Mourinho turpërohet në Stamford Bridge
‘Blutë’ e Londrës kanë triumfuar në derbin e javës së nëntë të Ligës Premier përball Manchester United.
Skuadra e drejtuar nga Antonio Conte ka shkatërruar atë të Jose Mourinhos, duke e mposhtur me rezultat të thellë 4-0 në Stamford Bridge. Se Chelsea e mori këtë ndeshje me shumë seriozitet këtë e tregon goli i shënuar ende pa u mbushur mirë një minutë loje nga Pedro Rodrigez. Anësori spanjoll ka arritur të shënoj një gol të bukur, duke kaluar portierin De Gea pas një dalje të gabuar, teksa u shërbye nga Marcos Alonso. Chelsea gjeti edhe golin e dytë gjatë pjesës së parë, ku ishte mbrojtësi anglez, Gary Cahill, i cili shënoi nga afërsia në minutën e 21-të e takimit pas një tollovie në zonën e United. Në vazhdimin e pjesës së parë, të dy skuadrat provuan të gjejnë gol duke rrezikuar më anë të disa gjysmë-rasteve, por pa sukses, pasi me rezultat 2-0 skuadrat shkuan në pushim. Edhe pjesa e dytë foli në të mirë të vendasve, të cilët arritën të shënoj edhe dy gola të tjerë, ku së pari ishte belgu Eden Hazard, i cili shënoi në minutën e 62-të një gol të bukur, pas një super aksioni nga skuadra e tij. Goli i katërt i ‘Bluve’ u shënua nga mesfushori francez, N’Golo Kante, që shënoi në stilin e sulmuesit, duke shmangur mirë mbrojtësin Chris Smalling, për të shënuar për 4-0 në minutën e 70-të. Në 20 minutat e fundit të ndeshjes, Manchester United u mundua të gjej golin e nderit, teksa Chelsea arriti mirë të mbroj me sukses këtë epërsi të madhe. Pas kësaj fitore, Chelsea renditen në pozitën e katërt me 19 pikë apo vetëm një pikë më pak se tre vendet e para, ndërsa javën e ardhshme do të ndeshet me Southampton, për dallim nga United që pas humbjes renditet e shtata me 14 pikë, ku javën e ardhshme e pret në shtëpi Burnleyn.