Organizimi i konferencës për pajtimin kombëtar në Siri
Konferenca e parë për pajtimin kombëtar në Siri u organizua të martën në Damask, kryeqytetin e Sirisë me pjesëmarrjen e disa përkrahësve dhe opozitarëve të qeverisë së Bashar Asad, presidentit të Sirisë.
Një prej qëllimeve të kësaj konference është pranimi i personave të armatosur në radhët e forcave të ushtrisë siriane në rast se ata do t’i dorëzojnë armët. Në këtë konferencë u tha se terroristët e huaj që mbështetën nga faktorët e huaj si ata të grupeve terroriste ISIS dhe Fronti Nusra, nuk kanë të drejtë të qëndrojnë në Siri. Personat e armatosur sirianë që po bashkëpunojnë me grupet terroriste ISIS dhe Fronti Nusra, nëse largohen nga këto grupe mund të qëndrojnë në vendin e tyre Sirinë. Ali Hejdar, ministri për pajtimin kombëtar në qeverinë e Sirisë, në këtë konferencë deklaroi se në prag të zgjedhjeve për Parlamentin e Sirisë po bëhet përpjekje që qytetarët sirianë në siguri të plotë të shkojnë pranë kutive të votimit. Vlen të theksohet se më 13 prill 2016, do të organizohen zgjedhjet për Parlamentin e Sirisë. Rreth një muaj më parë, janë formuar disa komitete në Provincën e Damaskut me qëllim të vendosjes së pajtimit kombëtar në Siri. Ndërkohë Stefan De Mistura, përfaqësuesi special i OKB për çështjen e Sirisë, ka bërë të ditur zhvillimin e bisedimeve mes palëve siriane për të dhënë një përkufizim të caktuar rreth terrorizmit. Ai deklaroi se aktualisht po shkëmbehen mendime për të gjetur një rrugë të përbashkët mes palëve të përfshira në konfliktin e Sirisë. De Mistura theksoi se nuk ekziston ndonjë plan për zëvendësimin e bisedimeve mes palëve siriane. Nga ana tjetër, Bashar Xhafari, shefi i delegacionit negociator të qeverisë së Sirisë në takimin e Gjenevës, gjithashtu ka deklaruar se qëndrimi i qeverisë së Sirisë në lidhje me terrorizmin nuk dallon nga qëndrimi i z. De Mistura. Bashar Xhafari theksoi se populli i Sirisë po vuan nga terrorizmi dhe terroristët nuk po bëjnë kurrfarë dallimi mes qytetarëve sirianë, prandaj prioriteti kryesor i qeverisë së Sirisë është lufta kundër terrorizmit. Kjo është në kohën kur zhvillimet frontale të Sirisë gjithashtu tregojnë se ushtria dhe forcat e rezistencës popullore kanë çliruar plotësisht dhe kanë marrë nën kontroll disa rajone të rëndësishme strategjike. Gjatë këtyre operacioneve janë vrarë me dhjetëra terroristë të armatosur. Para kësaj gjithashtu njësitet e ushtrisë dhe të forcave të rezistencës popullore të Sirisë kanë arritur të marrin nën kontroll të plotë rajonet malore në jug të qyteti Homs. Burimet informative gjithashtu kanë bërë të ditur për avancimin e ushtrisë siriane në perëndim të qytetit Palmira (Tadmur) në provincën e Homsit.