Erdogan vazhdon të forcojë popullaritetin e tij
Sipas një sondazhi të bërë kohët e fundit, shihet se popullariteti i presidenti turk Rexhep Taip Erdogan është rritur me mbi 20 % menjëherë pas dështimit të grusht shtetit, rekord të cilin Erdogan e mbante vetëm para dy viteve kur mori detyrën e presidentit. Sipas sondazhit të kryer nga Qendra studimore MetroPOLL me bazë në Ankara, në bazë të përgjigjeve të 1275 të anketuarve,
67.6 % kanë thënë se mbështesin presidentin e Turqisë njëherit edhe themeluesin e partisë AKP Rexhep Taip Erdogan. Ky rezultat i ofrohet atij të vitit 2012 ku Erdogan mbështetej nga 71.1 % e të anketuarve kur ishte duke shërbyer si kryeministër. Zv/kryeministri i Turqisë Mehmet Simsek ka thënë në llogarinë e tij në tuiter se kjo rritje e popullaritetit të Erdogan është si rezultat i mbështetjes së fuqishme publik të tij pas grushtit të shtetit. Presidenti i Republikës së Turqisë Rexhep Taip Erdogan ka kërkuar nga Uashingtoni që të zgjedh mes Turqisë dhe Fethullah Gulenit. “Shtetet e Bashkuara duhet të zgjedhin, Turqinë ose Gulenin”, ka deklaruar Erdogan duke i dhënë administratës amerikane ultimatumin për ekstradimin e Fethullah Gulen, i cili akuzohet për organizim të grushtit të dështuar të shtetit. “Herët a vonë Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të duhet të bëjnë një zgjedhje, ose Gulen, ose neve”, ka thënë Erdogan përpara mijëra mbështetësve në një tubim në Ankara. Apelet e Turqisë drejtuar Amerikës kanë qenë të shumta pas dështimit të grushtit të shtetit në Turqi. Vlen të theksohet se nga grusht shteti i dështuar në Turqi, rreth 300 persona kanë humbur jetën dhe mijëra të tjerë janë lënduar si dhe janë arrestuar mijëra ushtarakë të Turqisë dhe shumë punëtorë që dyshoheshin për lidhje me lëvizjen e Fethullah Gulen, janë përjashtuar nga puna. Ndërkaq, Komisari i lartë për të drejtat e njeriut pranë OKB ka kritikuar hakmarrjen që Turqia po bën ndaj puçistëve. Zeid Rad Husein, komisari i lartë për të drejtat e njeriut pranë OKB kritikoi Turqinë për shkak se po hakmerret me pretekstin e grushtit të shtetit. Husein tha se ai ka marrë raporte mbi keqtrajtimin e personave të arrestuar dhe torturimin e tyre. Kjo është në kohën kur një oficer i lartë ushtarak turk, i cili ndodhej në detyrë në një bazë amerikane të NATO-s, ka kërkuar azil në Shtetet e Bashkuara pasi është thirrur nga qeveria turke në vazhdën e spastrimeve pas grushtit të dështuar të shtetit të muajit të kaluar. Lajmi është konfirmuar nga zyrtarë amerikanë për agjencinë “Reuters”. Kërkesa për azil shënon rastin e parë të njohur që përfshin një oficer ushtarak turk në Shtetet e Bashkuara, pasi Turqia ka nisur një fushatë të gjerë spastrimi në radhët e ushtrisë, pasi disa ushtarë të pabindur morën nën kontroll avionë luftarakë, helikopterë dhe tanke, në atë që rezultoi një përpjekje e pasuksesshme për të rrëzuar presidentin Tajip Erdogan.