Marrëdhëniet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës me aleatët
Në vitin 1395 diellor (Mars 2016-Mars 2017), marrëdhëniet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës me aleatët e tyre në pjesë të ndryshme të globit pësuan ndryshime. Me fillimin e mandatit presidencial të Donald Trump u vu re një ftohje në marrëdhëniet mes SHBA dhe aleatëve të tyre.
Shqetësimet për politikën e e presidentit amerikan Donald Trump janë të dukshme në Evropë.Menjëherë pas fitores së Trump në zgjedhjet presidenciale në SHBA, Presidenti i Komisionit të Bashkimit Evropian Jean-Claude Juncker tha se presidenti i zgjedhur amerikan Donald Trump përbën rrezik për marrëdhëniet mes BE-së dhe Shteteve të Bashkuara. Juncker tha se Trump kishte ngritur pikëpyetje mbi Naton që mund të ketë “pasoja të dëmshme” pasi është modeli i mbrojtjes së Evropës. Presidenti i KE shtoi: “Trump vuri në pikëpyetje aleancën Trans-Atlantike, e cila në fakt është mjaft e nevojshme, pra vuri në pikëpyetje modelin e mbrojtjes së Evropës. Përsa u përket refugjatëve dhe të bardhëve jo-amerikanë, Trumpi ka një qasje që në asnjë mënyrë nuk përkon me bindjet dhe ndjenjat në Evropë”. Gjithashtu, reagimet nga Europa pas urdhrit presidencial të Trumpit për ndalimin e udhëtimit në SHBA të udhëtarëve nga 7 vende myslimane ishin kritike. Shefja e BE-së për politikën e Jashtme, Federica Mogherini, u shpreh lidhur ndalimin e hyrjes në SHBA për udhëtarët nga 7 vende kryesisht me popullsi myslimane se „kjo nuk është rruga europiane". Më tej ajo shtoi se „BE beson në një sistem normash dhe rregullash ndërkombëtare." Historia e Europës ka treguar se izolimi dhe distancimi janë përgjigje të gabuara. „Ne festojmë kur rrëzohen muret dhe ngrihen ura", tha ajo. Ministri i Jashtëm francez, Jean-Marc Ayrault, dhe ai gjerman Sigmar Gabriel shprehën shqetësimin për "urdhrin ekzekutiv” të Trump. "Tani kemi nevojë për qartësi, unitet dhe në rast nevoje edhe fuqinë për të mbrojtur vlerat tona, vizionin tonë për botën dhe interesat franceze, gjermane dhe europiane”, thanë Ayrault dhe Gabriel në Paris. Por një nga cështjet që shqetëson më shumë europianët është qëndrimi i presidentit amerikan ndaj NATO-s. Shqetësimet për politikën e Donald Trumpit dhe tema të tjera ishin në rend të ditës në Konferencën e Sigurisë në Mynih. Ky takim në Mynih ishte një mundësi për aleatët e NATO-s që të peshonin nga afër ekipin Trump dhe të përpiqeshin të masnin kalibrimin e drejtimit të ri të administratës amerikane. Trump dërgoi në Mynih zëvendësin e tij, Mike Pence për të përcjellë një seri mesazhesh me fjalë të qarta. Pence e përdori fjalimin e tij të Mynihut për të sjellë mesazhet e sigurisë nga presidenti i ri. “Shtetet e Bashkuara”, tha ai, “mbështesin fuqimisht NATO-n dhe do të shpalosin angazhimine tyre ndaj aleancës Trans-Atlantike”. Fjalët e Mike Pence ishin një përpjekje për të qetësuar nervat e acaruara ngase presidenti Trump e quajti aleancën “të vjetëruar”. Por me kaq pak aleatë që aktualisht përmbushin objektivin e dakordësuar për shpenzimet e mbrojtjes, kishte gjithashtu edhe një paralajmërim. “Më lejoni të sqarohem në këtë pikë”, theksoi Pence, “se presidenti i SHBA-ve pret që aleatët të mbajnë fjalën për të përmbushur këtë angazhim dhe për pjesën më të madhe, kjo do të thotë se ka ardhur koha për të bërë më shumë”. Kjo deklaratë u prit me duartrokitje hezituese, një tregues se shumë europianë nuk e mirëpresin ngacmimin që vjen nga Shtëpia e Bardhë e Donald Trump. Një nga frikërat më të mëdha të Europës ka qenë vullneti i dukshëm i Trump për të bërë marrëveshje me Moskën – për të mos përmendur admirimin e tij të shprehur për liderin e Rusisë, Vladimir Putin. Emisarët e Trump pak a shumë i bindën mikpritësit e tyre europianë se për çështje kyçe, të paktën për momentin, nuk do të ketë ndryshime. Sidoqoftë, europianët vazhdojnë të mbeten skeptiktë ndaj aleatit përtej Atlantikut.
Gjatë vitit të kaluar, lëkundje ka pasur edhe në marrëdhëniet SHBA-Izrael. Administrata e ish presidentit amerikan Barak Obama qëndroi kritike ndaj ndërtimit të kolonive hebreje në territoret palestineze dhe kjo e acaroi Izraelin. Gjatë votimit më 23 dhjetor 2016, SHBA-ja nuk vuri veton ndaj rezolutës që u miratua nga Këshilli i Sigurimit i OKB, ku i kërkohet Izraelit të "ndërpresë menjëherë çdo aktivitet kolonizimi në territorin palestinez të pushtuar, ndër të cilët Jeruzalemi lindor" dhe shprehet se kolonitë hebreje"nuk kanë vlerë juridike". Pas kësaj kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu shprehu kritika, të konsideruara si më të ashprat ndaj administratës Obama. Ai e akuzoi SHBA-në se jo vetëm nuk mbron Izraelin, por bashkëpunon me këtë prapaskenë të OKB-së. Më 22 dhjetor, presidenti i zgjedhur amerikan Donald Trump duke shkelur ligjin se para betimit nuk mund të ndërhyjë në diplomacinë e vendit, i bëri thirrje administratës Obama të mos e votojë rezolutën. Ai e cilësoi të padrejtë për të gjithë izraelitët vendimin e KS të OKB-së. Nga ana e tij kreu i qeverisë izraelite Netanjanu u shpreh se do të bashkëpunojë ngushtë me presidentin e ri amerikan Trump. Optimizmi i Netanjahut rezultoi real gjatë takimit të tij në Uashington me Donald Trump. Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, pas takimit në Shtëpinë e Bardhë deklaroi se presidenti i SHBA, Donald Trump, i ka thënë atij se ka filluar një ditë e re në marrëdhëniet e SHBA me Izraelin. Netanyahu, ka thënë se takimi i tij me Trumpin në Uashington ishte historik dhe se i ka përforcuar marrëdhëniet jetë-gjatësore të të dy vendeve. Trump e ka ndryshuar pozicionin e SHBA-së ndaj Izraelit sa i përket qëndrimit të ashpër ndaj Iranit, krijimit të një shteti palestinez dhe ndërtimit të vendbanimeve hebreje në Bregun e okupuar Perëndimor. Pas plot tetë viteve të marrëdhënieve idhnake me Barack Obaman, duket se Netanyahu po e shijon përqafimin e ngrohtë të Trumpit.
Rrallë ka ndodhur që marrëdhëniet e SHBA me një nga aleatët e saj kryesorë të NATO-s të kenë qenë kaq të varfra sa ato midis Uashingtonit dhe Ankarasë. Gjatë një vizite në Uashington, presidenti turk kritikoi politikën e SHBA ndaj krizës në Siri e sidomos ndaj kurdëve sirianë dhe dënoi mbështetjen e SHBA për luftëtarët kurdë në Siri, duke këmbëngulur se paaftësia e Uashingtonit për të kuptuar natyrën e tyre të vërtetë e kishte kthyer rajonin në një det gjaku. Dallimet mes Uashingtonit dhe Ankarasë janë të ndryshme, jo më së paku duke reflektuar zhgënjimin e SHBA në tendencën aktuale në punët e brendshme turke. Por është kriza siriane dhe në veçanti roli i militantëve kurdë në luftën kundër të ISIS faktori që i ka kristalizuar tensionet amerikano-turke. Turqia është goditur drejtpërdrejt nga kriza siriane, jo vetëm nga përhapja e terrorizmit përtej kufijve të saj. Ajo ka qenë gjithashtu e detyruar të luftojë me një valë të madhe të refugjatëve sirianë. Kjo është një nga arsyet se pse turqit e kanë mbështetur idenë e krijimit të zonave të sigurta brenda Sirisë, zona që mund të mbrohen nga SHBA dhe forcat ajrore të aleatëve, si dhe forcat në terren. Kjo ide është kundërshtuar vazhdimisht nga administrata Obama dhe nuk po gjen përkrahje as në administratën e Donald Trump. Të menduarit në Ankara ka dominuar më shumë për dinamikën kurde, jo të ISIS.Luftëtarët kurdë kanë qenë ndër forcat më të suksesshme tokësore të cilët janë ndeshur kundër ISIS. Ata kanë marrë mbështetje të konsiderueshme materiale nga Uashingtoni. Kjo ka qenë si një provokim për turqit të cilët, tashmë po luftojnë me një kryengritje kurde brenda Turqisë, me frikë se ndonjë nga sukseset kurde mund të nxisë aspiratat kombëtare kurde. Pra, Ankaraja dhe Uashingtoni janë aleatë, por në të njëjtën kohë me shumë e shumë mosmarrëveshje mbi Sirinë dhe ky trend pritet të vazhdojë edhe gjatë mandatit presidencial të Donald Trump. Ky i fundit, ashtu si Obama, e ka bërë veshin e shurdhër ndaj kërkesave të vazhdueshme të Ankarasë për ekstradimin e opozitarit turk klerikut Fethullah Gullen, i cili akuzohet nga qeveria turke për grushtin e shtetit të organizuar në 15 Korrik 2016. Turqia gjithashtu ka një marrëdhënie ankthi me Uashingtonin; marrëdhëniet e tmerrshme me Moskën dhe ajo ka rënë në sy me lojtarë të tjerë të rëndësishëm të rajonit.
Edhe marrëdhëniet mes SHBA dhe një vendi aleat dhe fqinj si Meksika, janë tensionuar dukshëm. Presidenti amerikan, Donald Trump nënshkroi ndërtimin e një muri përgjatë kufirit me Meksikën duke përmbushur kështu një nga premtimet e tij kryesore të fushatës elektorale. “Presidenti i ri amerikan, Donald Trump, nënshkroi urdhrin ekzekutiv, që mundëson ndërtimin e murit përgjatë kufirit meksikan”, bëri të ditur zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Sean Spicer.“Ky është hapi i parë në mesin e atyre, që do të bëhen për të parandaluar hyrjet ilegale në vend. Muri do të reduktojë krimet dhe fluksin e emigracionit të jashtëligjshëm në SHBA”, theksoi mes të tjerash zëdhënësi Spicer. Spikat fakti që ky nënshkrim përkoi me një vizitë të ministrit të Jashtëm meksikan, Luis Videgaray në Shtëpinë e Bardhë. Nga ana e tij, presidenti meksikan Pena Nieto ka dhënë sinjalet e para në lidhje me fatin e marrëdhënieve të Meksikës me administratën e re amerikane. “Duam të pakësojmë vartësinë e ekonomisë sonë nga SHBA-ja dhe të ristrukturojmë marrëdhëniet tona me vendet e Amerikës Latine si Brazili dhe Argjentina”, ka nënvizuar lideri meksikan. Në fillim Trump kishte thënë se Meksika do të paguajë shpenzimet për ndërtimin e murit, por kjo u kundërshtua nga presidenti meksikan, i cili tha se vendi i tij nuk do të paguajë asnjë cent. Megjithatë, Trump, si një biznesmen me përvoja të gjatë, deklaroi se qeveria e tij do të vendosë tatime shtesë për importet nga Meksika me qëllim që të nxjerrë paratë për ndërtimin e murit me Meksikën. Sidoqoftë, Meksika ka paralajmëruar SHBA-në kundër vendosjes së një tatimi të njëanshëm për importet meksikane për të financuar ndërtimin e murit në kufi, duke thënë se do t’i përgjigjet me të njëjtën mënyrë. Ministri i Jashtëm meksikan Luis Videgaray tha se qeveria meksikane mund të vendosë tarifa për mallrat e përzgjedhura nga SHBA që eksportohen nga Meksika.