Vazhdon kriza e refugjatëve dhe e kuotave të vendeve evropiane
https://parstoday.ir/sq/news/uncategorised-i5185-vazhdon_kriza_e_refugjatëve_dhe_e_kuotave_të_vendeve_evropiane
Me vazhdimin e problemit të kuotave për hyrjen e refugjatëve në vendet evropiane, Ministria e brendshme e Kroacisë ka njoftuar për përcaktimin e kuotave për hyrjen e emigrantëve dhe azilkërkuesve në këtë vend.
(last modified 2026-03-28T19:16:51+00:00 )
Shkurt 28, 2016 14:28 Europe/Tirane
  • Vazhdon kriza e refugjatëve dhe e kuotave të vendeve evropiane

Me vazhdimin e problemit të kuotave për hyrjen e refugjatëve në vendet evropiane, Ministria e brendshme e Kroacisë ka njoftuar për përcaktimin e kuotave për hyrjen e emigrantëve dhe azilkërkuesve në këtë vend.

Ndërkaq, katër vende Ballkanike kanë shpallur kufizime në numrin e emigrantëve që mund të hyjnë në territorin e tyre, në një zhvillim që ka shkaktuar kritika nga zyrtarët e lartë të BE-së por edhe Kombeve të Bashkuara. Sllovenia, Kroacia, Serbia dhe Maqedonia, thanë se secili vend do ta kufizoj numrin e emigrantëve duke vendosur një kuotë ditore 580 klandestinë. Sllovenia tha se kufizimi i ri ditor i numrit të emigrantëve është në harmoni me marrëveshjen e arritur më 18 shkurt ndërmjet shefave të policive të Austrisë, Kroacisë, Serbisë dhe Maqedonisë. Stephane Dujarric, zëdhënës i sekretarit të përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, ka shprehur shqetësim për valën e kufizimeve kufitare në Ballkan, dhe tha se ato janë në kundërshtim me konventën ndërkombëtare për refugjatët. Nga ana tjetër, Mijëra emigrantë vazhdojnë të qëndrojnë çdo ditë në Greqi në pritje të lejes greke për të vazhduar rrugën drejtë Maqedonisë. Në portin e Pireut, disa qindra emigrantë zhvilluan një protestë duke kërkuar hapjen e rrugëve drejt Maqedonisë. Për gati një orë, ata mbyllën rrugët pranë portit. Autoritetet vendase bënë me dije se nuk mund t’i lejojnë të ikin, pasi nuk ka asnjë vend ku ata qëndrojnë. Në kushte të vështira, të pa ushqyer dhe me gjithçka iu ka mbetur prej luftës në Siri, emigrantët kërkojnë një mundësi për t’u larguar, por autoritetet greke thonë se s’ka asnjë mundësi të ndodhë kjo, nëse Maqedonia nuk vendos hapjen e kufirit. Refugjatët kanë organizuar edhe një protestë. Për të pakësuar ritmin e mbërritjeve në Greqinë kontinentale, qeveria ka vendosur pakësimin e fluksit të emigrantëve që nisen nga ishujt. Është vendosur që të hiqen anijet e posaçme, dhe të lejohen vetëm 600-1000 në ditë të evakuohen nga ishujt e Egjeut drejt Pireut. Në kryeqytetin helen aktualisht ndodhen nëpër sheshe dhe reparte të braktisura, më tepër se 5000 emigrantë të cilët aktualisht jetojnë në kushte të vështira. Ministrat nga Austria dhe vendet e Ballkanit Perëndimor sot takohen në Vjenë, për t’i koordinuar politikat e tyre kufizuese në rritje për migrimin, në periudhën kur ka kritika nga Brukseli dhe Athina. Austria, në fund të javës së kaluar, i ka implementuar kuotat e reja të hyrjes së refugjatëve, duke shkaktuar kufizime në vendet përgjatë së ashtuquajturës “rrugë ballkanike” të migrantëve, prej kufirit ndërmjet Greqisë dhe Maqedonisë . Në Vjenë ministrat e jashtëm dhe të brendshëm, diskutuan për luftimin e trafikantëve të njerëzve dhe për përmirësimin e informacioneve për politikat e tyre në vendet e origjinës së migrantëve potencialë. Për këtë takim, Austria i ka ftuar ministrat nga Shqipëria, Kosova, Kroacia, Bosnjë Hercegovina, Bullgaria, Maqedonia, Mali i Zi, Serbia dhe Sllovenia. Greqia ka dërguar notë proteste në Vjenë, duke u ankuar se Athina nuk është ftuar.