Greva masive në tërë Greqinë
https://parstoday.ir/sq/news/uncategorised-i283-greva_masive_në_tërë_greqinë
Protestuesit grekë kanë filluar sot grevat masive kundër politikave jo të favorshme ekonomike të qeverisë së këtij vendi.
(last modified 2026-03-28T19:16:51+00:00 )
Janar 20, 2016 17:16 Europe/Tirane
  • Greva masive në tërë Greqinë

Protestuesit grekë kanë filluar sot grevat masive kundër politikave jo të favorshme ekonomike të qeverisë së këtij vendi.

Sindikata e sektorit detar të Greqisë (NP) përmes publikimit të një deklarate ka njoftuar se të gjithë punonjësit e kompanive detare publike dhe private nga dita e mërkurë kanë hyrë në grevë 48 orëshe për të kundërshtuar politikat e pafavorshme ekonomike të cilat ndiqen nga qeveria e Greqisë, sidomos sa i përket planit të ri të sigurimeve sociale. Ndërkaq dje, mijëra pensionistë grekë kanë mbushur rrugët e Athinës, duke ngritur zërin kundër planeve të qeverisë për reformën e pensioneve, të cilat në pesë vitet e fundit janë reduktuar 11 herë. Është protesta e tretë brenda pesë ditëve të fundit kundër një projektligji të diskutuar për reformën e pensioneve, që kreditorët e huaj i kërkojnë urgjent Greqisë, në mënyrë që të kursejë nga shpenzimet shtetërore për pensionet, një shumë prej 1.8 miliardë eurosh në vit. “Ne duhet të ndalojmë këtë plan reformash për pensionet sepse në fund do të mbetemi edhe pa pensione dhe pa kujdesin shëndetësor. Ne çdo paketë shpëtimi vetëm shkurtojnë pensionet”, tha Patra Perantoni, pensioniste. “Kjo është ajo që sjellin reduktimet. Në vend që fëmijët të kujdesen për prindërit e tyre pensionistë, janë pensionistët që ndihmojnë fëmijët e tyre. Të gjithë e dimë se ku kanë shkuar shifrat e papunësisë dhe besoj se do të shkojnë edhe më keq”, tha një tjetër pensionist, Ioannis Terzis. Nga ana e tij, kryeministri Alexis Tsipras që ka thënë se sistemi aktual i pensioneve ndodhet në prag të kolapsit, ju ka dorëzuar kreditorëve për këshillim një projektligj që parashikon rritjen e kontributeve të punëdhënësve dhe të nënpunësve, në mënyrë që mos të reduktohen pensionet e ulëta. Projektligjin, përveç pensionistëve, e kundërshtojnë edhe sindikatat e nënpunësve të administratës shtetërore dhe të sektorit privat, të cilat bashkë me unionet e avokatëve, mjekëve dhe inxhinierëve kanë shpallur një grevë të përgjithshme në datën 4 shkurt. Ndërkohë, ditën e mërkurë fermerët në të gjithë vendin do të bllokojnë rrugët kryesore të Greqisë, nga veriu deri në jug, në shenjë proteste për reformën e pensioneve dhe sidomos për sistemin e ri të taksave ndaj tyre. Reforma e pensioneve përfshin shkrirjen e gjashtë fondeve kryesore të pensioneve në një dhe parashikon shkurtime deri në 30 përqind të pensioneve të ardhshme. Ajo përcakton një limit prej 384 euro në muaj si minimum dhe vendos një tavan prej 2300 euro si maksimum mujor të pensionit. Pensioni mesatar mujor aktualisht qëndron në rreth 850 euro. Ministri i Punës George Katrougalos mbrojti planin të premten duke e quajtur atë të drejtë dhe të nevojshëm për qëndrueshmërinë e sistemit. Ndërkohë më herët të premten pati një tjetër protestë jashtë zyrës së kryeministrit, ku rreth 100 persona kundërshtuan të gjitha planet e qeverisë së Tsipras.