Turqia nuk është e gatshme të anëtarësohet në BE
Kryetari i Komisionit të Evropës deklaroi se Turqia nuk ka gatishmërinë e duhur për tu anëtarësuar në Bashkimin Evropian.Vlen të theksohet se bisedimet për anëtarësimin e Turqisë në BE kanë filluar në vitin 2005.
Zhan Klod Junker, kryetari i Komisionit të Evropës, sot në një prononcim për media, vuri në dukje kërkesën e Turqisë për tu anëtarësuar në Bashkimin Evropian dhe deklaroi se Turqia aktualisht nuk është e gatshme për tu anëtarësuar në Bashkimin Evropian dhe është larg për tu besuar që ky vend në dhjetë vitet e ardhshme do të mund të bëhet anëtar i BE. Junker shtoi se Bashkimi Evropian së shpejti do të finalizojë një marrëveshje me Turqinë në lidhje me refugjatët, por kjo marrëveshje nuk ka lidhje me anëtarësimin e Turqisë në BE. Nga ana e tij, presidenti turk Recep Tayyip Erdogan u bëri thirrje vendeve të BE që të mos e ngadalësojnë progresin e Turqisë drejt anëtarësimit në BE. Duke folur në një konferencë shtypi, ai tha se procesi nuk duhet të ngadalësohet. Komisioni Evropian momentalisht është në fazën finale të hartimit të raportit vjetor që jep vlerësime rreth progresit të Turqisë drejt plotësimit të kushteve të vëna nga BE. Pengesat për anëtarësimin e Turqisë në BE janë të shumta, por më kryesoret janë problemi i Qipros, konflikti me popullsinë kurdë në Turqi si dhe gjendja e palakmueshme e lirisë së mediave dhe e lirive të tjera në Turqi. Turqia nuk pranon ta njohë zyrtarisht Qipron, ndërkohë që Qipro është anëtare e BE. Presidenti qipriot, Nikos Anastaziades, refuzoi kushtet e ofertës së Bashkimit Europian për Turqinë për të rinisur bisedimet për anëtarësim, duke rrezikuar paktin për të kthyer në Turqi refugjatët që zbarkojnë në ishujt grekë. Pas bisedimeve në Qipro me presidentin e Këshillit të Europës, Donald Tusk, Anastaziades tha se së pari Turqia duhet të përmbushë obligimet e saj, si njohja e qeverisë së Qipros dhe hapja e porteve dhe aeroporteve turke për tregtinë dhe pasagjerët nga ishulli. Qipro është i ndarë që prej vitit 1974, kur Veriu i ishullit u pushtua nga Turqia si hakmarrje ndaj një grusht shteti të organizuar nga Athina. Në kuadër të qëndrimit të Qipros, kreu i Këshillit të Europës, Donald Tusk, tha se nuk kishte shkuar në Nikosia për të bërë presion dhe se e kuptonte që bisedimet për të ardhmen e Qipros së ndarë janë në një moment kyç. Ai pranoi se pakti për emigrantët duhet ndrequr sërish për t’u pranuar nga 28 vendet anëtare dhe nga institucionet e BE-së. Sipas analistëve, Qipro e komplikon jo pak paktin e debatuar me Turqinë, pasi një kundërshtim i saj mund ta ndalojë atë plotësisht. Është për t’u parë se si do të reagojë pala turke ndaj kushteve qipriote, pasi nëse nuk arrin përfitimet që Brukseli i ofronte, Turqia mund të vendosë të mos i pengojë aspak mijëra emigrantë që shkojnë drejt Europës. Nuk ka garanci se anëtarësimi turk do të përshpejtohet, por vetëm angazhim për negociata të ardhshme sa më shpejt që të jetë e mundur. Ndërsa udhëtimi i turqve pa viza varet nga plotësimi i 72 kritereve, që BE-ja i ka vendosur Turqisë. Në fund, nuk ka siguri as që ndihma për sirianët në Turqi do të jetë 6 miliardë euro, vetëm një premtim për ta shqyrtuar si mundësi, nëse fondi i parë jep rezultatet pozitive. Gjithashtu, momenti nuk është aspak i përshtatshëm për anëtarësimin e Turqisë në BE, sepse problemi me kurdët jo vetëm që nuk është zgjidhur, por ka arritur kulmin dhe rajonet lindore dhe juglindore të Turqisë janë kthyer realisht në zona lufte mes ushtrisë turke dhe PKK. BE nuk mund të pranojë në gjirin e tij vende me të tilla probleme dhe konflikte . Ndërkohë, qeveria e Ankarasë po shkel standardet e BE përsa i përket lirisë së mediave, lirisë së shprehjes e të mendimit duke sulmuar çdo zë opozitar ndaj qeverisë turke dhe ndaj presidentit Erdogan. Represioni i vazhdueshëm ndaj mediave opozitare dhe ndaj qarqeve intelektuale në Turqi e ka larguar edhe më shumë këtë vend nga standardet e BE, prandaj është mëse e kuptueshme edhe deklarata e shefit të KE se Turqia ende nuk është gati për anëtarësim në BE.