Zhvillimet në Turqi në vitin 1394
Shumë nga qarqet politike, vitin e kaluar në Turqi e quajtën viti i zgjedhjeve. Edhe në vitin 1393 (2014) Turqia organizoi disa zgjedhje si zgjedhjet presidenciale dhe zgjedhjet për këshillat e bashkive dhe provincave. Sidoqoftë, zgjedhjet parlamentare të verës dhe të dimrit të kaluar ishin një rast për praninë e aktorëve të ndryshëm në skenën politike të Turqisë.
Vitin e kaluar, Presidenti i Turqisë edhe njëherë theksoi nevojën e vendosjes së një sistemi presidencial në Turqi. Rexhep Taip Erdogan duke folur para funksionarëve të pushtetit lokalë në Pallatin presidencial, deklaroi se vendosja e një sistemi presidencial është e domosdoshme për progresin e demokracisë dhe për zhvillimin e Turqisë. Presidenti turk duke folur për sistemin presidencial, përmendi Gjermaninë naziste në kohën e Hitlerit si një shembull të suksesshëm të këtij sistemi, por deklaratat e tij shkaktuan irritim në Turqi dhe në arenën ndërkombëtare. “Turqia ka një nevojë për përcaktimin e sistemit të saj të qeverisjes, në përputhje me nevojat e veta,” ka theksuar Erdogan. Adoptimi i sistemit presidencial për të zëvendësuar modelin parlamentar që ekziston në Turqi që nga viti 1923, u bë çështje kryesore në zgjedhjet e përgjithshme të vitit të kaluar. I mbështetur nga partia e tij, Erdogani në mënyrë të përsëritur ka shprehur dëshirën e tij për të ndryshuar modelin parlamentar në sistem presidencial. Erdogani i zgjedhur si president në gusht të vitit 2014, i cili për 3 mandate ka shërbyer edhe si kryeministër, ka deklaruar se Turqia asnjëherë më parë nuk ka qenë kaq afër reformave të mëdha politike. Këto deklarata të presidentit turk u bënë shkak që forcat opozitare në Turqi ta akuzojnë atë për shkelje të lirive dhe të të drejtave themelore dhe për përpjekje për vendosjen e diktaturës në Turqi.
Spikeri
Gjatë vitit të kaluar, Turqia u bë viktimë e disa sulmeve terroriste. Stambolli është goditur nga një sulm terrorist, nga i cili kanë humbur jetën 10 persona, ndërsa 15 të tjerë janë plagosur. Bëhet fjalë për një sulm kamikaz në lagjen historike të Sulltan Ahmetit në afërsi të Xhamisë Blu, një atraksion i madh turistik. Në mesin e viktimave dhe të plagosurve shumica ishin turistë të huaj. Ky sulm kamikaz erdhi pas dy akteve të tmerrshme terroriste, atij në tetor në Ankara, ku mbetën të vrarë më shumë se 102 persona dhe tjetrit në korrik pranë kufirit me Sirinë që la më shumë se 30 njerëz të vrarë. Gjithashtu, 12 policë turq janë vrarë në sulmin terrorist me bombë ndaj një automjeti policor. Për shumicën e këtyre sulmeve terroriste, autoritetet turke kanë akuzuar rebelët e PKK. PKK është shpallur organizatë terroriste në Bashkimin Evropian, Turqi dhe Shtetet e Bashkuara. Në kuadër të procesit të zgjidhjes së çështjes kurde më parë janë nisur bisedimet me partitë pro-kurde, dhe është arritur marrëveshja me Qeverinë e Turqisë të përbërë nga stafi i Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AK Parti) për çarmatimin e pjesëtarëve të PKK-së dhe tërheqjen e tyre nga territori turk në hapësirën e Irakut verior. Në sulmet terroriste të kryera në disa muajt e fundit janë vrarë dhjetëra njerëz, ndërsa është shkaktuar edhe dëm i madh material në vendbanimet në juglindje të Turqisë.
Gjatë vitit të kaluar, konflikti mes forcave turke të sigurisë dhe të rinjve radikalë kurdë të lidhur me PKK-në është acaruar. Prej muajsh në Turqinë juglindore është një gjendje e ngjashme me luftën civile. Jeta publike dhe mësimi janë ndërprerë. Mësuesit me rekomandimin e autoriteteve të arsimit janë larguar nga zonat e luftimit. Shumë banorë janë larguar. Kryeministri Ahmet Davutoglu tha se ndalimqarkullimi është i nevojshëm për mbrojtjen e popullsisë civile. Por shumë ekspertë, juristë thonë se është në kundërshtim me parimet themelore të shtetit ligjor. PKK patjetër që nuk është pa faj. Por përgjegjësinë kryesore e mban padyshim shteti turk, që ka detyrim të mbrojë qytetarët e tij, edhe nëse ata janë simpatizantë të PKK-së. Edhe nëse bëhet fjalë për të rinj të armatosur apo për luftëtarë të tjerë të armatosur, ka rregulla të caktuara, se si zhvillohen luftime të tilla, sidomos kur është fjala për minorenë. Turqia është nënshkruese e konventës për të drejtat e fëmijëve, ku janë përcaktuar relativisht qartë disa gjëra. Ndalimqarkullimi nuk është tërësisht i paligjshëm, por ka një pikë, ku ai sipas të drejtës ndërkombëtare përfaqëson një të ashtuquajtur dënim kolektiv për të gjithë popullsinë. Dhe kjo është e palejueshme sipas të drejtës ndërkombëtare. "Procesi i paqes është në frigorifer" tha presidenti turk Rexhep Taip Erdogan. Ai deklaroi, se do ta vazhdojë luftën aq gjatë, derisa "terroristi" i fundit të jetë dëbuar apo vrarë. Por lidhur me kërkesat politike të kurdëve për më shumë të drejta, më shumë respekt, dhe për një vetadministrim demokratik, Ankaraja nuk ka bërë asgjë. Dhe po të flasim për luftimin e kryengritjeve në Turqi nuk ka ndryshuar asgjë që nga vitet 90-të. Shumë pak merren parasysh të drejtat e njeriut. Civilët dëmtohen, disa nga luftëtarët e PKK apo të YDG-H, që arrestohen, keqtrajtohen. Kjo ua bën të rinjve kurdë të qartë se shteti turk nuk është i tyre. Kjo është gjithsesi një ndjenjë me të cilën janë rritur. Dhe këtu është edhe ndjesia se ky konflikt nuk mund të zgjidhet politikisht, sepse shteti nuk është i interesuar për këtë. Kësaj i shtohet edhe nacionalizmi i fortë kurd dhe synimet strategjike të PKK, e cila që nga viti i kaluar është përqëndruar që të fitojë territore në pjesën kurde të Sirisë.
Spikeri
Vitin e kaluar, funksionarët e Turqisë më në fund vendosën të përballen me grupin terrorist ISIS. Partia AKP duket se me pretekstin e luftës kundër terrorizmit synon të forcojë pozitat e saj në skenën politike të turqisë si dhe të luajë një rol më të rëndësishëm në zhvillimet rajonale e në veçanti në Siri dhe Irak. Por ndryshe nga pretendimet e Ankarasë për të luftuar kundër ISIS, forcat turke vazhdimisht kanë bombarduar kurdët e Sirisë që janë në vijën e parë të frontit kundër ISIS. Përvec kësaj, Turqia dhe Arabia Saudite pretenduan se do të dërgojnë forca ushtarake në Siri për të luftuar kundër ISIS. Por Rusia e bëri të qartë se në lidhje me sulmet eventuale tokësore të Turqisë dhe Arabisë Saudite në Siri, këto forca do të jenë në shënjestër të sulmeve ajrore ruse. Moska deklaroi se autoritetet turke dhe saudite duhet ta dinë se në rast të hyrjes së forcave të tyre tokësore në territorin e Sirisë, do të mund të bëhen objekt i sulmeve të avionëve ushtarakë rusë. Sipas Kremlinit, në rast të hyrjes së forcave tokësore turke dhe saudite në Siri, bombardimi i tyre nga avionët rusë do të jetë i pashmangshëm. Të tilla paralajmërime u bënë shkak që Ankaraja dhe Riadi të heqin dorë përkohësisht nga një aventurë e re në Siri.
Vitin e kaluar, udhëheqësit turq dhe ata europianë kanë arritur një marrëveshje në tentim për të kontrolluar fluksin e emigrantëve në kontinentin e vjetër. Turqia do të ketë përfitime ekonomike dhe politike me kushtin që ajo të forcojë sigurinë në pikat kufitare si dhe të lejojë refugjatët që të qëndrojnë në këtë vend. Turqia është e gatshme të pranojë të gjithë refugjatët që kalojnë ilegalisht në Greqi, pra edhe sirianët. Por për secilin refugjat të pranuar mbrapsht, Turqia kërkon që BE të marr legalisht një refugjat tjetër nga Turqia. Kjo do të ndalonte kalimet ilegale. Në këtë mënyrë Turqia tejkalon ofertat dhe marrëveshjet e deritanishme, të cilat nuk janë realizuar deri në fund. Por ofertat e Turqisë kanë dhe çmimin e tyre. Turqia kërkon edhe tre miliardë euro shtesë, për nevojat e refugjatëve - që do të thotë gjithsej gjashtë, sepse tre miliardë janë paguar në fund të vitit të kaluar. Tre miliardë të tjera duhet të paguhen deri në vitin 2018. Por Turqia kërkon edhe liberalizimin e vizave si dhe hapjen e pesë kapitujve të tjerë në negociatat për anëtarësim në BE dhe këto kërkesa janë kundërshtuar nga shumica e vendeve të BE.