Vazhdon gjendja e pasigurisë në Turqi
Dje, (e shtunë) një shpërthim i fuqishëm ka tronditur një nga zonat më të frekuentuara nga turistët në qytetin e Stambollit në Turqi.
Shpërthimi ka ndodhur në rrugën Istiklal, një zonat tregtare më të frekuentuara në fundjavë në qytetin më të madh të vendit. Shpërthimi i djeshëm në Stamboll ndodhi pa u mbushur ende java e atij të ndodhur në Ankara, ku gjetën vdekjen 37 persona dhe u plagosën rreth 300 të tjerë. Autoritetet turke kanë zbardhur nacionalitetet e viktimave në sulmin vdekjeprurës të Stambollit. 5 ishin viktimat e incidentit tragjik, ndër të cilët një shtetas iranian, 3 izraelitë, dhe kamikazi, i cili rezulton një shtetas turk i dyshuar si anëtar i ISIS. Ndërsa mbi 30 persona janë plagosur, disa prej të cilëve janë në gjendje kritike për jetën. Në mesin e vizitorëve të huaj të lënduar janë të tjerë izraelitë, irlandezë, gjermanë, islandezë, iranianë dhe një shtetas nga Emiratet. Ankaraja fajësoi grupin terrorist ISIS për sulmin që tronditi një ditë më parë Stambollin. Ministri i Brendshëm turk e identifikoi kamikazin që 5 persona në një rrugë tregtare të qytetit, si Mehmet Ozturk, militant i ISIS-it. Ministri Efken Ala u tha reporterëve se deri tani, 5 persona janë marrë në pyetje lidhur me ngjarjen dhe se është vendosur të rishikohen masat e sigurisë në shtatë provinca të vendit, ku do të ketë dhe kufizime të qarkullimit. Sulmi ishte i katërti që godet Turqinë vetëm gjatë këtij viti, duke e çuar numrin e të vdekurve në më shumë se 80. I parafundit ndodhi në zonën me të frekuentuar nga turistët në Stamboll, pranë xhamisë blu, ku mbetën viktimë të paktën 12 turistë gjermanë. Gjatë vitit të kaluar Turqia është bërë vazhdimisht viktimë e sulmeve terroriste. Për shumicën e këtyre sulmeve terroriste, autoritetet turke kanë akuzuar rebelët e PKK dhe grupin terrorist ISIS. Ndërkohë në Turqi vazhdon të mbretërojë klima i frikës dhe e pasigurisë. Sipas një raporti më të fundit, një alarm për bombë në stadium ka bërë që Federata e Futbollit e Turqisë të shtyjnë ndeshjen e shumëpritur mes Galatasaray dhe Fenerbahces. Autoritetet bëjnë me dije që kjo ndeshje e cila ishte e planifikuar të luhet në mbrëmje është shtyrë pa afat. Në një deklaratë nga zyra e Guvernatorit të Stambollit thuhet se vendimi është marrë për shkaqe sigurie “pas vlerësimit të informacioneve nga inteligjenca”. Shtyrja erdhi edhe pse autoritetet kishin apeluar në mënyrë të përsëritur 15 milionë banorët e qytetit më të madh të Turqisë për të vazhduar me jetën normale pas shpërthimit. Padyshim, sulme të tilla terroriste si ai i djeshmi në Stamboll do të dëmtojnë rëndë Turqinë dhe mund të ndikojnë në ndaljen e udhëtimeve të turistëve të huaj drejt Turqisë. Nëse sulmi terrorist i Stambollit iu atribua ISIS-it, për sulmin e javës së kaluar në Ankara u akuzua PKK. Gjatë vitit të kaluar, konflikti mes forcave turke të sigurisë dhe të rinjve radikalë kurdë të lidhur me PKK-në është acaruar. Prej muajsh në Turqinë juglindore është një gjendje e ngjashme me luftën civile. Ndërsa qeveria turke duket se nuk është e interesuar për zgjidhjen e këtij konflikti me anë të dialogut. Qeveria turke nuk e kuptoi mesazhin e shpërthimit në Ankara që ishte kthimi në tryezën e bisedimeve me PKK dhe përsëritja e armëpushimit. Ndërsa mesazhi i shpërthimit në Stamboll është që qeveria turke t'i japë fund përkrahjes për grupet terroriste që veprojnë në Siri dhe të luftojë seriozisht dhe praktikisht grupet terroriste si ISIS nëse dëshiron ruajtjen e rendit dhe sigurisë në Turqi, mbrojtjen e industrisë së turizmit dhe kthimin logjik të Turqisë në raportet rajonale dhe ndërkombëtare.