Bisedime të vështira në Gjenevë
https://parstoday.ir/sq/news/uncategorised-i7003-bisedime_të_vështira_në_gjenevë
Raundi i dytë i bisedimeve të paqes në Siri, nisi sot më 14 Mars në Gjenevë, në kushtet kur qeveria siriane dhe grupet e opozitës siriane nuk kanë rënë dakord për detajet e këtyre bisedimeve tepër të rëndësishme dhe kanë mosmarrëveshje mbi axhendën e bisedimeve.
(last modified 2026-03-28T19:16:51+00:00 )
Mars 14, 2016 17:08 Europe/Tirane
  • Bisedime të vështira në Gjenevë

Raundi i dytë i bisedimeve të paqes në Siri, nisi sot më 14 Mars në Gjenevë, në kushtet kur qeveria siriane dhe grupet e opozitës siriane nuk kanë rënë dakord për detajet e këtyre bisedimeve tepër të rëndësishme dhe kanë mosmarrëveshje mbi axhendën e bisedimeve.

Raundi i mëparshëm i bisedimeve të Gjenevës dështoi për shkak të mospjesëmarrjes së grupit të quajtur ''Komiteti i Lartë i Negociatave''. Parakushti i opozitarëve është dorëheqja e presidentit sirian Bashar Asad gjatë periudhës së tranzicionit politik, por qeveria siriane e ka hedhur poshtë këtë kërkesë. Komiteti i Lartë i Negociatave, një ombrellë e grupeve opozitare, e mbështetur nga Arabia Saudite, tha se do të bëjë thirrje për një qeveri tranzitore, me fuqi të plota ekzekutive, e cila nuk do ta përfshijë Bashar Asadin apo ndonjë prej bashkëpunëtorëve të tij. Ministri i Jashtëm sirian, Valid al-Mualem tha se thirrja e opozitës për largimin e Asadit nga pushteti do të jetë një “vijë e kuqe” dhe ka sugjeruar se kjo temë do të ndikonte në prishjen e negociatave në Gjenevë. Delegacioni i qeverisë së Sirisë kryesohet nga Bashar Xhafari, përfaqësuesi i përhershëm i Sirisë në OKB. Muhamed Alush është kryenegociatori i delegacionit të opozitarëve sirianë në Gjenevë. Ai ka deklaruar se faza e tranzicionit politik në Siri duhet të fillojë me largimin nga pushteti të Bashar Asad, president i Sirisë. Duke reaguar ndaj kësaj deklarate, Valid al-Moalem, ministri i punëve të jashtme të Sirisë, ka deklaruar se Bashar Asad është vija e kuqe dhe nëse opozitarët ende insistojnë në shkeljen e vijave të kuqe të qeverisë siriane, nuk ka nevojë fare të vinë në Gjenevë. Pikëpamjet e ndryshme të përfaqësuesve të grupeve opozitare dhe terroriste dhe përfaqësuesve të qeverisë sirianë dëshmojnë qartë për mosmarrëveshjet e thella që ekzistojnë mes dy palëve. Që nga viti 2012, mbi 48 mijë terroristë nga 52 vende të botës kanë luftuar në Siri kundër qeverisë dhe popullit sirian, ndërsa mbi 100 grupe opozitare brenda dhe jashtë Sirisë kanë përkrahur armëpushimin e vendosur kohët e fundit dhe janë distancuar nga grupet terroriste. Para fillimit të bisedimeve të Gjenevës, i vetmi propozim i opozitarëve ishte federalizimi i Sirisë, por kjo ide është hedhur poshtë nga autoritetet e Damaskut. Funksionarët sirianë theksojnë se federalizimi i Sirisë do të çojë në shpërbërjen e vendit. Nga ana e tij, Stefan De Mistura, i dërguari special i OKB për çështjen e Sirisë, në lidhje me këtë takim të rëndësishëm në Gjenevë pohoi se në këtë raund të negociatave, do të bisedohet edhe në lidhje me zgjedhjet presidenciale në Siri. Deklarata e Stefan De Mistura për organizimin e zgjedhjeve presidenciale në Siri gjatë 18 muajve të ardhshëm ka irrituar qeverinë e Damaskut. KS i OKB në Dhjetor të vitit 2015 miratoi një rezolutë ku kërkoi që gjatë 6 muajve të ardhshëm të krijohet një qeveri gjithëpërfshirëse siriane e pastër nga çdo sektarizëm dhe pas 18 muajsh të organizohen zgjedhjet presidenciale nën monitorimin e OKB. Pasojat e këtij sektarizmi të përkrahur nga bashkësia ndërkombëtare i ka vuajtur populli sirian. Sipas përfaqësuesit të OKB për çështjen e Sirisë, nëse do të dështojnë këto bisedime, opsioni zëvendësues është kthimi në luftë dhe në këtë mënyrë jo vetëm Siria, por edhe bota perëndimore dhe Amerika do të pësojë humbje. Aktualisht kriza e refugjatëve sirianë dhe Evropa e kanë detyruar botën perëndimore që të mendojë rrugëzgjidhje serioze në lidhje me krizën në Siri. Megjithatë, vende të tilla si Turqia dhe Arabia Saudite që gjatë 5 viteve të fundit kanë përkrahur grupet terroriste si ISIS dhe Al Nusra, duke mbështetur kërkesat e tepërta të të ashtuquajturve '' opozitarë të moderuar'' po vënë në rrezik edhe raundin e dytë të bisedimeve të Gjenevës.