Europol formon njësinë speciale të emigracionit në Evropë
Policia evropiane EUROPOL deklaroi se është krijuar njësia speciale për emigracionin në Evropë.
Rob Weinwright, kryetari i EUROPOL-it deklaroi sot se kjo organizatë vlerëson se në çdo dhjetë refugjatë, 9 prej tyre janë futur në Evropë në bashkëpunim me bandat e trafikantëve. Sot, EUROPOL-i në mënyrë zyrtare ka krijuar njësinë speciale të emigracionit që ka për detyrë luftën kundër trafikimit të emigrantëve në Evropë. Gjithashtu shefi i EUROPOL-it tha se kjo njësi speciale e EUROPOL-it me bazë në qytetin Hagë në Hollandë, do të ndihmojë vendet anëtare të BE me qëllim që nëpërmjet shkëmbimit të informacioneve dhe bashkëpunimit në zonat operative, të luftojë trafikun e organizuar të emigrantëve, sipas një raporti të EUROPOL grupet trafikante të emigrantëve në Evropë gjatë vitit 2015 kanë përfituar nga 3-6 miliardë euro. Mbi 1 milion refugjatë kryesisht nga vendet e prekura nga luftërat në LM dhe në Afrikën Veriore kanë hyrë deri tani në Evropë. Europol ka deklaruar se një ushtri e vërtetë prej 30 mijë personash, të kombësive të ndryshme, me role e detyra të përcaktuara janë përfshirë në trafikun e qënieve njerëzore e të mbërritjes së emigrantëve në Europë. Ky grup i madh personash organizon lëvizjet e spostimet e valës së emigrantëve me një përfitim ekonomik prej miliarda eurosh. Vetëm 3 mijë nga 30 mijë personat e dyshuar merren me administrimin e fluksit të emigrantëve përmes detit Mesdhe, pjesa tjetër mbulon rrugën përmes Ballkanit e Hungarisë, si dhe atë mes Azisë e Afrikës me pikëmbërritje finale në Europë. Sipas Frontex, agjensisë europiane për kontrollin e kufijve, “trafiku i qenieve njerëzore, duke përfshirë dhe personat e destinuar për tregun e seksit në Europë, është më fitimprurësi i momentit për organizatat kriminale, duke kapërcyer tregtinë e kontrabandës së armëve e të drogës.” Sipas Europol, informacionet e fundit mbi trafikun e qenieve njerëzore janë mjaft preokupuese e konfirmojnë se si trafikantët e qenieve njerëzore përdorin rrjetet sociale për t’i bërë reklamë punës së tyre kriminale,, duke joshur mijëra të dëshpëruara me tarifa mashtruese për të mbërritur në Europë. Gjithashtu, kreu i Agjencisë policore të BE, Rob Wainwright, u tha gazetarëve të hënën se një raport i ri nga Agjensia tregon se “i ashtuquajturi ISIS kishte zhvilluar një aftësi të re stili për të luftuar dhe kryer një fushatë sulmesh terroriste në shkallë të gjerë botërore, me fokus të veçantë Europën. ” Prandaj është e qartë se me formimin e njësisë speciale të emigracionit në Evropë, Europol synon jo vetëm të ndalë valën e emigrantëve dhe të luftojë trafikantët e qenieve njerëzore, por edhe reduktimin e rrezikut për sulme terroriste në vendet europiane.