Vazhdon përkrahja për ISIS megjithë shtimin e krimeve
Në një kohë që po shtohen krimet e terroristëve në Siri, e në veçanti duke shfrytëzuar fëmijët sirianë e të shteteve tjera, boshti turko-arab-perëndimor po vazhdon përkrahjen për grupet terroriste.
Gazeta angleze Guardian në një raport të shkruar nga Shiv Malek paralajmëroi mbi rritjen e paprecedent të numrit të fëmijëve që dërgohen nga ISIS në frontin e luftës. Kjo gazetë shkruan se raporti i hetuesve amerikanë dëshmon se grupi terrorist ISIS ka shfrytëzuar një numër të madh të fëmijëve dhe adoleshentëve në frontin e betejës dhe një numër i madh i tyre kanë kryer sulme kamikaze. Numri i fëmijëve që sakrifikuan jetën për ISIS, vitin e kaluar, është dyfishuar, krahasuar me shifrën e mëparshme. Janë 89 djem nga mosha 8-18 vjeç, që janë vrarë në luftime. Studiuesit në Universitetin Shtetëror të Xhorxhias në Shtetet e Bashkuara, përgjatë 13 muajve, vëzhguan propagandën dhe dedikimet për të ashtuquajturit “dëshmorët e vegjël”. Megjithëse ISIS nuk ka bërë publik emrat apo biografinë e tyre, studiuesit kanë mundur të zbulojnë moshën dhe kombësinë e “fëmijëve të vrarë”. Sipas tyre, rreth 60 % janë nga mosha 12-16 vjeç, ndërsa 6 % nga 8-12 vjeç. Rreth 18 % e djemve humbën jetën në sulme kamikazë, ku vdekja ishte alternativa e vetme. ISIS i stërvit fëmijët sirianë në Siri dhe i transferon ata në Irak, ndërsa të tjerët janë nga: Jemeni, Arabia Saudite, Tunizia dhe Libia, ndërsa një numër i vogël nga Britania e Madhe, Franca, Australia dhe Nigeria. Sipas studiuesve amerikane, fëmijët-ushtarë marrin pjesë në beteja njësoj si të rriturit dhe përdoren për të zëvendësuar humbjet në fushëbeteja. Megjithatë Turqia, Arabia Saudite dhe vendet perëndimore duke përkrahur terroristët në Siri, po pengojnë veprimet e BN kundër grupeve terroriste. Gazeta turke Zaman bëri të ditur se rreth 2000 forca opozitare siriane janë futur në territorin e Sirisë të shoqëruar nga ushtarakët turq. Sipas këtij burimi, këto forca së bashku me forcat ushtarake turke nga Idlibi kanë hyrë në provincën Hatai në Turqi, e më pas nga Turqia janë dërguar në qytetin Ezaz. Abu Isa, komandant i grupit Fronti Al Shamie, deklaroi se funksionarët e Turqisë na kanë lejuar që nga Turqia të transferojmë në Siri mortaja, raketa, tanke dhe armatime të rënda. Edhe ministri i jashtëm i Arabisë Saudite në një intervistë me të përjavshmen gjermane Spiegel, tha se Riadi do të pajis me raketa tokë-ajër grupet opozitare siriane të ashtuquajtura të moderuara. Aj Xhobejr tha se raporti i forcave në Siri duhet të ndryshojë ashtu siç ndodhi në Afganistan. Nga ana e tyre, vendet perëndimore duke kundërshtuar projektrezolutën ruse në lidhje me Sirinë, u bashkuan me Turqinë dhe Arabinë Saudite duke përkrahur grupet terroriste. Në lidhje me këtë zv/ministri i jashtëm sirian Feisal Mekdad, duke theksuar se Siria do t’i përgjigjet çdo agresioni, shprehu keqardhjen për kundërshtimin e projektrezolutës së Rusisë nga vendet perëndimore.