Shtohen tensionet politike në Brazil
Gjykata supreme e Brazilit anuloi emërimin e ish presidentit Luis Inacio Lula da Silva në një post qeveritar dhe këtë emërim e quajti në kundërshtim me hetimet mbi dosjen e tij për korrupsion financiar.
Gilmar Mendes, një gjykatës brazilian, ka bllokuar emërimin e ish-Presidentit Luiz Inacio Lula da Silva si shef të stafit të presidentes, Dilma Rusef. Ky gjykatës federal lëshoi një vendim në të cilin thuhej se ekzistonte rreziku që një hetim gjyqësor federal të devijohej nëse Lula do të bëhej ministër. Brazili gjendet në mes të krizës më të rëndë politike në rreth 25 vjet, ndërsa e ardhmja e qeverisë se Dilma Rusef është në dyshim. Mes zemërimit për skandalin e korrupsionit ku është përfshirë elita politike dhe recesionit ekonomik, protesta masive u zhvilluan ditët e fundit në kryeqytetin e vendit Brazilia dhe qytete të tjera, përfshirë Rio De Janerion dhe Sao Paulon. Protestat shpërthyen pas nisjes së procedurave për daljen para drejtësisë së Rusef. Ndërkohë një gjykatës ka bllokuar emërimin Lula da Silvës si shef kabineti, pasi një bisedë e përgjuar telefonike mes Rusef dhe Da Silvës, sugjeroi se emërimi i tij motivohej nga dëshira për të evituar ndjekjen penale të ish-Presidentit i hetuar në skandalin e korrupsionit të kompanisë së naftës Petrobras. “Po luftoj kundër korrupsionit, pasi pas asaj që ndodhi, vendimi për të emëruar Lulen ministër, është një fyerje për popullin brazilian. Besoj tek ndryshimi dhe shpresoj seriozisht që kjo do të na sjellë rezultate në të ardhmen" Në bisedën e publikuar nga një gjykatës, dëgjohet Rusef që i thotë Lulës se do t’i dërgojë letrat e firmosura të emërimit që ti ketë gati në rast nevoje dhe ish-mësuesi i saj pranon me kënaqësi. Gjykatësi Sergio Moro, që publikoi bisedën e përgjuar, tha se nuk ka prova që letrat të jenë dorëzuar fizikisht, por populli kishte të drejtë të dinte të paktën bisedën. Kjo përshkallëzoi edhe më shumë protestat, por duket se nuk ka prekur qëndrimin e Presidentes Rusef. Ajo mbrojti publikisht emërimin e Lulës si shef kabineti duke thënë se kjo forcon qeverinë. Kjo çështje duket se ka vënë në pozitë të vështirë presidenten e Brazilit dhe rrezikon të ardhmen e saj. Shkarkimi i Dilma Rusef nga posti i presidentes do të ketë nevojë për votën e 342 deputetëve të parlamentit brazilian nga 513 deputetë gjithsej. Ndërkohë, Dilma Rusef i ka akuzuar kundërshtarët e saj politikë se po organizojnë një grusht shteti kundër qeverisë. Kriza politike në Brazil është ndikuar edhe nga kriza ekonomike në këtë vend. Në vitin 2015 PBB e Brazilit u ul ndjeshëm ndërsa monedha kombëtare e Brazilit humbi 34 % të vlerës së saj. Gjithashtu, Brazili po përballet edhe më një inflacion të lartë dhe është parashikuar që në vitin 2016 monedha kombëtare të zhvlerësohet edhe më shumë. Duket se forcat opozitare në Brazil po e shfrytëzojnë këtë gjendje dhe pakënaqësinë popullore për të tronditur pozitën e presidentes Dilma Rusef.