Qeveria majtiste greke përballë presionit të popullit dhe të BE
Greqia është paralizuar nga grevat dhe protestat popullore.
Mijëra protestues kanë dalë në sheshet kryesore në Athinë dhe Selanik për të protestuar kundër reformave të qeverisë për pensionet. Protesta ka degjeneruar deri në përplasje me uniformat e policisë, duke u hedhur bomba zjarri dhe gurë. Përleshjet erdhën pasi Sindikatat greke kanë organizuar një grevë mbarëkombëtare të përgjithshme. Fluturimet janë anuluar, tragetet dhe transporti publik nuk funksionin, shkollat, gjykata dhe farmacitë janë mbyllur. Mediat raportojnë se nga përleshjet me policinë një person u dërgua në spital me plagë në kokë. Për herë të dytë brenda 4 ditëve të fundit, mbi 150 traktorë kanë hyrë në qendër të Selanikut, duke bllokuar për orë të tëra disa prej rrugëve kryesore të qytetit dhe duke shkaktuar një kaos të vërtetë në qarkullimin e automjeteve. Kjo është forma e re që kanë gjetur fermerët e 4 pikave nevralgjike përreth qytetit verior, në ditën e 22-të të protestës së tyre, me anë të së cilës kundërshtojnë reformën e re të pensioneve dhe të sistemit të taksave, e cila siç shprehen ata, gjunjëzon të gjithë të punësuarit në sektorin e bujqësisë. Gjatë ditës së sotme, për shumë orë është mbyllur autostrada kryesore që lidh Athinën me Selanikun në vendin e luginës së Tebit, ndërsa i bllokuar nga 800 traktorë vazhdon të jetë edhe kryqëzimi i Malgares, 22 km në Perëndim të Selanikut, një nyje nevralgjike nga e cila kalojnë gjithë automjetet me destinacion Shqipërinë dhe Greqinë kontinentale, drejt Jugut e ishujve dhe anasjelltas. Përshkallëzimi i protestës së fermerëve do të kulmojë mesditën e së shtunës. Sipas ultimatumit, që përfaqësuesit e tyre i kanë dërguar kryeministrit grek, Alexis Tsipras, do të bllokohen për 24 orë në fundjavë të 62 pikat, ku ata kanë nxjerrë mbi 10 mijë traktorët e tyre, nëse qeveria nuk merr mbrapsht projektligjin e reformave në fjalë. Midis pikave që do të bllokohen përfshihen edhe Dogana e Kapshticës, hyrjet në aeroportet e Athinës dhe Selanikut, si dhe hyrjet në të gjitha portet e vendit, përfshi edhe aeroportet e portet e ishujve grekë. Por presion të madh ndaj qeverisë majtiste të kryeministrit Tsipras po ushtron edhe BE, i cili e akuzon Athinën se nuk ka marrë masat e duhura për mbrojtjen e kufijve të saj dhe për ndaljen e valës së refugjatëve. BE e ka kritikuar Greqinë për neglizhimin e detyrimeve të saj në kontrollin dhe pajisjen me dokumenta të refugjatëve, ndërsa disa anëtarë të Unionit kanë kërkuar për këtë arsye edhe pezullimin e saj të përkohshëm nga zona e Schengenit. Ministri grek i Mbrojtjes, Panos Kamenos ka deklaruar se Athina zotohet për të përshpejtuar regjistrimin dhe identifikimin e refugjatëve duke përfunduar krijimin e pesë pikave të hyrjes së tyre në ishujt grekë pranë bregdetit turk, si dhe të dy kampeve të pritjes për disa mijëra emigrantë në Greqinë kontinentale. “Disa prej europianëve mund të dëshirojnë që ta shndërrojnë Greqinë në një kamp përqendrimi, apo në një depo për njerëzit. E pra, ne nuk do ta lejojmë një gjë të tillë”, ka thënë Kamenos. “Nuk luftova që të shmang largimin e Greqisë nga eurozona, që të lejoj daljen e saj nga Schengen”, ka deklaruar nga ana tjetër presidenti i Komisionit Europian, Jean Claude Juncker, i cili ka theksuar se Brukseli kërkon ta ndihmojë Athinen që të përmbushë angazhimet që i takojnë, si pjesëtare e zonës Schengen. Ndërkohë, megjithë detin e trazuar dhe motin e ftohtë, vetëm brenda janarit të këtij viti mbi 62.000 refugjate nga zonat e luftës si Siria, Iraku dhe Afganistani kanë mbërritur në ishujt grekë nga brigjet turke.