Viti 2016, më i vështiri në historinë e BE
https://parstoday.ir/sq/news/uncategorised-i761-viti_2016_më_i_vështiri_në_historinë_e_be
Forumi Botëror Ekonomik në Davos që zhvilloi punimet nga data 20-23 janar, me pjesëmarrjen e elitës politike dhe ekonomike botërore, gjithsej 2.500 vetë kishte në fokus krizën e refugjatëve dhe sfidat e Europës .
(last modified 2026-03-28T19:16:51+00:00 )
Janar 24, 2016 17:16 Europe/Tirane
  • Viti 2016, më i vështiri në historinë e BE

Forumi Botëror Ekonomik në Davos që zhvilloi punimet nga data 20-23 janar, me pjesëmarrjen e elitës politike dhe ekonomike botërore, gjithsej 2.500 vetë kishte në fokus krizën e refugjatëve dhe sfidat e Europës .

Kryeministri francez, Manuel Valls paraqiti një pamje pesimiste „Projekti europian mund të ndërrojë jetë së shpejti“, tha Valls, „jo për disa dhjetëvjeçarë ose vite, por shumë shpejt.“ Vendimtare është që Europa të gjejë një rrugë të përbashkët për të mbajtur nën kontroll problemet e sigurisë për shkak të terrorizmit. Edhe kriza e refugjatëve mund të zgjidhet vetëm po të jemi të bashkuar. Por veprimi i njëanshëm i Austrisë për mbylljen e kufijve, tregon edhe njëherë qartazi se sa të pabashkuar janë europianët aktualisht. Ndërkohë që koha nuk pret, tha kryeministri holandez, Mark Rutte. ''Kemi vetëm gjashtë deri në tetë javë për ta vendosur nën kontroll imigracionin“, tha Rutte. Në janar të vitit të kaluar erdhën në Europë 1600 refugjatë, vetëm në tre javët e këtij viti kanë ardhur 35.000 refugjatë, sipas Rutte. Kur të vijë pranvera, do të rritet në mënyrë drastike numri i refugjatëve – këtë nuk e përballojmë dot më.“ Ministri gjerman i Financave, Wolfgang Schäuble propozon një program miliardësh investimesh e pikërisht në rajonet nga vijnë refugjatët. Kjo mund të çojë në „uljen e presionit tek kufijtë e jashtëm europianë në atë mënyrë që Europa të mos kthehet në një fortesë.“ Ky do të ishte turp për Europën, thotë kryeministri grek, Aleksis Tsipras. Për europianët që edhe tani lëngojnë nën kursin e kursimeve, kjo do të thotë një kosto tjetër e lartë. “Do të na kushtojë, shumë më tepër se sa kemi menduar deri më tani”, tha Schäuble. “Kemi menduar se problemet në Lindjen e Afërt dhe të Mesme e në Afrikë nuk janë problemi ynë. Tani shohim, po është problemi ynë. Problemi ynë europian.“ Këtë krizë të re Schäuble nuk e sheh si shkas për t'u larguar nga kursi i reformave, që ai e mbron prej vitesh. Nga ana e tij, Presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk i tha Parlamentit Evropian se shtetet anëtare kanë më në dispozicion "jo më shumë se muaj" për të menaxhuar krizën e refugjatëve. Dështimi në këtë menaxhim mund të rezultojë në kolapsin e zonës së udhëtimit pa pasaporta të Shengenit, tha ai. Tusk, që shërben si kryetar i liderëve evropianë, gjithashtu tërhoqi vëmendjen se BE mund të "dështojë si projekt politik", nëse blloku me 28 anëtarë nuk do të kontrollojë si duhet kufijtë e tij të jashtëm. BE po lufton për të menaxhuar krizën e më shumë se një milion refugjatëve, shumica e të cilëve kërkuan azil në Gjermani. Por BE në vitin 2016 do të përballet edhe me sfidën e largimit të Britanisë nga ky union. Një parantezë e ardhur në momentin e duhur për kryeministrin britanik, David Cameron, i cili në Davos theksoi edhe njëherë se sa të nevojshme janë reformat. „Ne çalojmë shumë mbrapa Shteteve të Bashkuara përsa i përket teknologjisë dhe produktivitetit. Duhet të rrisim aftësinë e konkurrencës të firmave dhe ekonomive tona dhe jo ta zvogëlojmë atë.“ Cameron u shpreh se ai shpreson në një ujdi për reforma në BE deri në samitin e ardhshëm në shkurt. Po qe se deri atëherë “kemi një marrëveshje të mirë, do ta pranoj“, tha Cameron. Vetëm atëherë kryeministri britanik do të angazhohet me të gjitha forcat që Britania e Madhe të qëndrojë në BE.