OKB paralajmëron për një katastrofë humanitare në Jemen
Përfaqësuesi i OKB për Jemenin, z. Ismail Veled Al Sheikh, raportoi sot para KS të OKB në lidhje me situatën në Jemen dhe deklaroi se shkatërrimi masiv i qendrave spitalore, infrastrukturës dhe i depove të ushqimeve nga bombardimet e të ashtuquajturit ''koalicion arab'' i kryesuar nga Arabia Saudite, e ka çuar Jemenin në prag të një katastrofe humanitare me përmasa tragjike.
Përfaqësuesi i OKB për Jemenin theksoi se intensifikimi i luftimeve në provincat Aden, Lehaxh, Shabuh dhe Sana, ka krijuar kushtet për zgjerimin e pranisë së grupeve terroriste si Al Kaida dhe ISIS në Jemen. Edhe hetuesit e Kombeve të Bashkuara kanë lëshuar një deklaratë alarmante, me të cilën paralajmërojnë botën se në Jemen po zhvillohet një nga katastrofat më të mëdha humanitare. Më shumë se 21 milionë banorë të Jemenit jetojnë nën nivelin e varfërisë, të shkëputur nga bota dhe në pamundësi të marrjes së ndihmave humanitare. Kreu i ekipit humanitar të OKB-së, Stephen O’Brien, ka deklaruar se Jemeni ka nevojë për ndihmë dhe ka akuzuar Arabinë Saudite se me bombardimet e saj disa mujore, po i pamundëson OKB-së të shpërndajë ndihma humanitare për popullatën. “Që nga marsi i vitit 2015 kur Arabia Saudite filloi bombardimet, janë vrarë më shumë se 6.000 njerëz, duke përfshirë 700 fëmijë. Të paktën 7.6 milionë njerëz nuk kanë asgjë për të ngrënë, kurse më shumë se 3.4 milionë fëmijë nuk shkojnë në shkollë. Përveç kësaj, sauditët nuk po i ndalin sulmet ajrore”, ka deklaruar O’Brien. Edhe Organizata botërore e shëndetësisë ka paralajmëruar mbi mungesën e theksuar të lëndës djegëse, medikamenteve dhe pajisjeve mjekësore nëpër spitalet e Jemenit. Fadhila Shaeb zëdhënës i OBSH ka thënë se për muaj me radhë janë krijuar pengesa në dërgimin e ndihmave në qytetin Taiz në jugperëndim të Jemenit ndërkohë që për këtë qytet janë dërguar të paktën 20 ton medikamente dhe pajisje mjekësore. Nga ana tjetër, Këshilli suprem i Unionit të shoqërisë civile në Jemen, ka deklaruar se Kombet e Bashkuara dhe Këshilli i Sigurimit, janë përgjegjës për përkeqësimin e gjendjes humanitare në Jemen për shkak të sulmeve ajrore saudite. Ky këshill ka kritikuar bashkësinë ndërkombëtare për heshtjen përballë krimeve të regjimit saudit në Jemen, duke shtuar se ky regjim vazhdon të shkel të drejtat e njeriut në Jemen. Ditë më parë, Komiteti ndërkombëtar i Kryqit të Kuq ka refuzuar kërkesën e Riadit që të ndërpresë dërgimin e ndihmave humanitare për Jemenin dhe që punonjësit e ndihmës së shpejtë të këtij komiteti të qëndrojnë larg zonave të bombardimeve. Për dërgimin e ndihmave për të gjithë njerëzit në nevojë në Jemen kërkojmë garantimin e sigurisë së të gjithë ekipeve shpëtuese dhe të ndihmës së shpejtë nga të gjitha palët, tha në fjalën e saj Rima Qemal, zëdhënëse e Komitetit ndërkombëtar të Kryqit të Kuq. Intensifikimi i sulmeve të Arabisë Saudite kundër Jemenit si dhe bllokada e gjithanshme që i është imponuar Jemenit nga regjimi Al Saud kryhen në një kohë kur shumë organizata ndërkombëtare e në veçanti sekretari i përgjithshëm i OKB z. Ban Ki Moon, kanë kërkuar disa herë ndaljen e sulmeve kundër Jemenit dhe kanë paralajmëruar për pasojat tragjike të këtij agresioni. Pas rezistencës së madhe të popullit dhe forcave të Jemenit, agresorët e regjimit Al Saud dhe mbështetësit e tyre në rajon, në sulmet e tyre kundër Jemenit kanë vënë si objektiv kryesor shkatërrimin e infrastrukturës dhe sidomos atë të ujit dhe të energjisë elektrike për ta detyruar popullin jemenas të heqë dorë nga rezistenca kundër agresorëve.