Arrihet marrëveshja BE-Turqi në lidhje me refugjatët
Udhëheqësit e Bashkimit Europian dhe Turqia kanë finalizuar marrëveshjen që parashikon kthimin e mijëra refugjatëve mbrapsht në Turqi, ndërsa Ankarasë i siguron fonde për strehimin e tyre.
Kryeministri i Finlandës, Juha Sipila njoftoi në Twitter se marrëveshja është arritur, ndërsa lideri çek tha se BE dhe Turqia e vulosën paktin e rëndësishëm që duhet të lehtësojë ndjeshëm krizën e emigrantëve. Mesohet se kryeministri turk Ahmet Davutoglu i ka pranuar kushtet e udhëheqësve europianë pas një serie takimesh dypaleshe dhe bisedimesh teknike. Në parim, plani ka ndryshuar vetëm pak, në krahasim me atë që kanë rënë dakord Merkel dhe Davutoglu në fillim të marsit. Me kërkese të Komisionerit për Refugjatë janë futur edhe disa masa sigurie. Sipas marrëveshjes, riatdhesimet në Turqi të emigrantëve të mbërritur ilegalisht në Europë do të fillojnë nga 20 marsi, ndërsa parashikohet një përshpejtim i ndihmës prej 3 miliardë eurosh për Ankaranë dhe hapjen e kapitullit 33 të negociatave për anëtarësimin e Turqisë në BE. Pika të tjera janë: -Greqia duhet ta njoh Turqinë si një vend të sigurt të tretë. Turqia detyrohet që të pranojë mbrapsht të gjithë refugjatët dhe të respektojë Konventën e Gjenevës. -Për secilin refugjat sirian që kthehet, BE do të marr një refugjat sirian në rrugë të ligjshme. Rasti i çdo refugjati do të trajtohet në Greqi, por kërkesat për azil edhe mund të refuzohen. Në këmbim, Turqia kërkon 6 miliardë euro ndihma. Një kërkesë e rëndësishme politike është heqja e vizave për të gjithë shtetasit turq në fund të qershorit. E megjithatë para se kjo të ndodhë, Turqisë i duhet të plotësojë 72 kriteret e vendosura nga BE. Një tjetër pikë e marrëveshjes është se për çdo emigrant të paligjshëm sirian që do të kthehet në Turqi, BE do të pranojë një tjetër nga kampet turke. Por mbetet e pasqaruar se në çfarë rrugësh do të kalojnë refugjatët sirianë nga Turqia në BE. Deri më tani nuk ka dalë asnjë vend vullnetar. Nga ana tjetër, Agjensia e Refugjatëve në Kombet e Bashkuara bën të ditur se marrëevshja e Bashkimit Europian për të dërguar mbrapsht në masë refugjatët në Turqi do të dhunonte të drejtën për mbrojtje nën ligjin ndërkombëtar dhe Europian. Liderët e BE mirëpritën ofertën e Ankarasë të hënën, për të marrë mbrapsht të gjithë emigrantët të cilët hyjnë në Europë nga Turqia. Për këtë ata pranuan kërkesat e Turqisë për t’i dhënë më shumë para, bisedime më të shpejta për anëtarësim në BE si dhe heqja e vizave. Drejtori rajonal për europën në Kombet e Bashkuara si dhe njëkohësisht komisioneri i lartë për refugjatët, Vincent Cochetel, tha se angazhimi i Europës për rivendosjen e 20.000 refugjatëve gjatë dy viteve, në baza vullnetare, mbetet një numër shumë i ulët. “Dëbimi kolektiv i të huajve është i ndaluar sipas konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut. Një marrëveshje që do të ishte e barasvlershme me një kthim në masë në një vend të tretë nuk është në përputhje me të drejtën evropiane dhe ndërkombëtare”, nënvizoi ai më tej. Europa akoma nuk ka përmbushur marrëveshjen e shtatorit të kaluar për të zhvendosur 66 mijë refugjatë nga Greqia, duke shpërndarë vetëm 600 të tillë në shtete të tjera. Komisionari i lartë për refugjatët tha se Turqia strehon rreth 3 milionë refugjatë sirianë, ndërsa përqindja për pranimin e refugjatëve nga Afganistani dhe Iraku është shumë e ulët, vetëm 3%.