Situata e tensionuar në Maqedoni drejt tensioneve ndëretnike
Ditëve të fundit udhëheqës të lartë të BDI së bashku me simpatizantët e kësaj partie kanë mbajtur protesta para komunës së Butelit kundër ngritjes së kryqit 52 metërsh në rrethrrotullimin në hyrje të kësaj komune. Në krye të protestave ishin deputetë, ministra dhe kryetarë të komunave.
Marshi protestues nisi nga stadiumi i Çairit dhe se më pas kanë vazhduar drejt Butelit. Drejtuesit e BDI-së më pas i kanë lënë një letër zyrtare komunës së Butelit, përmes së cilës janë shprehur qëndrimet kundër ndërtimit të kryqit. Kjo protestë ka bërë që të bllokohen shumë rrugë në territorin e komunës së Butelit dhe Çairit, ndërsa ishin të pranishme edhe forca të mëdha policore. Padyshim se këto veprime mund të çojnë në tensionimin e raporteve ndëretnike në Maqedoni të cilat edhe deri më tani nuk kanë qenë aq të mira. Në shikim të parë mund të duket kështu, mirëpo duke pasur parasysh faktin se këto veprime po ndërmerren në prag të përcaktimit të datës së zgjedhjeve dhe kur dihet fakti se deri më tani partia e cila ka organizuar këto protesta dhe partia e cila ka përkrahur apo ka iniciuar ngritjen e kryqit në Butel, deri më tani kanë qenë për një gati një dekadë së bashku në qeverisje, vërtetë shtrohet një pikëpyetje e madhe këtu. Për tetë vite kanë funksionuar mirë së bashku kurse për tre muaj para mbajtjes së zgjedhjeve, ka filluar aktrimi politik i dy eksponentëve kryesorë të politikës si asaj shqiptare po ashtu edhe maqedonase. Natyrisht se politika duhet të ndryshojë pavarësisht synimeve dhe interesave të këtyre dy partive politike, si pala maqedonase ashtu edhe ajo shqiptare duhet të drejtojnë një politikë e cila do ti kontribuonte vendit dhe rajonit dhe nuk duhet lejuar që situata të eskalojë. Ndërkaq mësohet se, Një grup protestuesish kanë rrënuar bazamentin ku po kryheshin punimet për ngritjen e kryqit 52 metërsh. Ata kanë rrënuar bazamentin, kanë djegur në palmë që ishte pranë, ndërsa më pas kanë vendosur edhe tenda dhe flamuj kombëtarë. Situata është e tensionuar, ndërsa përreth ka prani të shtuar policore. Një pjesë e protestuesve kanë ngelur aty dhe se kanë paralajmëruar se natën do ta kalojnë në këtë vend.