Marrëdhëniet mes Europës dhe Iranit në vitin 1394
Me përshëndetje për ju të nderuar dëgjues, po fillojmë emisionin tonë ku do t'u hedhim një vështrim marrëdhënieve mes Europës dhe Iranit në vitin iranian 1394.
Marrëdhëniet mes Europës dhe Iranit gjatë 5 viteve të kaluara, duke pasur parasysh pjesëmarrjen e Europës në sanksionet e njëanshme të SHBA kundër Iranit, pësuan një rënie të dukshme sidomos në sektorin ekonomik dhe tregtar. Shkaku kryesor i politikës se presioneve dhe sanksioneve të perëndimit kundër Iranit ishte këmbëngulja e Iranit në vazhdimit e programit paqësore bërthamor të tij. Ky program u kundërshtua ashpër nga perëndimorët, të cilët u koordinuan në politikat sanksionuese kundër RII. Megjithatë, me fillimin e raundit të ri të bisedimeve bërthamore, mes RII dhe grupit G 5+1 në vitin 2013 (1292), u krijuan kushte të reja për zgjerimin e marrëdhënieve mes Iranit dhe Europës. Pas disa raunde bisedimesh në Gjenevë, Nju Jork dhe Vjenë mes Iranit dhe G 5+1 u arrit marrëveshja bërthamore në kuadër të '' Planit të veprimit reciprok'' duke u ruajtur e drejta e Iranit për posedimin e teknologjisë paqësore bërthamore. Më 20 Korrik 2015, KS i OKB miratoi rezolutën 2231 duke hapur rrugën për zbatimin e marrëveshjes bërthamore. Pasi KG i ANEA mbylli dosjen e pretendimeve mbi aspektet eventuale ushtarake të programit bërthamor iranian (PMD), në Janar 2016 filloi heqja graduale e sanksioneve kundër Iranit.
Ministri i jashtëm i RII dhe shefja e politikës së jashtme të BE, pas hyrjes në zbatim të marrëveshjes bërthamore, shprehën besimin se marrëveshja bërthamore do të krijojë mundësinë për marrëdhënie të reja mes RII dhe BE. Muhamed Xhavad Zarif dhe Federika Mogherini deklaruan se Irani dhe BE kanë patur marrëdhënie të gjera mes tyre dhe me anë të marrëveshjes mes Iranit dhe grupit 5+1 do të hapet një faze e re bashkëpunimi. Ministri i jashtëm i RII theksoi se pas kalimit të fazës juridike Teherani do të zbatojë të gjitha zotimet e tij të përshkruara në marrëveshje dhe shtoi se populli iranian është i shqetësuar nga prirjet dhe politikat e disa vendeve perëndimore dhe është e domosdoshme ruajtja e seriozitetit dhe e logjikës në zbatimin e marrëveshjes së programit të veprimeve të përbashkëta dhe gjithashtu është e domosdoshme që vendet perëndimore dhe në veçanti Amerika të veprojnë siç duhet për të fituar besimin e popullit iranian. Nga ana e saj Federika Mogherini tha se pas zbatimit të marrëveshjes bërthamore është hapur një faqe e re në marrëdhëniet mes Iranit dhe Evropës dhe shtoi se aktualisht ka ardhur koha që palët të tregojnë se për marrëveshjen e arritur mes tyre janë të gatshëm ta zbatojnë gjë e cila mund të jetë veprim historik. Shefja e diplomacisë evropiane pasi vuri në dukje se flet në emër të 28 vendeve evropiane tha se ka mbështetjen e tyre dhe shtoi se marrëveshja bërthamore është e gjerë dhe ajo është gatshme për zbatimin e kësaj marrëveshjeje.
Para periudhës së sanksioneve, BE ishte partneri i parë tregtar i Iranit dhe aktualisht synon të rikthehet në këtë pozitë. Për këtë dëshmojnë vizitat e shumë delegacioneve politike, ekonomike dhe tregtare të vendeve të BE në Teheran. Sot, të gjitha vendet europiane dëshirojnë zgjerimin e marrëdhënieve me Iranin dhe gjatë dy viteve të fundit mbi 100 delegacione europiane vizituan Iranin. Vizitat e presidentit të Austrisë, të zv/kancelarit gjerman, të kryeministrit grek, të kryetarit të PE, të presidentit të Zvicrës, të kryeministrit të Hungarisë, të shefes së politikës së jashtme të BE dhe e shumë ministrave të jashtëm e të ekonomisë së vendeve të fuqishme të BE në Iran dëshmojnë qartë për dëshirën e vendeve europiane për zgjerimin e marrëdhënieve me Iranin. Edhe RII në kuadrin e përpjekjeve për modernizimin e ekonomisë, synon ngritjen e nivelit të marrëdhënieve ekonomike, tregtare, politike dhe kulturore me të gjitha vendet europiane. Vizitat reciproke të funksionarëve të Iranit dhe të BE kanë rezultuar në nënshkrimin e dhjetëra marrëveshjeve dhe kontratave të bashkëpunimit në fushën e ekonomisë, tregtisë, financave, në sektorin bankar, të energjisë, turizmit, infrastrukturës, mjekësisë, farmaceutikës, transportit, industrisë së automobilave, transportit ajror etj. Ky proces ka qenë i paprecedent gjatë 10 viteve të fundit dhe ka shënuar përmirësimin e dukshëm të marrëdhënieve Iran-BE.
Në ditët e para të vitit 2016, shefja e politikës së jashtme të BE vizitoi Iranin ku u shpreh e sigurtë për perspektivën e ndritur të marrëdhënieve mes Iranit dhe BE. Presidenti i RII në takim me shefen e diplomacisë evropiane e ka përshkruar marrëveshjen bërthamore Iran-Grupi 5+1 si “manifestim i forcës së diplomacisë në zgjidhjen e çështjeve ndërkombëtare” dhe deklaroi: Ashtu siç është bërë përpjekje për arritjen e marrëveshjes bërthamore, ashtu duhet bërë përpjekje për zbatimin e saktë dhe të plotë të kësaj marrëveshje dhe me të gjitha forcat të përqendrohemi në këtë drejtim në mënyrë që popujt tanë dhe e gjithë bota të shfrytëzojë dobitë e kësaj marrëveshje”. Federika Mogherini në këtë takim, marrëveshjen bërthamore Iran-Grupi 5+1 e ka përshkruar si një hap shumë të rëndësishme drejt zgjerimit të paqes dhe ka deklaruar: “Duke përfaqësuar Bashkimin Evropian, deklaroi se ne me zotim dhe unitet të plotë mbështesim këtë marrëveshje dhe si anëtare e komisionit të përbashkët, do të bëjmë të gjitha përpjekjet për zbatimin e kësaj marrëveshje hap pas hapi në mënyrë të drejtë, të saktë dhe me kohë të caktuar. Bashkimi Evropian është plotësisht i gatshëm dhe i vendosur për të hapur një kapitull të ri të marrëdhënieve me Iranin”-shtoi znj. Mogherini. Duke marrë parasysh faktin se "muri i sanksioneve" ishte bërë pengesë për zhvillimin e shumë veprimtarive dhe bashkëpunimeve tregtare, aktualisht në përputhje me marrëveshjen përfundimtare bërthamore në një të ardhme të afërt ky mur do të shkatërrohet plotësisht dhe në këtë mënyrë do të krijohen kushte për bashkëpunime të ndryshme tregtare të vendeve evropiane me Iranin. Vizita e Federika Mogherinit në Iran ishte një mundësi më shumë për rishikimin e bashkëpunimeve Iran-Evropë. Bashkëpunimi i ri i Iranit me Evropën do të përqendrohet në zgjidhjen e mangësive të së kaluarës dhe vizita e shefes së diplomacisë evropiane në Teheran krijoi një solidaritet akoma më të madh për bashkëpunimin ekonomik të të dy palëve. Bisedimet konstruktive mbi çështjet e rajonit dhe roli i rëndësishëm i vendeve evropiane në zbatimin e akordeve të arritura dhe garancitë për një ambient bashkëpunimi akoma më të gjerë, ishin ndër temat për të cilat diskutoi znj. Federika Mogherini gjatë vizitës së saj në Iran. Vende si Gjermania, Austria, Italia dhe Zvicra janë angazhuar për të përmirësuar marrëdhëniet me RII dhe gjatë vizitës së saj në Teheran, Federika Mogherini paraqiti propozime të reja për shtimin e besimit dhe bashkëpunimit bilateral.
Në përgjithësi duhet thënë se marrëdhëniet Iran-BE duhet të formulohen në bazë të parimit fitore-fitore dhe kushti kryesor për këtë është guximi i evropianëve për të ndjekur një politikë të pavarur nga SHBA përsa u përket raporteve me Iranin. Këto marrëdhënie duhet të bazohen në respektin reciprok dhe në interesat e përbashkëta. Në aspektin ekonomik dhe industrial, prioritet i marrëdhënieve mes Iranit dhe BE duhet të jetë transferimi i teknologjisë dhe zhvillimi i industrisë. Evropianët e shohin Iranin si porta hyrëse në rajonin e gjerë të Azisë qendrore dhe jugore. Përveç kësaj, Irani ka potenciale madhore për furnizimin e Evropës me energji dhe pozita e lakmueshme gjeografike e Iranit që shtrihet mes Gjirit Persik dhe detit Kaspik ofron mundësi të mëdha bashkëpunimi mes Iranit dhe Evropës. Për shkak të mungesës së politikave të pavarura, BE në vendosjen e sanksioneve kundër Iranit pësoi dëmet më të mëdha se kushdo tjetër, prandaj tashmë ka ardhur koha që BE të dëshmojë një personalitet të ndryshëm e të pavarur në marrëdhëniet me Iranin. Vendet evropiane nuk duhet ta shohin Iranin si një treg të madh për shitjen e mallrave të tyre dhe si një rrugë për të dalë nga kriza ekonomike. Marrëdhëniet Iran-BE do të kenë vazhdimësi nëse do të jenë konstruktive dhe nëse do të garantojnë interesat e të dy palëve.