Të drejtat islame të njeriut (8)
Përshëndetje për ju dëgjues të nderuar! Jemi pranë jush me edicionin e radhës së programit “Të drejtat islame të njeriut”.
Në edicionin e kaluar thamë se koncepti i të drejtave të njeriut është një koncept i thellë dhe rrënjësor në të menduarin e njeriut.
Që nga kohët e lashta, filozofët dhe mendimtarët besonin se njeriu ka të drejta të caktuara. Këto të drejta nga pikëpamja e filozofëve perëndimorë, rrjedhin nga natyra e njeriut dhe mund të vërtetohen me anë të mendjes. Deri para renesancës, filozofët përkrah natyrës dhe mendjes, i kushtonin vëmendje edhe mësimeve të shpalljes hyjnore. Mirëpo pas renesancës dhe me fillimin e sundimit të humanizmit, u reduktua përkushtimi ndaj burimeve hyjnore dhe si rezultat vetëm natyra dhe vullneti njerëzor u bë e vetmja bazë për parimet e të drejtave të njeriut. Përkushtimi ndaj njeriut dhe vullnetit të tij u bë shkak që njeriu dhe vullneti dhe mendja e tij të konsiderohen të vetmit burime të mirëfillta për të caktuar të drejtat e njeriut. Në bazë të kësaj, përkrahësit e këtij mendimi me nënshkrimin e një kontrate mes tyre, filluan të hartojnë një marrëveshje në lidhje me të drejtat e njeriut dhe e quajtën atë Deklarata Botërore e të Drejtave të Njeriut. Ata me dashje ose pa dashje pa marrë parasysh vizionin besimit në një Zot dhe lidhjen e njeriut me Zotin, hartuan një marrëveshje për të gjithë popujt e botës dhe e quajtën atë parim dhe ligj botëror dhe të pandryshueshëm. Natyrisht se qysh në procesin e miratimit të Deklaratës Botërore për të Drejtat e Njeriut, ishin edhe disa vende të cilat reaguan ashpër ndaj kësaj neglizhence të madhe dhe mospërfilljen e aspektit hyjnor dhe të mësimeve të shpalljes hyjnore në këtë drejtim e konsideruan shkelje të madhe të kësaj Deklarate. Kjo është në kohën kur në mësimet fetare në masë të madhe është theksuar në të drejtat e njeriut dhe profetët e Zotit në secilën periudhë kohore që kanë vepruar të secili popull, kanë bërë përpjekje të mëdha për të informuar njerëzit për të drejtat dhe obligimet e tyre për të arritur në përkryerjen njerëzore. Në të gjitha fetë hyjnore, lumturia e njeriut dhe arritja në shpëtim, është vendosur në theks të veçantë. Secila prej feve në mësimet e veta, njeriun e ka vendosur në qendër të vëmendjes dhe gjatë shpjegimit të të drejtave dhe detyrave të tij, gjithnjë kanë marrë parasysh lumturinë e njeriut. Në të gjitha fetë, njeriu është një qenie e çmuar, me fisnikëri dhe me fjalë të tjera ai konsiderohet një qenie e shenjtë. Në Dhiatën e Vjetër thuhet se Ademi është krijuar në “pamjen hyjnore” dhe kjo do të thotë se njeriu në ballin e tij mbanë vulën hyjnore e cila i jep atij vlerë të madhe. Kur’ani gjithashtu në lidhje me këtë thotë: “Me të vërtetë që ne u kemi dhënë fisnikëri dhe dinjitet bijve të Ademit”. Nga pikëpamja e feve hyjnore, të gjithë njerëzit janë krijesa të Zotit. Aspekti i përbashkët në krijim, rezulton se disa të drejta që burojnë nga një burim hyjnor, janë universale. Këto të drejta nuk mund t’i mohohen njeriut me një forcë të përkohshme të kësaj bote materiale. Ky koncept mund të gjendet edhe në sheriatin hebre, të krishterë dhe në atë islam. Sistemi i të drejtës islame gjithashtu është një sistem shoqëror i cili tregon përkushtim të plotë ndaj lumturisë së njeriut. Me këtë pikëpamje, profetët së bashku me urdhëresat hyjnore, i udhëzojnë njerëzit në mënyrë që duke shfrytëzuar mësimet hyjnore dhe Librin Qiellor, të bëjnë përpjekje për të vendosur drejtësinë në shoqëri.
Islami është një sistem ideal në të cilin nga njëra anë përshkruhet një shoqëri ideale në mënyrë që njerëzit të marrin për model atë dhe nga ana tjetër, njerëzit gëzojnë një pozitë të veçantë dhe dinjitet njerëzor dhe përveçse kanë të drejta, ata kanë edhe detyra të caktuara dhe luajnë rol dhe marrin pjesë në procese në shoqërinë ku jetojnë. Tani shtrohet kjo pyetje se sipas pikëpamjes së fesë islame, njerëzit çfarë të drejtash gëzojnë dhe kush i cakton këto të drejta? A mund të ketë vetëm mendja e njeriut këtë autoritet që të caktojë të drejtat e njeriut? Dhe a është natyra dhe qenia e njeriut i vetmi burim dhe standard për caktimin e të drejtave të njeriut? Para këtyre zhvillimeve nevojitet që të shpjegohet kuptimi i fjalës “e drejtë” nga pikëpamja e perëndimit dhe e fesë islame. Në përgjithësi në lidhje me natyrën e të drejtave ekzistojnë dy teori: njëra është teoria e cila thekson në vullnetin dhe zgjedhjen dhe tjetra është teoria e cila thekson në interesa dhe në të mirën. Sipas teorisë së parë, e drejta është një forcë të cilën i jep ligji individëve për të kryer një veprim ose për të ndaluar kryerjen e një veprimi. Në bazë të kësaj teorie, e drejta buron nga vullneti ose zgjedhja e njerëzve. Kjo do të thotë se secili individ me vullnetin dhe zgjedhjen e tij i pranon disa ligje për të sistemuar marrëdhëniet e tij në shoqëri. Prandaj njeriu mund ta zbatojë të drejtën ose të heqë dorë nga ajo. Kjo teori është përballur me kritika dhe një prej tyre është kjo që disa të drejta individuale si e drejta për të jetuar, nuk mund të shkelen ose t’i dorëzohen tjetrit. A mund t’i mohojë vetes njeriu të drejtën për të jetuar ose zgjedhjen e jetës së tij t'ia dorëzojë dikujt tjetër? Kritikë tjetër që i është bërë kësaj teorie është fakti se sot flitet për të drejtat e kafshëve, pemëve, bregdeteve etj., të cilat janë të përhapura në fushën përkatëse me jetën zoologjike, ekologjinë dhe ambientin jetësor. Kafshët, detet, malet dhe bjeshkët çfarë force dhe çfarë vullneti mund të kenë? Në teorinë e dytë qëllimi i së drejtës nuk është mbështetja ndaj forcës dhe vullnetit të individit, por mbrojtja e disa interesave dhe dobive të tij. Kjo teori i ka shpëtuar disa kritikave që janë bërë ndaj teorisë së parë, mirëpo mangësia që duket në këtë teori është kjo që interesat që i përkasin individëve në realitet jenë pjesë e të drejtave që janë paraparë për ata. Kjo do të thotë se së pari duhet të parashihen të drejtat e individëve dhe pastaj të identifikohen dhe të garantohen interesat që rrjedhin nga ato të drejta. Natyrisht se në lidhje me të drejtat përkatëse me kafshët dhe objektet e natyrës, përsëri shtrohet kjo pyetje se poseduesit e të drejtave të tilla, çfarë interesa mund të kenë? Tani të shikojmë se çfarë është kuptimi i të drejtës nga pikëpamja e Islamit? E drejta do të thotë “ekzistenca e qëndrueshme”. Do të thotë se çdo gjë që ka stabilitet dhe qëndrueshmëri, është e drejta. Për këtë arsye Kur’ani i shenjtë e quan Zotin e madhëruar “E Drejtë”. Në suren Haxh ajeti 62 thuhet: “Kjo është për këtë arsye se Zoti është e drejta dhe çdo gjë përveç Tij, është jo e drejtë dhe e humbur”. Natyrisht se e drejta ka disa shkallë, për arsye se çdo e drejtë nuk zë vend në një shkallë të qëndrueshmërisë. Mirëpo e drejta në terminologjinë e shkencës së të drejtës është një prej koncepteve të vlerave në bazë të konsensusit. Të drejtat janë një varg ligjesh dhe rregullash shoqërore të hartuara nga Zoti për të vendosur drejtësinë dhe rendin në shoqërinë njerëzore në mënyrë që të sigurohet lumturia e shoqërisë. Këtu është e nevojshme gjithashtu të shpjegohet dallimi mes të drejtës dhe dispozitës. Nëse një çështjeje ka vetëm aspekt ligjor ose të jetë në nivelin e detyrës dhe i përket gjësendeve, quhet “dispozitë”. Dispozitat e jurisprudencës secila prej tyre përcakton detyra të caktuara për njeriun, prandaj për këtë arsye quhen dispozitë. Mirëpo ekziston një lidhje e pandashme mes të drejtave dhe dispozitave. Për shembull, edhe pse njeriu posedon të drejtën për liri, por njëkohësisht me këtë, ai është i gjykuar me liri. Kjo do të thotë se njeriu nuk mund ta mohojë lirinë e vetes. Prandaj, të gjitha të drejtat që i përkasin lirisë së njeriut, i kthehen atij në bazë të dispozitave hyjnore për njeriun. Për shembull, edhe pse njeriu posedon lirinë e të jetuarit, por është i obliguar që ta ruaj këtë liri dhe nuk mund ta ndajë atë nga vetja. Shpirti i të gjitha të drejtave të njerëzve në shkollën fetare është dispozita e Zotit. Kjo do të thotë, njeriu ashtu sikur duhet të shfrytëzojë ujin dhe ajrin e shëndosh, ai nuk ka të drejtë ta privojë veten nga këto dy elemente. Pikërisht në këtë mënyrë ai ka për detyrë që t'i gëzojë të drejtat që Zoti i ka caktuar atij. Kjo do të thotë se njeriu ka një detyrë të caktuar në lidhje me çdo të drejtë të cilën i ka dhënë atij Zoti dhe kjo detyrë është ruajtja dhe mbrojtja e asaj të drejte. Zoti i ka caktuar këto detyra njeriut sepse dëshiron që njeriu duke gëzuar të drejtat e tij njerëzore, të arrijë në përkryerje dhe lumturi. Kjo është për arsye se rrënjët e të gjitha dispozitave dhe detyrave janë në të mirën dhe interesin e njeriut. Këto dispozita kanë një bazë të qëndrueshme, për arsye se të gjitha këto dispozita burojnë nga Zoti i madhëruar i cili është e drejta dhe ekzistenca e qëndrueshme. Në Kur'anin e shenjtë në ajetin 33 të sures Teovbe thuhet: "Ai është i cili e ka dërguar Profetin e tij me udhëzim dhe me fenë e së drejtës". Nga kjo mund të kuptohet se dispozitat fetare nuk janë në pozitën e vlerës shoqërore dhe as një kontratë e zakonshme mes profetëve dhe njerëzve të cilat më vonë mund edhe të anulohen. Prandaj, për këtë arsye çdo ligj që vendos njeriu pa marrë parasysh shpalljen hyjnore, ai mund të anulohet. Në vizionin e besimit në një Zot, çdo mirësi shoqërohet me një të drejtë dhe nuk ekziston asnjë mirësi në botë për të cilën njeriu të mos ketë përgjegjësi. Imam Aliu (a.s.) ka thënë: "Për Zotin e madhëruar në çdo mirësi ekziston një e drejtë. Secili që ta zbatojë të drejtën e asaj mirësie, do të përfitojë më shumë nga ajo mirësi, ndërsa secili që tregon neglizhencë në zbatimin e asaj të drejte, do të rrezikojë humbjen e asaj mirësie". Prandaj njeriu nuk është i lirë në shfrytëzimin e mirësive dhe duhet të zbatojë të drejtën e çdo mirësie.