Sulmet terroriste në Belgjikë
Katër shpërthime kanë tronditur Brukselin në orët e para të mëngjesit të së martës, dy prej të cilëve të verifikuar në aeroportin Zaventem, ndërsa dy të tjerët në dy stacione metroje në zemër të kryeqytetit belg.
Motivet e shpërthimeve nuk dihen ende, ndërkohë që burime zyrtare flasin për të paktën 34 viktima, 14 prej të cilëve kanë humbur jetën në aeroport dhe 20 në stacionet e metrove. Gjithashtu, flitet për rreth 130 të plagosur. Shpërthimet vijnë katër ditë nga kapja në Bruksel të Salah Abdeslam, i dyshuari kryesor i sulmeve të nëntorit në Paris. Nga raportimet e mediave lokale mësohet se, aeroporti është evakuuar, ndërsa fluturimet janë anuluar. Gjithashtu, janë pezulluar të gjitha shërbimet hekurudhore që të çojnë tek kompleksi. Të dhëna të tjera flasin se një nga shpërthimet ka ndodhur pranë check-in-it të American Airlines, por sërish ato janë të pakonfirmuara. Ndërkohë, një shpërthim tjetër është verifikuar rreth një orë më vonë në stacionin e metrosë Maalbeek, fare pranë selisë së Komisionit Europian. Re të zeza tymi janë ngritur në rrugë dhe paniku ka përfshirë kalimtarët. Ai është pasuar nga një tjetër shpërthim në stacionin Schumann. Transmetuesi belg RTBF citoi një dëshmitar të thoshte se, në ambientet e aeroportit kishte njerëz të shtrirë në tokë, të plagosur ose pa ndjenja, shumica e të cilëve në zonën e nisjeve, përballë hotel “Sheraton”. Ndërsa një punonjës i aeroportit tha për televizionin holandez VRT: “Po bëja një moment pushim kur papritur dëgjova dhe ndjeva një shpërthim të madh. këtej nga jam shoh shtëllunga tymi të zi të ngrihen nga zona e nisjeve”. “Dritaret janë të thyera, njerëzit kanë dalë jashtë nga frika. Gjërat nuk duken mirë”, tregoi dëshmitari. Ndërsa dëshmitarë të tjerë thanë se para shpërthimeve kishin dëgjuar të shtëna dhe thirrje në gjuhën arabe, duke ngritur dyshimet për sulme kamikaze. Të dhëna të mëtejshme sugjerojnë se brenda aeroportit është gjetur edhe një bombë e pashpërthyer. Situata ka futur në kaos kryeqytetin belg, atje ku nodhen institucionet kryesore të Bashkimit Europian. Autoritetet kanë pezulluar qarkullimin e mjeteve publike si trenët, metrotë dhe tramvajet, pa harruar këtu pezullimin e të gjitha fluturimeve nga aeroporti. Prokurori i Përgjithshëm belg Frederic Van Leeuë është shprehur se ata që qëndrojnë pas sulmeve terroriste mund të jenë ende në arrati. “Hetuesit janë të angazhuar me hetimet e ngjarjeve në Zaventem për të zbardhur gjithccka për të gjetur autorët, dhe për të përcaktuar nëse ata janë ende në arrati”, ka thënë në një konferencë për shtyp Van Leeuë. Ndërkaq, rreth mesditës një tjetër shpërthim i kontrolluar është bërë nga policia në aeroport, dhe bëhet fjalë për një brez eksplozivi, sipas raportimeve më të fundit të mediave vendase. Belgjika ka ngritur nivelin e alarmit në maksimum pas katër shpërthimeve që tronditën kryeqendrën e institucioneve europiane paraditen e së martës. Rrugët e qytetit po patrullohen nga forca të shumta speciale të policisë, përfshirë këtu edhe ushtrinë. Qarkullimi është në kaos në zonat ku u regjistruan shpërthimet. Sipas mediave vendase, në aeroport, para se të dëgjoheshin dy shpërthimet e fuqishme u dëgjuan të shtëna me armë zjarri dhe disa thirrje në arabisht. Deri më tani autorësinë e sulmit nuk e ka marrë askush përsipër, por dyshohet se bëhet fjalë për një aksion të ekstremistëve që pason arrestimin e Abdeslam, terroristit që mori pjesë në sulmet e Parisit të nëntorit të shkuar.