Kushti i Amerikës për heqjen e sanksioneve ndaj Rusisë
John Kirby, zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit, deklaroi se sanksionet amerikane kundër Rusisë do të vazhdojnë për sa kohë që Rusia do të mbajë të aneksuar Krimenë.
Gadishulli i Krimesë u nda nga Ukraina dhe iu bashkua Rusisë në vitin 2014 pas një referendumi popullor. Pas aneksimit të Krimesë nga Rusia, vendet perëndimore vendosën sanksione të ashpra ndaj Moskës. Para dy javësh, presidenti i SHBA, Barak Obama, i zgjati edhe për një vit sanksionet kundër Rusisë. Sidoqoftë, kjo është hera e parë që një funksionar amerikan shprehet qartë se kushti kryesor për heqjen e sanksioneve ndaj Rusisë është rikthimi i Krimesë në territor të Ukrainës. Por deri tani Rusia nuk është nënshtruar përballë sanksioneve të perëndimorëve dhe ka vazhduar përkrahjen për forcat separatiste pro-ruse në rajonin Donbas në lindje të Ukrainës. Moska nuk e ka ndryshuar as qëndrimin e saj ndaj Krimesë dhe e konsideron atë si pjesë e territorit të Federatës Ruse. Edhe sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, tha se SHBA dëshiron që problemet në lindje të Ukrainës të zgjidhen në rrugë diplomatike, por nuk do të tolerojnë qëndrimin agresiv të Rusisë. Shefi i diplomacisë amerikane deklaroi se Rusia po vazhdon me qëndrimin e saj agresiv në Ukrainë. ''Ne nuk duam të biem në mosmarrëveshje me Rusinë. Askush nuk e dëshiron këtë, as Ukraina, as SHBA dhe as komuniteti europian. Ne besojmë se Rusia do të përfitojë nga mbështetja jonë për të zgjidhur problemin në lindje në mënyrë diplomatike''-deklaroi Kerry. Ai thekson se Rusia duhet të ndërpresë menjëherë furnizimin me armatime të separatistëve në lindje të Ukrainës dhe se duhet të ulet në tavolinën e bisedimeve për një zgjidhje politike afatgjatë. "Ne dëshirojmë zgjidhjen e kësaj çështjeje dhe për këtë duhet të hidhen hapa konkretë". Kerry gjithashtu, duke theksuar se Rusia duhet të përmbushë detyrimet e saj për zgjidhjen e çështjes në lindje të Ukrainës, shtoi se separatistët duhet të ndërmarrin hapa konkretë dhe në këtë kuadër fillimisht duhet të sigurohet armëpushimi. Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry pritet të vizitojë Moskën javën e ardhshme, ku do të ketë edhe një takim me Presidentin e Rusisë, Vladimir Putin si dhe me homologun e tij rus, Sergei Lavrov. Megjithatë, Rusia duket e patundur përsa i përket çështjes së Krimesë. Ky gadishull iu dha Ukrainës në vitin 1954 nga ish lideri sovjetik Nikita Hrushov, në shenjë të miqësisë, por funksionarët e Kremlinit e konsiderojnë Krimenë si territor rus që me pa të drejtë i është dhënë Ukrainës. Sidoqoftë, Krimeja po shfrytëzohet nga SHBA dhe vendet perëndimore si mjet presioni ndaj Rusisë dhe deklaratat e zëdhënësit të DASH dëshmojnë se qëndrimet kontradiktore mes SHBA dhe Rusisë mbi krizën në Ukrainë do të vazhdojnë edhe në të ardhmen.