Deputetët e PE kërkojnë sanksionimin e Putinit
https://parstoday.ir/sq/news/uncategorised-i6355-deputetët_e_pe_kërkojnë_sanksionimin_e_putinit
57 deputetë të Parlamentit Europian i kërkuan shefes së diplomacisë së BE të përpilojë një projekt për sanksionimin e presidentit rus Vladimir Putin dhe të 28 funksionarëve të tjerë rusë për shkak të gjyqit kundër pilotes ukrainase Nadia Savtchenko.
(last modified 2026-03-28T19:16:51+00:00 )
Mars 09, 2016 17:05 Europe/Tirane
  • Deputetët e PE kërkojnë sanksionimin e Putinit

57 deputetë të Parlamentit Europian i kërkuan shefes së diplomacisë së BE të përpilojë një projekt për sanksionimin e presidentit rus Vladimir Putin dhe të 28 funksionarëve të tjerë rusë për shkak të gjyqit kundër pilotes ukrainase Nadia Savtchenko.

Kjo pilote ukrainase, që po gjykohet në Rusi për vrasjen e dy gazetarëve, i është drejtuar trupit gjykues duke i thënë se nuk ka ndërmend të pranojë akuzat e tyre dhe se do të vazhdojë grevën e urisë të nisur 5 ditë më parë. Nadia Savtchenko e ka bërë këtë deklaratë në mbyllje të procesit, ku dhe ka mohuar akuzën se ka drejtuar artilerinë drejt gazetarëve rusë në qershor të vitit 2014. Sipas mediave ndërkombëtare, ajo ka refuzuar çdo ushqim që prej 3 marsit, kur seanca u përditësua. Në një moment gjatë seancës së të mërkurës, ajo u ul në stolin brenda kafazit të të pandehurve dhe deklaroi se është e pafajshme dhe e cilëson gjyqin një “farsë”. Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian kanë bërë thirrje që ajo të lirohet menjëherë. 57 deputetë të Parlamentit Europian në një letër drejtuar shefes së diplomacisë së BE znj. Federika Mogherini, theksuan se Vladimir Putin dhe 28 funksionarë rusë janë përgjegjës për marrjen e vendimit politik për rrëmbimin e pilotes ukrainase dhe për transferimin e saj në Rusi. Nga ana tjetër, John Kerry, sekretari i DASH, deklaroi se arrestimi i Nadia Savtchenko dëshmon qartë se Rusia nuk po respekton ligjet dhe normat ndërkombëtare dhe ka shkelur marrëveshjen për zgjidhjen e krizës në Ukrainë. Nënpresidenti amerikan Joseph Biden kërkoi lirimin e menjëhershëm të pilotes ukrainase e cila rrezikon të dënohet me 23 vite burgim. Zëdhënësja e Ministrisë së jashtme të Rusisë, Maria Zakharova, i hodhi poshtë pretendimet dhe akuzat e funksionarëve amerikanë dhe shtoi se marrëveshja e Minskut nuk përfshin çështjen Savtchenko. Nga ana tjetër, BE e ka ashpërsuar edhe më shumë qëndrimin ndaj Moskës përsa i përket krizës në Ukrainë. Ambasadorët e Bashkimit Evropian sot kanë zgjatur ngrirjen e aseteve dhe ndalesat e vizave për 146 persona dhe 37 subjekte, të cilat, sipas Bashkimit Evropian, kanë përfituar nga aneksimi i Krimesë nga ana e Rusisë, apo kanë qenë përgjegjës për veprime kundër integritetit territorial të Ukrainës. Lista, e cila do të zgjatet edhe për gjashtë muaj, përfshin zëvendëskryeministrin rus, Dmitry Rogozin, këshilltarin e presidentit rus, Sergei Glazyrev dhe Dmitry Kiselyov, të cilin shumë e cilësojnë si shef të propagandës së Kremlinit. Subjektet që janë në këtë listë përfshijnë kompani në Krime dhe batalione të ndryshme të formuara nga separatistët e mbështetur nga Rusia, në lindje të Ukrainës. Tre persona, që tashmë kanë ndërruar jetë, janë larguar nga lista, përfshirë Igor Sergun, ish-drejtori i GRU-së, drejtoria kryesore e inteligjencës së forcave të armatosura të Rusisë. Ky vendim do të hyjë në fuqi më vonë këtë javë. Edhe kërkesa e bërë sot nga 57 eurodeputetë pritet të shtojë edhe më shumë tensionin mes Brukselit dhe Moskës dhe do të largojë edhe më shumë palët nga respektimi i marrëveshjes së paqes në Ukrainë që u arrit në Minsk në Shkurt 2015. Që prej vitit 2014 kur në Ukrainë erdhën në pushtet forcat pro-perëndimore, Kievi ka ndjekur politikën e afrimit me BE dhe NATO-n dhe kjo e ka irrituar Rusinë, e cila po ndjek politika të ashpra ndaj Ukrainës.