Fillon punimet samiti i NATO-s në Poloni
Takimi dyditor i krerëve të vendeve anëtarëve të NATO-s sot (8 korrik) ka filluar punimet në Varshavë, kryeqytet i Polonisë. Në këtë samit tema kryesore do të jenë Rusia dhe lufta kundër terrorizmit.
Në Samitin e Varshavës, NATO-ja duket se do të ndjekë një strategji të dyfshtë: demonstrimin e forcës përmes trupave shtesë në lindje dhe njëkohësisht rifillimin e dialogut me Moskën. Polonia, mikpritësja e takimit të Aleancës, është një prej shteteve që këmbëngulën në një prani sa më të madhe trupash për shkak të kërcënimeve që vijnë nga Rusia fqinje. Të njëjtin pretendim nxorën edhe vendet baltike. Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg i ka garantuar mbështetje aleatëve lindore, por njëkohësisht tregohet i kujdesshëm duke i mëshuar idesë së dialogut. “Ne nuk duam një luftë të re të ftohtë. Lufta e ftohtë i përket së shkuarës dhe aty duhet të mbesë. Ne do të vazhdojmë të kërkojmë një dialog konstruktiv e kuptimplotë me Moskën për t’i bërë qëllimet tona të qarta, për të davaritur çdo keqkuptim e për të reduktuar rrezikun që incidentet ushtarake të dalin jashtë kontrollit. Rusia është fqinji ynë më i madh dhe një pjesë përbërëse e sigurisë së Europës. Për këtë arsye, mbështetja e dialogut është thelbësore”, ka deklaruar Stoltenberg. Ekspertët mendojnë se prania më e madhe e trupave në Poloni dhe vendet baltike është një masë psikologjike për t’i qetësuar banorët e tyre. Udhëheqësit e qeverive dhe të shteteve do të japin në Poloni përfundimisht dritën e gjelbër për vendosjen e nga 1.000 ushtarëve shtesë të NATO-s në Estoni, Letoni, Lituani dhe Poloni. Përveç kësaj do të përforcohet edhe një brigadë shumëkombëshe në Rumani. Që nga samiti i fundit në Njuport, NATO-ja ka krijuar tashmë gjashtë depo me pajisje dhe armatime në shtetet lindore anëtare të saj, të destinuara për furnizimin e forcës së reagimit të shpejtë, e cila përbëhet prej 40.000 vetësh mund të dislokohet brenda pak javësh në qoftë se Rusia përgatit ndonjë sulm. Vetëm një ditë përpara Samitit të NATO-s në Varshavë, kancelarja gjermane Angela Merkel ka deklaruar se veprimet ushtarake të Rusisë kanë bërë që Aleanca e Atlantikut të Veriut të humbasë besueshmërinë. Merkel theksoi se vendet e Europës lindore ndihen të pasigurta pasi vlefshmëria e ligjeve ndërkombëtare u vu në pikëpytje me aneksimin e Krimesë. Kancarlarja bëri thirrje që NATO të rifitojë besimin e humbur, por nënvizoi se paqja dhe stabiliteti në kontinent mund të arrihet vetem me Rusinë dhe jo kundër saj. “Veprimet e Rusisë në Ukrainë kanë përcjellë pasiguri në rradhët e fqinjëve tanë lindorë. Nëse vlefshmëria e ligjeve dhe shenjtëria e kufijve vendoset në pikëpyetje nga fjalët dhe veprimet, atëherë NATO e ka humbur besueshmërinë. Aleanca ka nevojë që të rifitojë besimin, por më duhet të them se stabiliteti në kontinent mund të vendoset vetëm me Rusinë dhe jo duke qënë kundër saj.” Ndërsa, Presidenti i Francës, Francois Hollande, tha se Rusia nuk duhet të konsiderohet si kërcënim, por si partnere. “NATO nuk është në pozicion të thotë se cilat duhet të jenë marrëdhëniet e Evropës me Rusinë. Për Francën, Rusia nuk është armike, nuk është kërcënim”, tha Hollande. “Rusia është partnere, por e cila, nganjëherë, siç e kemi parë edhe në Ukrainë, përdor forcë. Ne e kemi dënuar kur ka aneksuar Krimenë”, shtoi Hollande. Ai i bëri këto komente në Varshavë, gjatë samitit të NATO-s. Marrëdhëniet midis NATO-s dhe Rusisë janë në nivelin më të ulët që nga Lufta e Ftohtë, për shkak të aneksimit të Krimesë nga Moska në vitin 2014 dhe rolit të Moskës në konfliktin ushtarak në lindje të Ukrainës. Por, Franca, së bashku me disa shtete anëtare të NATO-s, i ka bërë presion aleancës që t’i mbajë hapur linjat e komunikimit me Moskën.