Vazhdojnë politikat e Merkel përballë emigrantëve
Pavarësisht humbjes së terrenit për CDU-në dhe fitoreve të mëdha të së djathtës në zgjedhjet e tre landeve të dielën, qeveria gjermane deklaroi se politika e deritanishme e emigracionit nuk ka për të ndryshuar.
“Qeveria gjermane do të vazhdojë të ndjekë të njëjtën linjë me refugjatët, si brenda ashtu dhe jashtë kufijve. Kursi nuk ndryshon”, deklaroi Steffen Seibert, zëdhënës i qeverisë gjermane. Partia kundër refugjatëve, Alternativa për Gjermaninë, e mbështeti fushatën e saj tek kundërshtimi i atij që e përshkruan si “vendim katastrofik” i Angela Merkel për të mirëpritur më shumë se një milion azilkërkues vitin që shkoi. Por AfD-ja, në fund të ditës vazhdon të mbetet një forcë në minorancë, sidomos në Gjermaninë perëndimore. Votimet e së dielës më shumë ishin një test për mbështetjen që kancelarja gëzon mes gjermanëve tani, pas zemërates që ka shkaktuar tek një pjesë e elektoratit politika e saj e dyerve të hapura. Ajo çka duhet të shqetësojë kancelaren nga ana tjetër është problemi që nxorën në pah këto zgjedhje: përçarjen e thellë të bazës së saj konservatore.Rezultati i zgjedhjeve për parlamentet e landeve në Gjermani ishte një faturë për politikën e dyerve të hapura të Angela Merkel. Exit poll-et e para flasin për një sukses të konsiderueshëm të partisë së djathtë anti-emigrantë, Alternativa për Gjermaninë, AfD. CDU-ja e kancelares, ashtu siç profetizonin shumica, humbi në dy prej tre landeve ku u votua të djelën. Rezultatet papraprake tregojnë se kristian-demokratët arritën të ruajnë kryesimin në landin lindor të Saksoni-Anhaltit, ku morën 29% të votave, ndërsa AFD-ja doli e dyta me 23%. SPD-ja, partnere koalicioni me CDU-në, rrëshqiti në rreth njëmbëdhjetë për qind. Por goditjen më të madhe, forca politike e Merkelit e mori në ish-bastionin e saj, landin pereëdimor të Baden-Ëuerttembergut, ku përkrahja për këtë parti mbërriti në nivelin më të ulët historik, rreth 27%. AFD-ja eci mirë edhe në Rajnland-Pfalcit, ku edhe pse SPD do të vazhdojë të qëndrojë në pushtet, partia e djathtë pati një rezultat mjaft pozitiv duke siguruar rreth 11 për qind të votave. Suksesi i paprecedent i Alternativës populiste për Gjermaninë nuk mund të përkthehet ndryshe, veçse si dëshmi e qartë e pakënaqësisë që shumë gjermanë ushqejnë ndaj qëndrimit të Merkel pro-refugjatëve. Një pjesë e votuesve konservatorë janë të zhgënjyer nga politikat e saj centriste, e për këtë arsye duket se u luhatën mes preferencës së vjetër dhe joshjes ndaj AfD-së. Por a ishte ky një grusht dërrmues për lidershipin e Merkelit? Jo domosdoshmërisht, mendojnë ekspertët. Zgjedhjet e së djelës sollen mes të tjerash një fitore historike për të gjelbërit, që e mbështesin qëndrimin e kancelares ndaj refugjatëve. Megjithatë, këto votime mund të shërbejnë si sinjal i qartë i polarizimit në rritje mes zgjedhësve që e përkrahin me pasion politikën e kancelares gjermane dhe atyre që linja e ndjekur prej Merkelit i zemëron.