NATO zgjeron operacionet në Egje kundër trafikantëve të refugjatëve
https://parstoday.ir/sq/news/uncategorised-i6142-nato_zgjeron_operacionet_në_egje_kundër_trafikantëve_të_refugjatëve
Pas vendimit të NATO-s për të dërguar flotën e saj detare në detin Egje, Sekretari i Përgjithshëm i aleancës, Jens Stoltenberg ka përshëndetur vendimin për zgjerimin e këtij operacioni në ujërat territoriale të Greqisë dhe Turqisë.
(last modified 2026-03-28T19:16:51+00:00 )
Mars 07, 2016 17:28 Europe/Tirane
  • NATO zgjeron operacionet në Egje kundër trafikantëve të refugjatëve

Pas vendimit të NATO-s për të dërguar flotën e saj detare në detin Egje, Sekretari i Përgjithshëm i aleancës, Jens Stoltenberg ka përshëndetur vendimin për zgjerimin e këtij operacioni në ujërat territoriale të Greqisë dhe Turqisë.

“Anijet e NATO-s janë tashmë duke mbledhur informacione dhe po kryejnë monitorim në detin Egje. Veprimtaria e tyre tani do të zgjerohet dhe do të shtrihet dhe në brendësi të ujërave territoriale të Greqisë dhe Turqisë”, thuhet në njoftimin e Aleancës së Atlantikut të Veriut, e cila gjithashtu bën të ditur se është rënë dakord me autoritetet greke dhe ato turke në zhvillimin e operacioneve në brendësi të ujërave të tyre territoriale. “Qëllimi i vendosjes së NATO-s nuk është për të ndaluar ose të shtyrë mbrapa anijet e emigrantëve, por për të ndihmuar aleatët tanë në përpjekjet e tyre për të ndaluar trafikimin e qenieve njerëzore dhe rrjetet kriminale që janë duke nxitur në këtë krizë”, theksoi Stoltenberg. Nga ana tjetër, kryeministri britanik David Cameron ka deklaruar se Londra do të dërgojë një anije të flotës së saj ushtarake detare në ujërat e detit Egje, në kuadër të misionit të NATO-s për të frenuar valën e refugjatëve, që po ndihmohen nga trafikantët drejt hyrjes ilegalisht në vendet e BE-së. Anija amfibe angleze “Mounts Bay” me helikopterë në bord, e shoqëruar nga anije patrullimi dhe anije civile do të patrullojnë ujërat detare mes Turqisë dhe Greqisë për të eliminuar grupet e trafikantëve, që po mundësojnë mijëra refugjatë të hyjnë në vendet e BE-së. Anijet e NATO-s në këtë mision do të udhëzohen të kthejnë mbrapsht në Turqi emigrantët e kapur dhe jo t’i dërgojnë ata në Greqi. Udhëheqësit e BE-së, të mbledhur në samitin urgjent të Brukselit, shpresojnë se prania e anijeve të NATO-s nuk do të shërbejë si magnet dhe emigrantët nuk do të inkurajohen të ndërmarrin udhëtimin nëpër det, me shpresën se anijet e NATO-s do t’i shpëtojnë dhe do t’i zbresin në brigjet e ndonjë shteti të BE-së. NATO do të duhet të shpjegojë sesi një mision detar do të mund të luftojë në mënyrë të suksesshme grupet e trafikantëve, të cilët rrallë bëjnë vet transportin e emigrantëve, duke përzgjedhur që të qëndrojnë vet në Turqi dhe në vend të saj u ofrojnë emigrantëve ulje çmimi, nëse emigrantët bëjnë vet edhe rolin e skafistit. Sugjerohet se, nga takimi i 28 krerëve të shteteve të BE-së do të konkludohet që i ashtuquajturi “korridor i Ballkanit”, nga Greqia për në BE, tashmë është i mbyllur. Por nuk dihet sesi do të zgjidhet ky problem në një plan afatgjatë, i cili konsiderohet si sfida më e madhe e BE-së në dekadat e fundit. Mbyllja e “korridorit ballkanik” të kalimit të refugjatëve është tema kryesore e samitit të jashtëzakonshëm europian, që ka nisur diskutimet në Bruksel fillimisht me Turqinë, për të vijuar më pas vetëm mes krerëve të shteteve, ose qeverive të BE-së. Në ftesën e Presidentit Donald Tusk, ndaj vendeve anëtare për këtë samit, thuhet se, me marrjen e masave në nivel europian dhe në bashkëpunim me shtetet ballkanike e Turqinë, do t’i jepet fund kësaj rruge. Por, disa vende anëtare shprehin rezerva për përdorimin e një fjalori të tillë të prerë, për formulimin e konkluzioneve përfundimtare të Këshillit të BE-së. Forcimi i kufijve të jashtëm të BE-së është një temë tjetër e rëndësishme e këtij samiti, ndërkohë që zyrtarë të FRONTEX pritet ende që të zhvendosen në pikat kufitare të Greqisë me Shqipërinë dhe Maqedoninë, për t’u ardhur në ndihmë autoriteteve helene, sipas konkluzioneve të arritura gjatë samitit të tetorit me Ballkanin.