Edi Rama i ofron stadiumin e Shkodrës përfaqësueses së Kosovës
https://parstoday.ir/sq/news/uncategorised-i26344-edi_rama_i_ofron_stadiumin_e_shkodrës_përfaqësueses_së_kosovës
Një shtëpi evropiane pas pjesëmarrjes historike të Shqipërisë në Kampionatin Europian e cilësoi kryeministri Edi Rama impiantin modern “Loro Boriçi”.
(last modified 2026-03-28T19:16:51+00:00 )
Shtator 01, 2016 01:19 Europe/Tirane
  • Edi Rama i ofron stadiumin e Shkodrës përfaqësueses së Kosovës

Një shtëpi evropiane pas pjesëmarrjes historike të Shqipërisë në Kampionatin Europian e cilësoi kryeministri Edi Rama impiantin modern “Loro Boriçi”.

Teksa ishte i pranishëm në inaugurimin e stadiumit në Shkodër, në miqësoren përballë Marokut, për emisionin “Kuq e Zi”, kreu i qeverisë vlerësoi investimin e radhës të rëndësishëm në futboll. “Është vërtet një moment shumë i bukur, pasi është kurorëzuar një punë jo e lehtë. U hapën dyert e një stadiumi europian, në një qytet që futbollin e ka pjesë të të jetuarit. Shkodra e ka merituar prej kohësh një shtëpi të tillë”, tha Rama. Përveçse shtëpia e Kombëtares shqiptare, “Loro Boriçi” mund të jetë edhe stadiumi komform të gjithë parametrave, ku ndeshjet e saj mund t’i luajë edhe përfaqësuesja e Kosovës. Kryeministri Rama e la të hapur derën, ndërsa foli edhe për Arenën e Kombëtares, impiantin që ka nisur nga puna në kryeqytet, i cili do të jetë më moderni dhe më i madhi në vend. “Stadiumin në Shkodër është një shtëpi e re për Kombëtaren, por edhe për Kosovën. Dhe nëse Loro Boriçi është spektakolar, arena në Tiranë do të jetë super-spektakolare”, shtoi Rama. Me kreun e qeverisë që në vitet e fundit i ka qëndruar pranë futbollit, nuk mund të mungonte edhe një batutë krahasuese me basketbollin, sportin e tij të preferuar.