Europa në javën që kaloi...72
Me përshëndetje për ju të nderuar dëgjues, po fillojmë emisionin tonë të përjavshëm kushtuar ngjarjeve më të rëndësishme në Europë gjatë javës që kaloi.
Spikeri
Javën e kaluar, demonstruesit kundër “Brexit”-it dolën sërish në rrugët e Londrës, për të shprehur kundërshtinë e tyre ndaj rezultatit të referendumit të qershorit për shkëputje nga Bashkimi Europian. Tubuesit, një pjesë e të cilëve mbanin në duar flamuj të BE-së, ndërsa të tjerë kishin lyer fytyrën me ngjyrat e flamurit të bllokut, marshuan nga parku “Hyde” deri përpara ndërtesës së Parlamentit. Qeveria britanike e ka bërë të qartë se nuk ka ndërmend të mbajë një referendum të dytë dhe se do të respektojë vullnetin e zgjedhësve, por kryeministrja Theresa May nuk do të nxitohet megjithatë të kërkojë aktivizimin e “artikullit 50” përpara vitit të ardhshëm. Britania duhet të përgatitet për kohë të vështira përpara, pasi të largohet nga Bashkimi Europian. Ky ishte paralajmërimi i bërë nga vet kryeministrja britanike, Theresa May. Ajo shtoi se bisedimet formale me BE-në nuk do të nisin përpara vitit 2017, por premtoi gjithashtu se procesi nuk do të zvarritej së tepërmi. Kryeministrja britanike përjashtoi gjithashtu mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme, duke thënë se Britania ka nevojë për “qëndrueshmëri”. Ajo këmbënguli se dalja e Britanisë nga BE-ja do të jetë e suksesshme dhe se ndihet optimiste gjithashtu edhe për mundësitë e reja që do të krijohen për vendin e saj jashtë BE-së. Kryeministrja tha se dëshironte “një Britani të pavarur, e cila do të kishte rrugën e saj në mes të kësaj bote”. Sodoqoftë, kryeministrja e Britanisë Theresa May tha se Brexit-i do ta dëmtojë rëndë ekonominë britanike. Theresa May, theksoi se ajo dhe qeveria e saj do të vazhdojë të monitorojnë të dhënat ekonomike në muajt e ardhshëm para se të vendosë një përgjigje fiskale për të mbrojtur ekonominë e vendit. May shprehu shqetësimin se vota për t'u larguar nga BE-ja ndoshta do të ndikojë negativisht në ekonominë e vendit. "Ne kemi parë të jepen disa mesazhe të ndryshme në lidhje me ekonominë në këtë moment. Mendoj se reagimi i ekonomisë ka qenë më i mirë nga sa kishin parashikuar disa pas referendumit, por unë nuk mund të pretendoj se kjo është një gjë krejtësisht e qartë," tha May. "Do të kemi kohë të vështira përpara," shtoi ajo. Komentet e saj erdhën pas demonstratës masive kundër votimit për Brexit, në të cilën morën pjesë mijëra vetë.
Spikeri
Ka shkaktuar polemika të forta e një indinjatë të thellë politike e mediatike në Itali, karikatura e titulluar “Tërmet alla italiana” publikuar në numrin e fundit të revistës së përjavshme satirike franceze “Charlie Hebdo” mbi tërmetin e 24 gushtit që goditi territorin e Italisë Qëndrore. Ka reaguar mbi këtë fakt numrin 2 i Republikës italiane, Kryetari i Dhomës së Senatit të Parlamentit italian, Pietro Grasso. “Respektoj lirinë e satirës dhe ironinë, por gjithashtu jam i lirë të them se kjo karikaturë ta shpif” është shprehuar kreu i senatit italian. Gjithashtu ka reaguar dhe Nicola Zingaretti, Governatori i rajonit të Lacios, në territorin e së cilës gjënden dy nga komunat më të goditura nga tërmeti Amatrice e Accumoli. “Ju jeni të lirë të bëni karikaturat që doni, ka deklaruar ai, ndërsa unë jam i lirë t’ju them se duhet t’ju vij turp.!” “Si mund të bësh karikatura mbi të vdekurit, është shprehur mbi këtë fakt Kryetari i Bashkisë së Amatrices Sergio Pirozzi. Mbi fatkeqësitë e viktimat nuk mund të bësh satirë. Jam i sigurt se kjo karikaturë pa shije dhe e tyrpshme nuk i përgjigjet ndjenjës së popullit francez.” E mbi gjithçka kanë shkaktuar karikaturat e Chalied Hebdo është prononcuar zyrtarisht dhe Ambasada franceze në Romë e cila me një notë zyrtare është distancuar nga kjo revistë duke deklaruar se “opinionet e shprehura nga gazetarët janë të lira. Karikaturat e publikuara nga Charlie Hebdo nuk prezantojnë absolutisht pozicionin e Francës. Tërmeti që goditi më 24 gusht Italinë është një tragjedi e madhe. Francia shpreh ngushëllimet e saj popullit italian e Ambasada franceze vihet në dispozicion për të ndihmuar autoritetet italiane. Asnjë falje publike nuk ka ardhur nga ana e revistës satirike franceze, përkundrazi Charlie Hebdo ka replikuar ndaj polemikave të shkaktuara me një tjetër karikaturë publikuar në faqen e saj zyrtare facebook. Titulli i karikturës së re është “Shtëpiat e juaja nuk i ndërtoi Charlie Hebdo, por Mafia”. Karikatura që po qarkullon nëpër rrjetet sociale ka tërhequr kritika të ashpra anembanë botës dhe në Itali është bërë edhe pjesë e gazetave kombëtare “La Stampa” dhe “Corriere della Serra”. Kjo nuk është hera e parë që “Charlie Hebdo” është bërë objektiv kritikash nëpër rrjetet sociale për karikaturat e saj thumbuese.
Spikeri
Javën e kaluar, ngërci politik në Spanjë u forcua edhe më shumë. Socialistët spanjollë do të votojnë kundër qeverisë së kryeministrit Mariano Rajoy, deklaroi në Parlament kreu i partisë Pedro Sanchez, duke lënë kështu të kuptohet se shumë shpejt mund të nisë numërimi së prapthi për zgjedhjet e treta të përgjithshme në vend. Spanja është pa një qeveri funksionale në krye që prej zgjedhjeve të qershorit, e më parë atyre të muajit dhjetor. Partitë vendase gjenden nën një presion të jashtëzakonshëm për t’i dhënë fund ngërçit politik, që ka bllokuar investimet dhe rimëkëmbjen e ekonomisë. Por Sanchez dhe socialistët e tij në opozitë kanë krijuar sërish pështjellim, me refuzimin e mbështetjes së Rajoyt, të cilit i nevojitet përkrahja e kësaj partie për krijimin e një koalicioni qeverisës. “Partia Socialiste do të votojë kundër kandidaturës së Rajoyt si kryeministër dhe do ta bëjmë këtë me bindje të plotë, në respektim të linjës së ideologjisë sonë politike, angazhimit tonë ndaj votuesve, si dhe në të mirë të Spanjës”, tha Pedro Sanchez, udhëheqës i Partisë Socialiste në Spanjë. Partisë Popullore të kryeministrit i mungojnë 6 vende për të arritur shumicën absolute në Parlament, të cilat nuk i arrin as me mbështetjen e partisë liberale “Ciudadanos”. Rajoy thotë se dëshiron krijimin e një qeverie me bazë të gjerë, e cila të jetë e aftë të mbrojë rritjen e ekonomisë, që tani shënon ritme rritjeje nga më të lartat në Eurozonë. Tatimpaguesit apanjollë kanë frikë sidomos prej kostove të një raundi të ri votimesh. Për dy zgjedhjet e fundit qeveria spanjolle ka shpenzuar 130 milionë euro për secilën. Një herë të tretë spanjollët nuk duan ta paguajnë një faturë të tillë.
Spikeri
Javën e kaluar, Bashkimi Evropian ka kërkuar uljen e tensioneve në marrëdhëniet mes Rusisë dhe Ukrainës. Federika Mogherini, shefe e diplomacisë evropiane pasi shprehu mbështetjen e Brukselit për Ukrainën, kërkoi nga Kievi dhe Moska të marrin masat për uljen e tensioneve dhe për qetësimin e situatës. Rusia mund t’i ndërpresë marrëdhëniet diplomatike me Ukrainën, për shkak të pretendimeve ruse se Kievi po bën përpjekje për sabotazh në raport me Krimenë. Këto komente i ka bërë kryeministri rus, Dimitri Medvedev. Edhe Ministri i jashtëm i Gjermanisë shprehu shqetësimin e radhës nga përkeqësimi i marrëdhënieve mes Rusisë dhe Ukrainës. Frank Valter Steinmeier, ministër i jashtëm i Gjermanisë, nga qeveritë e Moskës dhe Kievit kërkoi të bëjnë të gjitha përpjekjet për të parandaluar një tjetër krizë mes tyre. Tensionet ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës janë përshkallëzuar, pasi presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, e akuzoi Ukrainën për plane për sabotazh në gadishullin Krime, të cilin Rusia e ka aneksuar nga Ukraina në vitin 2014. Ministria e jashtme e Rusisë e ka paralajmëruar Ukrainën në lidhje me tensionet e fundit. Ministria e jashtme e Rusisë përmes një deklarate për opinion, ka njoftuar se me përpjekjet e Organizatës për sigurinë federale të Rusisë, janë parandaluar disa sulme terroriste të forcave ukrainase, që kishin si synim të qëllonin qendrat kryesore të gadishullit të Krimesë. Ministria e jashtme e Rusisë në vazhdim ka thënë se zyrtarët ukrainas përmes deklaratave të tyre, e përkeqësojnë edhe më shumë gjendjen momentale dhe i ka bërë thirrje që të ndalojnë dhënien e deklaratave që nxisin konfliktin.
Spikeri
Javën e kaluar, Shefja e politikes se jashtme te BE, znj. Federika Mogherini deklaroi se krijimi i nje shtabi te pergjithshem eshte prioritet i strategjise mbrojtese te BE. Kjo ide është hedhur shumë kohë më parë nga Gjermania dhe Franca. Sipas këtyre dy vendeve, krijimi i një ushtrie europiane është dicka e paevitueshme. Nga ana e tij, Presidenti i Komisionit Europian, Zhan Klod Junker ka deklaruar se do të procedojë me ndërtimin e një ushtrie europiane për t’i treguar Rusisë se Europa e ka “seriozisht mbrojtjen e vlerave të saj” dhe se është “e besueshme në reagimin ndaj kërcënimeve ndaj paqes në një shtet anëtar apo në ndonjë shtet fqinjë”. Një përgjigje e favorshme, edhe pse me më pak pasion, për propozimin e Junkerit, mbërriti nga qeveria e Berlinit, në emër të së cilës, ministrja e Mbrojtjes, Ursula von der Leyen tha se “ushtria europiane i takon së ardhmes”. Kështu që në përgjithësi, propozimi i Junkerit ra, duke përfshirë edhe Italinë. Për krijimin e një ushtrie të përbashkët europiane, neutraliteti i përmendur i Austrisë, Finlandës, Irlandës dhe Suedisë, arsenalet bërthamore të Mbretërisë së Bashkuar dhe të Francës, marrëdhëniet me NATO-n dhe me Shtetet e Bashkuara, do të jenë disa mes nyjave të shumta që duhen zgjidhur.