Amerika në një vështrim të brendshëm...47
Me përshëndetje për ju të nderuar dëgjues, po fillojmë emisionin me titull '' Amerika në një vështrim të brendshëm'' ku do të trajtojmë zhvillimet më të rëndësishme politike, ekonomike dhe sociale në SHBA gjatë javës që lamë pas.
Spikeri
Javën e kaluar, kandidati republikan për zgjedhjet presidenciale në SHBA bëri deklarata të reja kundër Islamit dhe muslimanëve. Donald Trump i cili njihet për deklaratat e tij raciste dhe ksenofobe, deklaroi sot se muslimanët e urrejnë perëndimin. Në një intervistë me CNN, Trump tha se në mesin e muslimanëve ekziston një urrejtje e pabesueshme ndaj perëndimit dhe Amerikës. “Mendoj se Islami na urren neve. Ka një urrejtje të madhe, të pabesueshme ndaj nesh”, ka thënë Trump. I pyetur nëse ai mendon se ka “luftë midis Perëndimit dhe vetë Islamit”, Trump ka thënë: “Është radikale, por është vështirë të definohet. Është vështirë të ndahet, sepse nuk e dini kush është kush”. Kritikët thonë se retorika e Trumpit, si dhe thirrja e tij për të ndaluar myslimanët të hyjnë në SHBA, vetëm se do të përkeqësojnë problemet me myslimanët. Madje edhe vetë anëtarët e partisë së tij e kanë cilësuar atë ''fashist'' pas deklaratave të pamatura kundër muslimanëve dhe refugjatëve. Disa anëtarë konservatorë të partisë republikane në Amerikë kanë kundërshtuar kandidimin e miliarderit Donald Trump për presidentin e ardhshëm në Amerikë dhe kanë paralajmëruar mbi mundësinë e fitores së tij në zgjedhje. Senator Lindsey Graham që më parë ka qenë kandidat brenda partisë për zgjedhjet presidenciale, por që më pas është tërhequr nga gara, ka thënë: Në rast se në zgjedhjet në Florida dhe në Ohaio fiton Trump do të bëhet e pamundur fitorja e kandidatit tjetër rival i tij brenda partisë republikane. Donald Trump në tre zgjedhjet paraprake të republikanëve ka fituar kundrejt tre rivalëve të tij dhe kjo e ka afruar atë për tek fitorja përfundimtare. Ted Cruz kandidati republikan është rivali kryesor i Trump brenda partisë në fjalë. Senatori nga Florida Marco Rubio fshikulloi subjektin e preferuar, kryesuesin e garës Donald Trump dhe deklaratat e këtij të fundit se, Islami e urren Amerikën. Rubio, që votimin e Floridës e ka për “jetë a vdekje”, kujtoi se Islami ka një problem me radikalizimin, “por shumica e muslimanëve këtu - shtoi ai, - janë krenarë që janë amerikanë”. “Presidentët nuk mund të nxjerrin nga goja çfarëdo lloj gjëje që u shkon në mendje. Duhet të mendojnë para se të flasin, sepse ka pasoja”, tha Marco Rubio. Manjati Trump u qëndroi deklaratave të mëhershme, e vazhdoi t’i mëshonte idesë së vet se, Islami ka një urrejtje të tmerrshme ndaj Shteteve të Bashkuara. Trump foli kundër korrektesës politike, por Rubio u përgjigj fare thjeshtë: unë nuk jam i interesuar të jem politikisht korrekt. Unë jam i interesuar të jem korrekt. Të 4 republikanët në debat duket i mbajtën vathë në vesh këshillat e udhëheqësve të partisë për një përballje sa më qytetare. Ndryshe nga shfaqja e fundit televizive, që u mbush me fyerje personale, debati i Miamit ishte mjaft më i qetë dhe i fokusuar te politika.
Spikeri
Javën e kaluar, presidenti amerikan, Barack Obama, ka hedhur poshtë zërat se ai ishte përgjegjës për ngritjen e Donald Trump dhe çarjen e shënuar mes Partisë Republikane, duke insistuar se kjo është një plagë e vetëshkaktuar. “Unë jam fajësuar nga republikanët për shumë gjëra, por të fajësohem për zgjedhjet e tyre paraprake dhe për kë ata po zgjedhin si përfaqësues të tyre kjo është jo realiste”, tha Obama. Disa analistë politikë dhe republikanë kanë hedhur teorinë se Obama ka krijuar një klimë të polarizuar që i ardhuri nga jashtë politikës, Donald Trump, ka mundur ta shfrytëzojë. Në fakt, ngritja e papritur e biznismenit miliarder nga Nju Jorku duke lënë pas figura të mbështetura prej lidershipit republikan si Guvernatori i Floridas, Jeb Bush, ka ngritur frikën se Partia Republikane mund të përçahet rëndë. Komentatorë të ndryshëm në media kanë përdorur edhe fraza si “luftë civile” apo “krizë ekzistenciale” e Partisë Republikane. Obama duket se është i kënaqur me garën kaotike në kampin republikan dhe beson se kjo do të ndihmojë demokratët të fitojnë në zgjedhjet presidenciale. Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, tha se qëndrimet e Donald Trumpit nuk janë aq të ndryshme nga ato të kandidatëve të tjerë republikanë për president të SHBA-ve, dhe se dallimi është se Trump është më provokues kur flet për to. Këto komente Obama i bëri gjatë një konference të përbashkët për medie me kryeministrin kanadez, Justin Trudeau. Obama tha se qëndrimet e Trumpit lidhur me temën e migracionit, e po ashtu edhe çështjet e tjera, nuk dallojnë prej atyre të senatorit nga Teksasi, Ted Cruz, apo atij nga Florida, Marco Rubio. Obama e ka quajtur garën republikane një “cirk”. Ai tha se beson që demokratët po bëjnë punë të mirë në zgjidhjen e çështjeve në garën ndërmjet tyre.
Spikeri
Megjithatë edhe debati mes kandidatëve demokratë gjatë javës së kaluar nuk ishte pa akuza e kundër-akuza. Pretendentët demokratë për president të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bernie Sanders dhe Hillary Clinton, u përballën ashpër për emigracionin dhe çështje të tjera në debatin e radhës në Florida. Kjo përballje televizive u zhvillua vetëm disa ditë përpara zgjedhjeve të radhës, mes të cilave do të jetë edhe shteti i Floridës. Me 246 delegatë në lojë, ky shtet jugor është çmimi i madh i zgjedhjeve të 15 marsit. Clinton sulmoi Sandersin duke thënë se ky i fundit votoi kundër reformës së emigracionit në vitin 2007, duke treguar qëndrimin e tij antiemigracion. Por Sandersi u përgjigj duke thënë se ai ishte i shqetësuar për trajtimin e punëtorëve të huaj dhe sipas tij, ajo reformë e propozuar në atë kohë ishte e ngjashme me skllavërinë. Ai gjithashtu shtoi se Clinton nuk është dakord që emigrantët ilegalë të marrin patentë për drejtim mjeti në SHBA. Sipas analistëve, gara demokrate ka ndryshuar ndjeshëm që pas fitores surprizë të Sandersit në Miçigan dhe Clinton është detyruar të pranojë se rivali i saj nuk është mposhtur ende. Sandersi po shfrytëzon fitoren e beftë në Miçigan duke sulmuar dhe më fort Clintonin, ndërsa sugjeroi se ajo ka diçka për të fshehur, pasi nuk publikon pagesat e marra për fjalimet e bëra në firmat e Wall Street-it dhe se ajo është në xhepin e biznesit të madh. Clinton dhe Sanders debatuan për çështje si krijimi i vendeve të punës, arsimi dhe ndryshimet klimaterike. Sigurisht, nuk mund të mungonte sulmi i përbashkët ndaj republikanit Donald Trump, i cili, sipas tyre, nuk është absolutisht njeriu i duhur për të drejtuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Spikeri
Javën e kaluar, një gjykatë amerikane me një veprim të habitshëm, akuzoi Iranin për lidhje me sulmet e 11 shtatorit 2001 në SHBA dhe e dënoi Iranin që tu paguajë 10,5 miliard $ familjeve të viktimave të këtyre sulmeve. Gjykata e Nju Jorkut pretendoi se Irani i ka përkrahur sulmet e 11 shtatorit dhe për këtë arsye duhet tu paguajë dëmshpërblim prej 7, 5 miliard $ të afërmve të viktimave dhe 3 miliard $ kompanive të sigurimeve. Ky vendim merret në një kohë kur në bazë të raporteve zyrtare të qeverisë amerikane nuk ekziston as shenja më e vogël e lidhje mes Iranit dhe këtyre sulmeve terroriste. Sulmet e 11 shtatorit 2001 në bazë të raportit të Shtëpisë së Bardhë, u kryen nga 19 arabë dhe 15 prej tyre ishin shtetas të Arabisë Saudite. Të nesërmen e këtyre sulmeve, Arabia Saudite ishte në qendër të akuzave. Kreu i Al Kaidës që mori përsipër sulmet terroriste të 11 shtatorit ishte shtetas saudit. Megjithatë, qeveria amerikane nuk e akuzoi Arabinë Saudite për vrasjen e mbi 3 mijë qytetarëve amerikanë dhe vazhdoi marrëdhëniet e ngrohta me Riadin. Gjatë 15 viteve që kanë kaluar nga sulmet e 11 shtatorit, asnjëherë nuk është përmendur emri i Iranit apo i ndonjë shtetasi iranian që të ketë lidhje me këtë ngjarje. Gjykata e Nju Jorkut pa pasur asnjë fakt apo dëshmi akuzoi Iranin, ndërsa megjithë faktet e shumta për implikimin e Arabisë Saudite në këto sulme, e shpalli të pafajshëm Riadin.