Shqetësimi i Shtëpisë së Bardhë nga Brexit
(last modified Tue, 26 Jul 2016 15:56:43 GMT )
Korrik 26, 2016 17:56 Europe/Tirane
  • Shqetësimi i Shtëpisë së Bardhë nga Brexit

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka shprehur shqetësimet e tij në lidhje me daljen e Britanisë nga BE dhe ka thënë kjo çështje nuk duhet të injorohet.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Barak Obama tha se ky shqetësim është serioz dhe afatgjatë, teksa u bëri thirrje liderëve evropianë të sigurojnë një proces të rregullt për daljen e Britanisë. I pranishëm në Samitin e vendeve të Amerikës së Veriut, Presidenti meksikan Enrique Pena Nieto ka shpjeguar edhe krahasimin që i ka bërë Donald Trump me Hitlerin dhe Musolinin. Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Barak Obama ka deklaruar se vota pro largimit nga Bashkimi Evropian e britanikëve ngre shqetësime afatgjata për rritjen globale. Obama tha se Brexit mund të ngrijë mundësitë e investimeve në Britaninë e Madhe dhe në të gjithë Evropën. Gjatë fjalës së mbajtur në një Samit të Amerikës së Veriut, ku të pranishëm ishin edhe udhëheqësit e Kanadasë dhe Meksikës, Presidenti amerikan i bëri thirrje kryeministrit të Mbretërisë së Bashkuar dhe liderëve të tjerë evropianë të sigurojnë një proces të rregullt për dalje të Britanisë. Obama ka thënë: “Unë mendoj se ka shqetësime serioze për rritjen globale në planin afatgjatë pasi Brexit të finalizohet dhe kjo sjell ngrirjen e mundësive të investimeve në Britani dhe Evropë. Në këto momente ritmi i rritjes ekonomike globale është i dobët dhe situata e krijuar në Evropë nuk ndihmon aspak”. Obama tha se ka folur me kancelaren gjermane Angela Merkel dhe që interesi i saj është përfundimi me sukses i procesit të shkëputjes së Britanisë, por jo ndëshkimi i saj. Udhëheqësit e BE-së më herët paralajmëruan se Britania e Madhe duhet të respektojë parimin e lëvizjes së lirë të njerëzve, nëse dëshiron të qëndrojë në tregun e përbashkët evropian. Edhe Kryetarja e FMN ka kërkuar zbatimin e menjëhershëm të vendimit të popullit anglez për Brexit të Anglisë nga BE. Kristine Lagard, ka kërkuar përcaktimin sa më të shpejtë një grafiku kohor për daljen e Anglisë nga BE me qëllim uljen e pasojave ekonomike në tregun botëror. Paundi ka rënë me 14% kundrejt dollarit amerikan dhe me 11% ndaj euros, që nga momenti kur Mbretëria e Bashkuar votoi për të lënë Bashkimin Europian. Një paund këmbëhej me 1.50 dollarë më 23 qershor, ditën e referendumit, ndërsa tani këmbehet me më pak se 1.29 dollarë, një nivel rekord në 31 vitet e fundit. Kjo situatë paraqitet e trazuar për tregjet financiare globale. Nga ana tjetër Theresa May dhe Andrea Leadsom do të duelojnë së bashku për t’u bërë kryetarja e ardhshme e Partisë Konservatore, pasi rivali i tyre Michael Gove është eliminuar nga gara.