Mbyllja e rrugës ballkanike për refugjatët
https://parstoday.ir/sq/news/uncategorised-i6460-mbyllja_e_rrugës_ballkanike_për_refugjatët
Ministrja e brendshme e Austrisë deklaroi se rruga ballkanike për refugjatët është e mbyllur.
(last modified 2026-03-28T19:16:51+00:00 )
Mars 10, 2016 16:37 Europe/Tirane
  • Mbyllja e rrugës ballkanike për refugjatët

Ministrja e brendshme e Austrisë deklaroi se rruga ballkanike për refugjatët është e mbyllur.

Johanna Mikl-Leitner tha se rruga e refugjatëve drejt Evropës perëndimore që kalon nga vendet ballkanike patjetër do të mbyllet perfundimisht. Ndër të tjera ajo shtoi se BE po rrezikon vlerat e tij, duke liberalizuar vizat për Turqinë. Ministrja e brendshme e Austrisë shtoi: ''Ne do të diskutojmë paketën në tërësi, por më lejoni të them se ajo që është e diskutueshme është fakti që Turqia mbyll forcërisht disa gazeta kritike të qeverisë dhe tre ditë më pas del përballë Bashkimit Evropian me një listë dëshirash që mbyllen me liberalizim vizash. Ne po rrezikojmë veten dhe vlerat tona dhe pikërisht për këtë duhet të diskutojmë.'' 28 Udhëheqësit e BE-së kanë rënë dakord që të përfundojnë marrëveshjen me Turqinë para samitit të 17-18 marsit. Edhe ministri i jashtëm austriak Sebastian Kurz mirëpriti mbylljen e rrugës ballkanike për refugjatët dhe deklaroi se marrëveshja BE-Turqi nuk mund të llogaritet si rrugëzgjidhje për krizën e refugjatëve. Ministrat e Brendshëm të Bashkimit Evropian po diskutojnë në një takim në Bruksel projektmarrëveshjen e arritur mes Bashkimit Evropian dhe Turqisë në përpjekje për të frenuar fluksin e emigrantëve. Në këmbim të marrjes së gjithë refugjatëve që mbërrijnë në brigjet greke, Bashkimi Evropian i ka ofruar Turqisë 6 miliardë euro ndihmë, liberalizim të vizave për qytetarët turq deri në qershor dhe hapjen e negociatave për pesë kapituj në procesin e integrimit të Turqisë deri në fund të këtij viti. Komisioneri evropian i emigracionit Dimitris Avramopoulos tha se kriza rrezikon të kthehet në një “katastrofë humanitare”. Ai theksoi: ''Nëse vërtetë duam t’i japin fund krizës, të ndalojnë vdekjet dhe emigracionin e paligjshëm, ne duhet të hapim një dritare të re dhe të sigurt. Në rast të kundërt, ne do të jemi dëshmitarë të një situate të rëndë, ku emigrantët dhe trafikantët do të gjejnë rrugë të reja.'' Nga ana tjetër, kancelarja gjermane, Angela Merkel fajësoi shtetet europiane për “mbylljen e njëanshme” të rrugës ballkanike të refugjatëve. Një lëvizje e tillë, sipas shefes së ekzekutivit gjerman, e vendos Greqinë në pozicion tepër të vështirë. “Këto janë vendime që duhet të merren nga i gjithë blloku europian dhe jo vetëm nga disa anëtarë të tij”, ishte komenti i kancelares. Austria, Sllovenia, Kroacia dhe vendet jo anëtare të BE-së, Serbia e Maqedonia, kanë ndërmarrë që të gjitha masa të ashpra për frenimin e fluksit të emigrantëve. “Personalisht mendoj se, veprimi i njëanshëm i Austrisë, i pasuar nga ato të vendeve ballkanike, padyshim do të na sjellë më pak emigrantë, por Greqinë do ta vendosë në situatë tepër të vështirë. Nëse nuk do të arrijmë vulosjen e marrëveshjes me Turqinë, Greqia nuk do ta përballojë dot për një kohë të gjatë peshën e emigrantëve. Për këtë arsye edhe po kërkoj një zgjidhje të vërtetë europiane të problemit, një zgjidhje që të përfshijë të 28 vendet anëtare”, tha Merkel. Austria këmbëngul megjithatë se, mbyllja e rrugës ballkanike është e përhershme. Ministrja e Brendshme, Johanna Mikl-Leitner e argumentoi qëndrimin e palëkundur të vendit të saj me idenë, që vetëm një “sinjal i fortë dhe i qartë” do ta zmbrapsë vërshimin e azilkërkuesve në Europë. Me mbylljen e rrugës ballkanike janë disa alternativat që emigrantët mund të provojnë t’i eksplorojnë. Pjesa dërrmuese e 1.1 milionë të mbërriturve në Gjermani gjatë 2015-s kishte përshkuar itinerarin ballkanik. Rruga më e mundshme për ta tani duket të jetë ajo nga Greqia në Shqipëri. Një pjesë ndoshta vazhdojnë udhëtimin drejt Malit të Zi, por të tjerë mund të përpiqen të kalojnë Adriatikun me qëllim zbarkimin në brigjet e Pulias. Ka edhe një tjetër rrezik për Italinë. Mbyllja e kufijve në Ballkan mund t’i shtyjë emigrantët t’i rikthehen itinerarit të vjetër, udhëtimit të rrezikshëm përmes Mesdheut. Nuk përjashtohet as alternativa Deti i Zi-Ukrainë-Poloni. Zyrtarët në Varshavë janë vënë në alarm nga impakti që mund të ketë mbi vendin e tyre bllokimi i kalimit në rajonin e Ballkanit, pasi emigrantët mund të nisen nga Turqia, të kalojnë Detin e Zi e të çajnë rrugën e tyre përmes Ukrainës, për të vërshuar pas kësaj në Poloni.