku edhe u vra nga policia. Burri ishte i armatosur me dy pistoleta e kishte me vete dhe një lloj mekanizmi shpërthyes, i hedhur në erë më pas nga skuadrat speciale në mënyrë të kontrolluar. Në momentin e sulmit mendohet që në barin tepër të frekuentuar të natës të ndodheshin rreth 100 vetë. Tragjedia e Orlandos është me rënda, por jo e vetmja në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Pati disa hipoteza për tragjedinë e Orlandos dhe fillimisht u tha pas saj fshihej grupi terrorist ISIS i cili mori përgjegjësinë për këtë sulm. Por deri tani CIA dhe FBI kanë deklaruar se ende nuk ka asnjë provë që lidh vrasësin Omar Mateen me organizatën terroriste. ISIS mori përsiper masakrën, por ka shumë dyshime se Mateen mund të jetë shtyrë nga arsye personale, ndoshta homofobia siç thotë i ati, ose mund të bëhet fjalë për një të ashtuquajtur “ujk vetmitar”, i cili është vetëradikalizuar ashtu si autorët e masakrës së San Bernardinos. Kjo hipotezë konfirmohet edhe nga Presidenti amerikan, Barack Obama, i cili në përfundim të një takimi me zyrtarë të FBI-së dhe antiterrorizmit tha se nuk ekziston asnjë provë e qartë se vrasësi i Orlandos ishte udhëzuar nga ekstremistë, apo se ishte pjesë e një komploti më të gjerë.Sipas liderit të Shtëpisë së Bardhë, vrasësi është frymëzuar nga informacionet ekstremiste të shpërndara në internet. Obama e cilësoi rastin si një ekstremizëm të ushqyer brenda kufijve kombëtar. Sigurisht ndaj kësaj masakre reagoi presidenti amerikan Barak Obama, i cili deklaroi se masakrat do të vijojnë, nëse Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk veprojnë urgjentisht për të kontrolluar dhunën e armëve. “Nëse nuk veprojmë, do të vazhdojmë të shohim më shumë masakra si kjo, sepse ne do të zgjedhim të lejojmë të ndodh kjo që po ndodh”, tha Obama për gazetarët në qytetin Orlando. Një betejë të cilën e humbi në kohën kur senati u dominua nga republikanët dhe që me pak humor në fjalën e fundvitit tha se e ka arkivuar në dështimet e tij. Por përpjekjet sërish vijojnë nga demokratët të cilët po përballen me republikanët në senat për të ashpërsuar ligjin e armëve. Një senator amerikan u bë shkas për një debat maratonë 15-orësh mbi kontrollin e armëve pas masakrës në klubin gay të Orlandos, në Florida. Chris Murphy përdori teknikën e bllokimit të procedurave në përpjekjen e gjetjes së një kompromisi mbi çështjen e armëve, të mbetur në vendnumëro.

Spikeri

Ngjarja me 50 viktima dhe 53 të tjerë të plagosur në Orlando të Floridas ka marrë edhe vëmendjen e kandidatëve për President në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Tragjedia ka nxjerrë në pah edhe debatin e nxehtë të përdorimit të armëve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, çështje të cilën Presidenti Barak Obama e përfshiu të listën e dështimeve të tij gjatë mandatit të dytë si President i vendit. Ish-Sekretarja Klinton ka premtuar se do të bëjë ligje të rrepta për kontrollin e armëve, teksa Trump ka hedhur poshtë këtë ide si një shkelje të panevojshme të të drejtave të pronarëve të armëve, duke u shprehur që secili do të jetë më i sigurtë nëse qytetarët pajisen me armë. “U zgjuam me lajme tragjike nga Florida”, shkroi Clinton, duke shtuar se mendimet e saj janë me të gjithë ata që janë prekur nga ky akt i tmerrshëm. Edhe rivali i saj demokrat, Bernie Sanders gjatë një prononcimi për NBC tha se duhet të ketë një kontoll më të madh të armëve ne vend. “Unë besoj se në këtë vend nuk duhet shiten armë automatike të cilat janë të dizenjura për të vrarë njerëz. Dhe ne duhet të bejmë gjithçka mundemi që armët të mos përfundojnë në duart e njerëzve të gabuar, si kriminele apo persona me probleme mendore”, tha Sanders. Kandidati republikan Donald Trump deklaroi se tragjedia në Orlando vërteton drejtësinë e deklaratave të tij për dëbimin e emigrantëve ilegalë dhe ndalimin e hyrjes së muslimanëve në SHBA. Trump nuk e përkrahu idenë e kufizimit të lirisë së armëmbajtjes duke theksuar se krimet e bëjnë njerëzit dhe jo armët. Duket se tragjedia e Orlandos ka ndikuar pozitivisht në fushatën e kandidatit republikan në garën presidenciale Donald Trump, teksa ky i fundit ka ngushtuar diferencën me rivalen e tij demokrate Hilary Clinton. Në bazë të një sondazhi të realizuar nga agjensia e lajmeve Reuters, përpara sulmit tragjik, ish-sekretarja e Shtetit kishte një avantazh prej 14.3 % ndaj miliaderit, shifër e cila është ngushtuar në 10.7%.Në këtë mënyrë, mbështetja për Trump është rritur nga 41.9% në afro 45%. Republikani ka qënë tejet i ashpër në zgjidhjet e propozuara prej tij në lidhje me myslimanët si dhe për ligjet e armëve. Pyetjes se cilin kandidat do të votonit nëse zgjedhjet do të mbaheshin ditën e sotme, 49% e qytetave amerikanë të anketuar u janë përgjigjur për miliarderin, ndërkohë që 51% prej tyre kanë mbështetur kandidaturën e Hilary Clinton.Ish-sekretaja e Shtetit dhe miliarderi janë shpallur paraprakisht fitues në rang partiak, por për të zyrtarizuar nomimin e tyre ata do të duhet që të presin deri në konventat e partive respektive. Eksperëtët kanë deklaruar se cdo ngjarje e njëjtë apo e ngjashme me sulmet e Orlandos pritet të rrisë edhe më tej mbështetjen për Trump.

Spikeri

Presidenti amerikan Barak Obama i bëri një qortim tepër të ashpër retorikës antimyslimane të Donald Trumpit, duke i quajtur propozimet për emigracionit të kandidatit republikan për president si “të rrezikshme” dhe “aspak të nevojshme për Amerikën që duam”. Duke folur për reporterët pasi dha një mesazh edhe për masakrën e Orlandos, Obama tha se thirrja e Trumpit për fjalime më të ashpra kundër terrorizmit dhe ndalimin e hyrjes së emigrantëve myslimanë në Amerikë, mund t’i bëjë myslimanët amerikanë të ndihen të tradhtuar nga qeveria e tyre dhe mund të minojë vlerat amerikane. “Nëse do t’i braktisnim ndonjëherë këto vlera, jo vetëm që do ta bënim më të lehtë radikalizimin e njerëzve këtu dhe anembanë botës, por do të tradhtonim gjëra shumë të rëndësishme, të cilat ne jemi përpjekur t’i mbrojmë prej kohësh”, tha Obama. “Atëherë, terroristët do të pretendonin fitoren, por ne nuk mund ta lëmë këtë gjë të ndodhë. Unë nuk do ta lejoj këtë”. Deklaratat e presidentit ishin të parat reagime ndaj fjalimit të Trumpit gjatë së hënës, pas masakrës së ditës së diel në Orlando, si dhe ndoshta më të ashprat e tij deri më tani mbi kërcënimin që përbën - sipas tij, - kandidati biznesmen për politikën dhe sigurinë e Shteteve të Bashkuara. Obama tha se plani i Trumpit për të penguar të huajt myslimanë të futen në SHBA nuk merr parasysh historinë amerikane të të fokusuarit te grupet etnike dhe fetare mes periudhave të ankthit. “Kemi kaluar disa periudha në historinë tonë, kur kemi vepruar nga frika dhe kemi arritur të zhgënjehemi për ato veprime”, tha Obama para reporterëve. “Kemi parë qeveritë tona të keqtrajtojnë qytetarët e vet, e ajo ka qenë një pjesë e pafalshme e historisë sonë”-shtoi ai.

Spikeri

Duket se cështja e marrëdhënieve me Izraelin i ka shtuar mosmarrëveshjet në partinë demokrate amerikane. Me fuqizimin e rrymës liberale në partinë demokrate të kryesuar nga Bernie Sanders këto mosmarrëveshje kanë dalë më shumë në pah. Qëndrimet e bernie Sanders në lidhje me marrëdhëniet me Izraelin dhe mbi cështjen e Palestinës janë të ndryshme nga qëndrimet e Hillary Clinton. Megjithëse Clinton ka siguruar numrin e nevojshëm të votave për nominim si kandidate demokrate në zgjedhjet presidenciale, Sanders po e vazhdon garën me qëllim që ta detyrojë Clintonin të pranojë disa nga kërkesat e tij. Kur Clinton ishte sekretare e DASH, mbajti qëndrime të forta në përkrahje të Izraelit dhe kjo u bë shkak për kritika të ashpra të krahut liberal të demokratëve. Cornel Ëest, këshilltar i lartë i Bernie Sanders, tha se partia demokrate prej shumë vitesh ka qenë shumë e varur nga AIPAC he ka qenë indiferente ndaj vuajtjeve të gjata të popullit palestinez. Ai shtoi se ka ardhur koha që kjo parti të rishikojë qëndrimin e saj. Ndërkohë krerët e partisë demokrate përpiqen ta unifikojnë partinë në prag të zgjedhjeve presidenciale. Ata janë përpjekur ta bindin Sanders të heqë dorë nga gara elektorale. Ekziston shqetësimi se prania e Sanders në garën elektorale do të thellojë ndasitë në radhët e përkrahësve të dy kandidatëve demokratë.

Spikeri

Javën e kaluar, nënsekretari amerikan i Shtetit deklaroi se Amerika do të zgjerojë praninë e saj ushtarake në Lindjen e Mesme. Antony Blinken, nënsekretar amerikan i Shtetit, duke folur në konferencën vjetore Hertzelia që organizohet në Izrael, theksoi se Amerika më shumë se kurrë është e pranishme në rajone të ndryshme të botës dhe nuk ka ndërmend të reduktojë praninë e saj ushtarake në rajonin e Lindjes së Mesme. Ai shtoi se prania e Amerikës në rajone të ndryshme të botës nuk kufizohet vetëm në aspektin ushtarak, por përfshin edhe sferat politike, ekonomike, kulturore dhe teknologjike. Nënsekretari amerikan i Shtetit nënvizoi se SHBA nuk mund të bëjë ndonjë mrekulli për zgjidhjen e problemeve në Lindjen e Mesme, por këto probleme ndikojnë shumë në interesat e Amerikës dhe të aleatëve të saj. Antony Blinken, nënsekretar amerikan i Shtetit, tha se rajoni i Lindjes së mesme po përballet me sfida dhe kriza të reja dhe shtoi se përkrahja e Uashingtonit për izraelin do të vazhdojë të rritet edhe në të ardhmen.

Spikeri

Javën e kaluar,shefi i CIA-s ka pranuar se edhe përkundër përpjekjeve të SHBA, kërcënimet e grupit terrorist ISIS në botë nuk janë zvogëluar. John Brenan, shef i CIA-s, deklaroi se grupi terrorist ISIS për të mbuluar disfatat e tij në frontin e luftës, po mobilizon agjentët e tij për të kryer sulme terroriste në vendet perëndimore. Brenan shtoi se ISIS synon që sulmet terroriste kundër interesave të vendeve perëndimore t’i realizojë sipas modelit të sulmeve terroriste në Paris dhe Bruksel duke shfrytëzuar celula terroriste “të fjetura” si dhe duke dërguar militantët e ISIS nga Siria dhe Iraku në vendet perëndimore. Shefi i shërbimit inteligjent amerikan foli edhe për apelin që ISIS u ka bërë simpatizantëve të tij në vende të ndryshme të botës për të kryer sulme terroriste personale. Megjithatë, shefi i shërbimit inteligjent amerikan tha se disfatat në fushën e betejës dhe reduktimi i të ardhurave financiare e ka dobësuar aktivitetin e ISIS në vendet e tjera të botës.