Kriza e refugjatëve vështirëson pozitën e kancelares Merkel
https://parstoday.ir/sq/news/uncategorised-i6871-kriza_e_refugjatëve_vështirëson_pozitën_e_kancelares_merkel
Tre rajone të Gjermanisë po mbajnë gjatë ditës së sotme zgjedhje vendore, teksa rezultati pritet që të vërë në provë edhe besueshmërinë e qytetarëve vendas ndaj kancelares Angela Merkel.
(last modified 2026-03-28T19:16:51+00:00 )
Mars 13, 2016 16:38 Europe/Tirane
  • Kriza e refugjatëve vështirëson pozitën e kancelares Merkel

Tre rajone të Gjermanisë po mbajnë gjatë ditës së sotme zgjedhje vendore, teksa rezultati pritet që të vërë në provë edhe besueshmërinë e qytetarëve vendas ndaj kancelares Angela Merkel.

Ekspertët kanë gjykuar se kriza e emigrantëve mund të luajë një rol mjaft të madh në këto zgjedhje. Sipas parashikimeve, Unioni Kristian Demokrat i kryesuar nga Merkel, mund të shënojnë rënie në rezultatin përfundimtar për shkak të politikave ‘pro-strehimit të azil-kërkuesve.’ Fluksi i tyre tepër i lartë si dhe një sërë ngjarjes mjaft të kritikuara si sulmet e regjistruara në Koln gjatë mbrëmjes së ndërrimit të viteve, kanë bërë që shumë qytetarë gjermanë të kundërshtojnë ashpër ardhjen e emigrantëve nga lindja e mesme. Si rrjedhojë, disa parti opozitare që kanë mbështetur idenë e mbylljes së kufijve pritet të shënojnë rritje në rezultate. Një prej partive kryesore të kësaj natyre është pikërisht Alternativa për Gjermaninë, e cila sipas projeksioneve të marra nga sondazhet, mund të marrë një rezultat pozitiv nga këto zgjedhje. Kancelarja gjermane Angela Merkel nuk ka pranuar që të ndryshojë qëndrimin e saj për emigrantët, duke thënë se vijon t’i qëndrojë idesë së politikave pro-strehimit të azil-kërkuesve. E pyetur se si po përgatitej për rezultatin e zgjedhjeve të së dielës, ajo tha se kishte kryqëzuar gishtat. Asnjëherë zgjedhjet e landeve nuk kanë pasur një rëndësi të tillë si sot. Partia antiemigracion, “Alternativa për Gjermaninë” (AfD) pritet të sigurojë një mbështetje disi më të madhe, mbi të gjitha për shkak të politikës së ashtuquajtur “të dyerve të hapura” të ndjekur nga Merkeli. Sondazhet tregojnë se Unioni i saj Kristiandemokrat (CDU) pritet të mbetet partia më e madhe në rajonin lindor të vendit, Saxony-Anhalt. Ajo pritet të mposhtet përballë “Të gjelbërve” në rajonin perëndimor të Baden-Wuerttembergut, edhe pse aktualisht është partia e parë. Ndërsa në Rhineland-Palatinate, ku CDU-ja ka qenë e dyta në zgjedhjet e fundit, gara është “në tehun e thikës”. Sondazhet deri më tani tregojnë se mbështetja e “AfD”-së shkon deri në 19% në Saxony-Anhalt, ku CDU-ja dhe Socialdemokratët qeverisin aktualisht në koalicion. Nëse “AfD”-ja rezulton me po këtë mbështetje, siç tregojnë sondazhet, atëherë partnerët e koalicionit mund të duhet të hyjnë në negociata me një parti të tretë, për të formuar shumicën. zëvendëskancelari gjerman, Sigmar Gabriel tha gjatë së shtunës se, rritja e “AfD”-së nuk do ta ndryshojë qëndrimin e qeverisë së tij ndaj emigracionit. “Ne i qëndrojmë besnikërisht vendimit tonë, që ka për bazë humanizmin dhe solidaritetin. Nuk do ta ndryshojmë pozicionin tonë tani”. Megjithatë, në Berlin rreth 2.000 demonstrues të së djathtës, me flamuj nëpër duar bërtisnin slogane si “Merkeli duhet të largohet!” dhe “Ne jemi njerëz!”. Në rast të ndonjë rezultati jopozitiv, ndaj Merkelit do të shtohet edhe më tej presioni, pikërisht tani që ajo po përpiqet të çojë përpara një marrëveshje mes BE-së dhe Turqisë për të reduktuar numrin e emigrantëve dhe refugjatëve që hyjnë me synimin vendet e Europës Perëndimore apo asaj Veriore. Më shumë se një milion emigrantë dhe refugjatë kanë hyrë në Gjermani vetëm gjatë vitit 2015.