Vazhdojnë kërcënimet e Cameron ndaj krerëve të BE
https://parstoday.ir/sq/news/uncategorised-i4036-vazhdojnë_kërcënimet_e_cameron_ndaj_krerëve_të_be
Sot është zhvilluar dita e dytë e samitit mes Bashkimit Europian dhe Britanisë së Madhe, në të cilin u diskutuan kërkesat e kryeministrit anglez David Cameron drejtuar krerëve europianë, plotësimi i të cilave do të bënte që Britania të qëndronte në union dhe refuzimi i tyre do të çojë Britaninë në referendum mbi qëndrimin ose jo të vendit në Bashkimin Europian.
(last modified 2026-03-28T19:16:51+00:00 )
Shkurt 19, 2016 16:46 Europe/Tirane
  • Vazhdojnë kërcënimet e Cameron ndaj krerëve të BE

Sot është zhvilluar dita e dytë e samitit mes Bashkimit Europian dhe Britanisë së Madhe, në të cilin u diskutuan kërkesat e kryeministrit anglez David Cameron drejtuar krerëve europianë, plotësimi i të cilave do të bënte që Britania të qëndronte në union dhe refuzimi i tyre do të çojë Britaninë në referendum mbi qëndrimin ose jo të vendit në Bashkimin Europian.

Para nisjes së negociatave, kreu britanik Cameron tha se gjatë bisedimeve të djeshme që zgjatën deri në orën 5:30 të mëngjesit të sotëm pati një lloj progresi, por sërish ka shumë punë për tu bërë deri në arritjen e marrëveshjes. Të njëjtën deklaratë bëri edhe presidenti i Këshillit të Europës Donal Tusk, i cili la të kuptohet se hendeku është i thellë. Pas mesdite palët kanë patur një drekë pune, në të cilën u shpresua edhe arritja e paktit të shumë debatuar. Negociatat e djeshme edhe pse zgjatën gjatë gjithë natës nuk prodhuan asgjë, teksa sot pritet që Cameron të kërkojë të sigurojë marrëveshjen që ai ka propozuar ose në të kundërt ai do të thërrasë popullin e tij në referendum. Cameron u shpreh qartë duke theksuar: ''Unë do të luftoj për Britaninë. Nëse mund të arrijmë një marrëveshje të mirë, do ta pranoj, por nuk do të pranoj një marrëveshje, që nuk plotëson ato çfarë kemi kërkuar. Kryeministrit britanik, David Cameron i duken të pamjaftueshme propozimet e BE-së për kërkesat britanike. Ai do reformimin e unionit në këmbim të Britanisë së Madhe në BE. Në debatin e Bashkimit Europian me Britaninë e Madhe për reformat në union është shënuar progres, por ende nuk është arritur pika e kthesës. Pas takimit Cameron i cilësoi propozimet e deritanishme "si të pamjaftueshme", por vlerësoi se po bëhen hapa përpara.Kryeministri Cameron kërkon të reformojë BE-në si edhe të modifikojë marrëdhënien e Britanisë së Madhe me BE në disa fusha. Vetëm në rast të plotësimit të kërkesave britanike, ka bërë të ditur Cameron, ai do të mund të angazhohet tërësisht për qëndrimin e Britanisë së Madhe në BE. Këtu bën pjesë ndër të tjera edhe çështja e ndihmave sociale për qytetarët europianë dhe rregullimi i marrëdhënies së vendeve të eurozonës me vendet jashtë euros. Sipas qarqeve diplomatike duket se po diskutohet për "një mekanizëm frenues" që jo vetë Britanisë së Madhe, por edhe vendeve të tjera do t'u mundësojë kufizimin e ndihmave sociale për migrantët brenda BE-së. Kjo do të hynte në fuqi, po qe se provohet se sistemi social është tërësisht i rënduar. Por reformimi që kërkon Cameron nuk gjen miratimin e të gjitha vendeve anëtare në BE. Kështu qeveria polake ka bërë të ditur se nuk do të pranojë "diskriminimin" e qytetarëve të saj. Sipas Cameron, parlamentet kombëtare duhet të marrin më shumë kompetenca. Shumë në kontinent duket se besojnë, se interesi ekonomik do t'i shtyjë britanikët në fund për të votuar në referendum për qëndrimin në BE. Por kjo mund të mos jetë kështu. Shumica e britanikëve janë të kënaqur që kanë mbajtur paundin, dhe kështu që nuk kanë nevojë të marrin pjesë në shpëtimin e euros dhe mund të vazhdojnë politikën e tyre monetare. Ata janë gjithashtu të lehtësuar, sidomos këto javë dhe muaj, që nuk i përkasin zonës Shengen, kështu që e kanë nën kontroll shumë më të mirë imigracionin. Prandaj edhe paralajmërimet e kancelares Merkel, presidentit Juncker dhe të tjerëve, se Shengeni apo euroja janë vendimtare për fatin e të gjithë BE-së, bien krejtësisht në vesh të shurdhër tek publiku britanik. Megjithatë, Kancelarja gjermane, Angela Merkel deklaroi se marrëveshja duket qartë që nuk është e lehtë, por është e rëndësishme që palët kanë vullnetin e nevojshëm.