Emërimi i ish-presidentit brazilian shef kabineti
Një gjykatës brazilian ka bllokuar emërimin e ish-Presidentit Luiz Inacio Lula da Silva si shef të stafit të pasueses së tij, Dilma Rousef.
Një gjykatës federal lëshoi një vendim në të cilin thuhej se ekzistonte rreziku që një hetim gjyqësor federal të devijohej nëse Lula do të bëhej ministër. Sipas ligjit brazilian, anëtarët e kabinetit mund të hetohen vetëm nga Gjykata Supreme, jo nga gjykatat federale. Lula da silva është nën hetim në lidhje me një skandal korrupsioni. Qeveria thotë ndërkohë se ai do të bëjë apel kundër vendimit. Prokurorët akuzuan Lula da Silvën, javën e kaluar për larje parash dhe mashtrim, akuza këto që vetë ai i mohon. Ndërkohë, emërimi i Lula da Silvës si shef i stafit, ka bërë që brazilianët të ndahen. Disa thonë se kjo ishte një lëvizje për ta mbrojtur atë nga përndjekja ndërsa të tjerë e mirëpritën kthimin e tij në politikën aktive. Para ceremonisë së betimit, grupe mbështetësish dhe kundërshtarësh të qeverisë u përleshën para pallatit presidencial. Vetë ceremonia ishte ndërprerë nga një protestues që thërriste “turp”. Ai u nxor jashtë nga mbështetësit e partisë në pushtet, që hidhnin slogane pro qeverisë dhe ish-presidentit. Lëvizja e kryetares së shtetit e mbron nga ndjekja penale Lulën e hetuar për korrupsion. Fakti që ish-Presidenti bëhet sot pjesë e qeverisë përbën një sfidë për prokurorët e mijëra brazilianët e rreshtuar kundër tij. Protesta shpërthyen në pjesë të ndryshme të vendit, por skena më simbolike ishte ajo e turmës së grumbulluar përpara Pallatit Presidencial në Brazilia, vepër e arkitektit të famshëm Oscar Niemeyer. Pati deri edhe përpjekje për të kapërcyer kordonët e policisë, që reagoi me gaz lotsjellës e shkopinj gome. Kjo ishte përmbyllja e një dite tejet të ngarkuar me tensione, që për korrespondentët e huaj do të mbetet e shkruar në historinë e Brazilit, një vend që nuk e ka për traditë dhunën politike. Lulës i shkon portofoli ndoshta më i rëndësishëm ministror, quhet “Casa Civil” dhe është një lloj drejtuesi i qeverisë, koordinator i raporteve me partitë aleate. Opozita thotë se, e gjithë kjo është një përpjekje për t’u hedhur njerëzve hi syve, sepse praktikisht do të jetë ai, udhëheqësi i vërtetë i legjislaturës në falimentim të Rousseffit. Policia dyshon se Lula mori ryshfete nga kompanitë e ndërtimit, që zhvillonin biznes me gjigantin shtetëror të naftës “Petrobras”, por ai vet i hedh poshtë akuzat me argumentin se janë të motivuara politikisht.