Europa në javën që kaloi…62
https://parstoday.ir/sq/news/uncategorised-i19522-europa_në_javën_që_kaloi_62
Me përshëndetje për ju të nderuar dëgjues, po fillojmë emisionin tonë të përjavshëm ku do të flasim mbi zhvillimet në Europë.
(last modified 2026-03-28T19:16:51+00:00 )
Qershor 28, 2016 21:38 Europe/Tirane
  • Europa në javën që kaloi…62

Me përshëndetje për ju të nderuar dëgjues, po fillojmë emisionin tonë të përjavshëm ku do të flasim mbi zhvillimet në Europë.

Lajmi më i rëndësishëm i javës së kaluar në Evropë dhe përgjithësi në botë ishte votimi në Britani për daljen e këtij vendi nga BE. Britania e Madhe votoi për t’u shkëputur nga Bashkimi Europian, në referendumin historik që u mbajt të enjten. 52 përqind e zgjedhësve kërkuan largimin nga unioni të cilit ju bashkuan 43 vite më parë, ndërsa 48 përqind ishin pro qëndrimit. Anglia dhe Uellsi votuan bindshëm për “Brexit”, ndërsa Londra, Skocia dhe Irlanda e Veriut mbështetën qëndrimin. Rezultati i parë i votimit është dorëheqja e kryeministrit David Cameron, i cili pavarësisht thirrjeve të konservatoreve pro shkëputjes, të tille si Boris Johnson dhe Michael Gove për të mos u larguar pavarësisht rezultateve, shpalli vendimin gjatë një konference për shtyp dhe tha se pasuesi i tij do të zgjidhet brenda tetorit. "Votimi i popullit britanik do të respektohet. Nuk mund të jem unë ai që do të udhëheqë vendin drejt këtij angazhimi të ri. Duhet një lider i ri, që do të zgjidhet brenda muajit tetor e që do të drejtojë negociatat me BE”, u shpreh Cameron. I menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i tregjeve elektronike me paundin që ra në nivelin më të ulët kundrejt dollarit që prej 1985.Pjesëmarrja në referendum ishte më e larta e shënuar në zgjedhje britanike që prej 1992-shit, 71.8 përqind, ose e përkthyer në shifra 30 milionë njerëz. Lideri i UKIP euroskeptike, Nigel Farage, i cili ka kërkuar shkëputjen e Britanisë nga BE-ja për 20 vitet e fundit tha se kjo ishte dita e pavarësisë, një fitore për njerëzit e thjeshtë. Ish ministri laburist i Europes Keith Vaz tha se populli kishte votuar me emocione duke refuzuar këshillën e ekspertëve që paralajmëruan mbi impaktin ekonomik të largimit nga BE. Sipas tij, Bashkimi Europian duhet të organizojë një samit të jashtëzakonshëm për të menaxhuar atë që do të vijë pas votimit, të cilin e përshkroi si katastrofik për vendin, për Europën e pjesën tjetër të botës. Britania e Madhe do të jetë vendi i parë që do të shkëputet nga unioni që prej krijimit të tij, por votimi pro largimit nuk nënkupton një shkëputje të menjëhershme të Britanisë nga blloku i 28-tëve. Procesi do të kërkojë minimalisht 2 vjet, me aktivistët pro largimit që sugjeruan gjatë fushatës se ai nuk duhet të përfundojë deri në 2020-ën, kur pritet të mbahen zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme. Qeveria duhet të negociojë edhe marrëdhënien e saj tregtare me BE-në në të ardhmen dhe të përcaktojë marrëveshjet tregtare me vendet që nuk janë pjesë e BE-së. Vlen të theksohet se, Gjermania përjashton kategorikisht mundësinë e negociatave jozyrtare me Britaninë përpara fillimit të procesit të shkëputjes. Londrës do t’i lihet mjaftueshëm kohë në dispozicion, por nuk duhet të ketë bllokime, tha zëdhënësi i qeverisë gjermane, Steffen Seibert. Kampi kunder qëndrimit në BE tani thotë se nuk ka asnjë nxitim për shkëputjen nga blloku europian, ndërsa Franca dhe Gjermania këmbëngulin për një marrëveshje të plotë mbi “Brexit”-in, çfarë nënkupton sipas ministrit francez të Financave, Michel Sapin, se Londra “duhet të ikë sa më parë”.

Tronditja e tregjeve dhe zhvlerësimi i paundit në orët që pasuan votën pro largimit nga BE janë vetëm fillimi i një periudhe pasigurie, që sipas agjencive të vlerësimit të kreditimit, do të zgjasë disa vite për Britaninë e Madhe. E në këtë prizëm, agjencia e vlerësimit të kreditimit, Moody’s ka zhvlerësuar nga “stabël” në “negativ” parashikimet për Britaninë e Madhe. “Rezultati i referendumit do të ketë ndikim negativ në periudhën afatmesme për rritjen ekonomike të vendit dhe do të ulë parashikimet për periudhën afatgjatë”, thotë agjencia. Sipas agjencisë, kostoja e efekteve negative nga reduktimi i rritjes ekonomike do të zhvlerësojnë me disa herë kursimet që Britania e Madhe do të përfitojë nga mungesa e derdhjes së kontributeve vjetore në BE. “Një vlerësim më i ulët do të përkthehet në kosto më të lartë për huatë, që do të rëndojnë buxhetin e qeverisë dhe të biznesit të madh në një periudhë afatgjate”, thotë Moody’s. Edhe çmimi i naftës ka rënë me 2% si pasojë pasigurisë së tregut dhe votimit të Britanisë për të dalë nga BE. Ndërsa çmimi i naftës bruto ka pësuar një ulje drastike me 7% prej referendumit të ditës së enjte. Ditën e hënë çmimi i një fuçie me naftë bruto ra me 1 dollar nga 47 dollarë në 46 dollarë. Analistët tani i druhen se çdo të ndodhë me asete të tjera të çmuara, si ari, apo bonot e thesarit.

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin reagoi në lidhje me vendimin e britanikëve për daljen nga Bashkimi Evropian, duke theksuar se kjo do të ketë pasoja për botën dhe për Rusinë. Ai deklaroi se vendimi i qytetarëve britanik është i kuptueshëm, pasi “askush nuk dëshiron të ushqejë ekonomitë e dobëta”, duke shtuar se Rusia nuk e kishte ndërmend të ndërhynte në çështjet e referendumit. “Unë mendoj se është e kuptueshme pse ka ndodhur kjo: së pari, askush nuk dëshiron për të ushqyer dhe për të subvencionuar ekonomitë më të varfra, për të mbështetur shtetet e tjera, për të mbështetur kombe të tëra”, tha presidenti rus në samitin e Organizatës për Bashkëpunim Shanghai në Tashkent. “Me sa duket populli britanik nuk është i kënaqur me mënyrën se si problemet janë zgjidhur në sferën e sigurisë. Këto probleme janë bërë më akute kohët e fundit për shkak të emigracionit”, tha Putin, duke sugjeruar se kjo ishte arsyeja e dytë pse populli britanik kishte dhënë votën pro daljes nga Unioni. Komentet e presidentit rus vijnë në përgjigje të deklaratave të kryeministrit britanik, David Cameron, se “Putin do të jetë i lumtur nëse Britania e Madhe largohet nga BE-ja”. Shumë rusëve dalja nga BE i Britanisë së Madhe u kujton shpërbërjen e BS. Vërtet që vendimi për Brexit është një moment vendimtar në histori.

Javën e kaluar, ligjvënësit suedezë kanë miratuar me shumicë dërmuese ligjin për të forcuar rregullat për azil dhe për bashkim familjar. Masat vijnë pasi vendi skandinav vitin e kaluar kishte një rekord kërkesash për azil që shkonin deri në 160 mijë. Të gjithë parlamentarët ditën e martë votuan me 240 vota pro miratimin e lejeve të përkohshme të qëndrimit për disa azilkërkues, të cilëve më parë në mënyrë automatike iu është dhënë leja e qëndrimit të përhershëm. Sipas legjislacionit të ri ka edhe kufizime të ashpra për bashkimin familjar. Masat e përkohshme të qeverisë suedeze do të hyjnë në fuqi më 20 korrik dhe do të zbatohet për emigrantët që kanë aplikuar për azil, pas 24 nëntor 2015. Qindra njerëz u mblodhën jashtë parlamentit për të protestuar këtë veprim, duke deklaruar që ajo është çnjerëzore. Vendi nordike i udhëhequr nga Social Demokratët ka qenë i njohur për qëndrimin mikpritëse ndaj emigrantëve dhe azilkërkuesve. Sipas OKB nga fillimi i vitit 2016 e deri tani 206 mijë e 400 emigrantë kanë arritur në Evropë. Evropa po përballet me krizën më të madhe të emigracionit që nga përfundimi i luftës së dytë botërore. Numri i emigrantëve që kanë humbur jetën në rrugën për në Evropë është shtuar shumë gjatë vitit 2016 duke kapur shifrën e 2814 personave. Në vitin 2015 kanë humbur jetën 3771 persona ndërsa në vitin 2014 ky numër arrin në 3500 persona. Numri total i emigrantëve që kanë humbur jetën në 2 vite e gjysmë ka qenë 10085 emigrantë. Sipas organizatës për kontrollin dhe monitorimin e kufijve të Evropës, Frontex, në muajt e ardhshëm për çdo javë nga Libia në drejtim të Evropës do të nisen 10 mijë emigrantë. Në muajt e ardhshëm të këtij viti, Evropa pritet të përballet me futjen e të paktën 300 mijë emigrantëve. Ndërkohë organizata bamirëse “Mjekët pa kufij” njoftoi se nuk do të pranojë më fonde nga Bashkimi Evropian, në shenjë proteste ndaj politikave të tij të emigracionit.

Deputetët kroatë kanë votuar javën e kaluar për shpërbërjen e parlamentit, duke e krijuar kështu mundësinë për zgjedhje të parakohshme, pas rënies së qeverisë në mocionin e votëbesimit, votim ky që u mbajt javën e kaluar. Kryeministri kroat Tihomir Oreskoviq, dhe qeveria e tij ranë me 16 qershor pas një krize politike që i kishte penguar reformat ekonomike në këtë vend anëtar të Bashkimit Evropian. Shpërbërja e parlamentit hynë në fuqi më 15 korrik. Zgjedhjet e parakohshme mund të mbahen në fillim të muajit shtator. Presidentja kroate pritet që edhe zyrtarisht të vendos datën e zgjedhjeve pas pushimeve verore. Vlen të theksohet se konflikti midis Bozhe Petrov dhe Tomislav Karamarko ishte paralajmërim serioz për shpërbërjen e qeverisë kroate. Gjatë javës së kaluar, Kroacia dhe Serbia hodhën një hap të rëndësishëm për të rivendosur stabilitetin mes tyre. Kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, si dhe Presidentja e Kroacisë, Kolinda Grabar-Kitaroviç, kanë nënshkruar një deklaratë prej 6 pikash kyçe, të cilat pritet të sjellin përmirësimin e marrëdhënieve mes dy vendeve. E ndërsa janë ende shumë çështje të pazgjidhura që rëndojnë prej shumë vitesh ndërmjet Beogradit dhe Zagrebit, në pikën e parë të këtij dokumenti i vihet theksi përshpejtimit të proceseve për mbrojtjen e minoriteteve, si atë serb në Kroaci edhe atë kroat në Serbi. Në pikën e dytë kërkohet që komisionet shtetërore të nisin negociatat për përcaktimin e vijës kufitare. Më tej, deklarata vijon me faktin që Serbia dhe Kroacia duhet të përshpejtojnë zbatimin e marrëveshjes së nënshkruar më 29 qershor të vitit 2001, në Vjenë.