Fati i paqartë i refugjatëve në Greqi
Megjithëse marrëveshja BE-Turqi ka filluar të zbatohet zyrtarisht prej mëngjesit të kësaj të diele, në ishujt grekë kanë arritur prej mesnatës mbi 800 refugjatë, ndërsa dy foshnje 1 dhe 2 vjeç janë mbytur afër ishullit Ro, kur kanë rënë në det nga një gomone, që sillte rreth 40 refugjatë nga brigjet turke.
Sipas marrëveshjes, që pretendon të frenojë fluksin e refugjatëve dhe emigrantëve drejt Evropës, të gjithë ata që hyjnë prej 20 marsit në Greqi, me këtë mënyrë, konsiderohen ilegalë, do të kthehen në Turqi dhe nuk do të kenë më mundësi të hyjnë përsëri në Evropë në mënyrë të ligjshme. Ndërkohë, për çdo sirian ilegal që do të kthejnë organet greke në Turqi, BE-ja do t’i japë azil politik një siriani që ndodhet në Turqi dhe që ka kryer atje procedurat e azilit, politikë që do të zbatohet deri sa ky numër të shkojë në 72 mijë persona. Në kuadër të kësaj marrëveshjeje, organet greke kanë filluar të evakuojnë të gjithë refugjatët, në ishujt ku ndodhen 5 pikat e pritjes dhe regjistrimit, të cilat tani e tutje do të shqyrtojnë dokumentet e të gjithë atyre që do të kthehen prapa. Po bëhen përpjekje për të rikthyer normalitetin edhe në portin e Pireut. E ndërsa numri i përgjithshëm i refugjatëve në kampet e ndryshme greke po shkon në 50 mijë persona, mediat vendase shtrojnë pyetjen se çfarë do të bëhet me ata?. Ne Idomeni, disa refugjatë sirianë, duke vazhduar protestat e tyre janë shtrirë përsëri në shinat e linjës hekurudhore, me pankarta “Hapni kufijtë”. “Të gjithë duam të largohemi, madje edhe me trafikantët apo me rrugë të tjera, duke kaluar nëpër Shqipëri. Të gjithë duan të ikin, askush nuk dëshiron të kthehet prapa. Njerëzit kanë shitur shtëpitë e tyre, apo makinat për të përfunduar këtë udhëtim. Askush nuk do të shkojë prapa dhe askush nuk kërkon të qëndrojë këtu”, tha Hisham Ali, sirian në Idomeni. Analistët vendas dhe të huaj kanë hedhur hijet e dyshimit për zbatimin e marrëveshjes, pasi edhe shumë vende evropiane ende nuk e kanë mbështetur, sidomos në shpërndarjen dhe strehimin e atyre sirianëve që do të kërkojnë azil politik dhe do të vijnë në Evropë nga Turqia. Por ka edhe reagime nga organizatat humanitare, të cilat shohin se mund të ketë shkelje ligjore, për sa i përket disa dispozitave të paktit të Gjenevës në lidhje me pranimin e refugjatëve. Autoritetet greke zhvendosën mbrëmjen e së dielës grupe të mëdha të refugjatëve nga Porti i Elefsinës drejt qytetit verior grek të Janinës, në kufi me Shqipërinë. Sipas burimeve greke refugjatët filluan të arrijnë në aeroportin e vjetër ushtarak, në Kacikas, me 26 autobusë. Burimet greke flasin se autobusët mbanin rreth 1.200 refugjatë të cilët kishin zbarkuar në ishujt e Egjeut dhe më pas ishin transportuar në Portin e Elefsina-s. Strehimorja në ish aeroportin ushtarak në Janinë ishte përgatitur këto ditë nga forcat ushtarake greke , por kushtet janë të ndryshme dhe të vështira. Kjo pasi ky kamp në fushë të hapur nuk ofron kushte si qendra të tilla në Konicë dhe Pogon ku u vendosën këto ditë grupe më të vogla të refugjatëve. Sipas burimeve greke refugjatët janë pritur nga përfaqësues të Bashkisë së Janinës, anëtarët e Kryqit të Kuq dhe organizatat vullnetare, ekipe të ndihmës mjekësore dhe janë shoqëruar nën një mbikëqyrje të madhe policore. Sipas burimeve greke shumë prej tyre kanë probleme shëndetësore. Me ardhjen e refugjatëve, sipas autoriteteve vendore në Janinë menjëherë ka filluar edhe i procesi i regjistrimit. Bashkia e Janinës u bëri thirrje banorëve të shprehin solidaritetin në ndihma me ushqime ndërkohë që priten grupe të reja të refugjatëve.