NATO ndihmon Turqinë dhe Greqinë në përballje me klandestinët
Aleatët e NATO-s kanë rënë dakord të patrullojnë me anijet e tyre Detin Egje, me qëllim që të ndihmojnë Greqinë dhe Turqinë në luftën e tyre kundër kontrabandistëve dhe rrjeteve kriminale që trafikojnë emigrantët në Europë.
Kreu i aleancës Jens Stoltenberg shpjegoi : “Ne jemi bërë pjesë e përpjekjeve ndërkombëtare për të prerë linjat e trafikut të paligjshëm dhe emigracionit të paligjshëm në Detin Egje. Kjo krizë na prek të gjithëve dhe ne duhet të gjejmë një zgjidhje, është përgjegjësi e të gjithëve”, u shpreh Stoltenberg. Pas bisedimeve në Bruksel, të dërguarit e NATO-s vendosën që anijet e patrullimit të cilat janë dërguar që në fillim të shkurtit të bashkëpunojnë me rojet bregdetare turke dhe greke si dhe me agjencinë kufitare të Bashkimit Evropian Frontex për të shpëtuar refugjatët në det dhe kthimin e tyre në Turqi. Marrëdhëniet ndërmjet Greqisë dhe Turqisë kanë qenë tradicionalisht të tensionuara. Që pas arritjes së marrëveshjes në 11 shkurt nga Ministrat e Mbrojtjes të NATO, Ministri i Mbrojtjes i Greqisë ka akuzuar Turqinë se po përpiqet të minojë marrëveshjen. Për të shmangur të gjitha keqkuptimet, Stoltenberg tha se anijet e NATO-s do të mund të lundrojnë në ujërat territoriale të Greqisë dhe Turqisë. Gjermania shpreson se ndryshe nga misioni i BE-së në brigjet italiane, NATO do të kthejë emigrantët në Turqi edhe nëse ata kapen në ujërat greke, si një mënyrë për të frenuar fluksin e refugjatëve. Ndërkohë, shefi i diplomacisë së Luksemburgut, Jean Asselborn, paralajmëroi se Bashkimi Europian po shkon drejt anarkisë, teksa ministrat e Drejtësisë dhe ata të Brendshëm të bllokut u mblodhën për të diskutuar krizën e emigracionit, kërcënimi më i madh sot për vet ekzistencën e BE-së. “Bashkimi Europian nuk ka më një linjë të përvijuar qartë në raport me emigracionin. Ne po i drejtohemi anarkisë”, tha Jean Asselborn, ministër i Jashtëm i Luksemburgut. “Në këtë situatë na nevojiten zgjidhje europiane. Politikës së lejimkalimit duhet t’i jepet fund sa më parë”, tha Johanna Mikl-Leitner, ministre e Brendshme e Austrisë. “Muret krijojnë vetëm iluzione. Një vend që ndërton mure mund ta zgjidhë problemin përkohësisht, por në fund, i gjithë sistemi do të shembet”, tha Angelino Alfano, ministër i Brendshëm i Italisë. Më herët, ministrat e BE-së patën një mëngjes pune me përfaqësues të vendeve ballkanike, qëllimi i të cilit ishte sheshimi i dallimeve mbi krizën më të madhe të momentit. Austria, Serbia dhe Maqedonia kanë shtrënguar ndjeshëm hyrjen e emigrantëve, çfarë zemëron Greqinë, që druhet se kontrollet e rrepta të këtyre shteteve do t’i grumbullojnë të ardhurit në tokën e saj. Hendeku i krijuar shton presionin mbi politikën europiane të emigracionit, edhe kështu të zhytur në pështjellim prej valës së paprecedentë të emigrantëve dhe refugjatëve. Më shumë se 100 mijë të tillë kanë mbërritur këtë vit në kontinentin e vjetër, shumica përmes Ballkanit. Analistët politikë janë të mendimit se edhe ndërhyrja e NATO-s për të patrulluar në Egje, nuk do të japë rezultat në ndaljen e fluksit të refugjatëve, nëse vendet anëtare të BE dhe Turqia nuk bashkëpunojnë në mënyrë të koordinuar dhe nëse nuk bëhen përpjekje serioze ndërkombëtare për dhënien fund të krizave dhe konflikteve në rajonin e Lindjes së Mesme.