Vizita e sekretarit të DASH në Moskë
https://parstoday.ir/sq/news/uncategorised-i8152-vizita_e_sekretarit_të_dash_në_moskë
Sekretari i DASH John Kerry mbërriti të mërkurën në Moskë për tu takuar me zyrtarët e lartë të Rusisë.
(last modified 2026-03-28T19:16:51+00:00 )
Mars 24, 2016 15:40 Europe/Tirane
  • Vizita e sekretarit të DASH në Moskë

Sekretari i DASH John Kerry mbërriti të mërkurën në Moskë për tu takuar me zyrtarët e lartë të Rusisë.

Kerry u takua sot me homologun e tij rus Sergej Lavrov dhe do të takohet edhe me presidentin Vladimir Putin. Ministria e jashtme e Rusisë me anë të një komunikate deklaroi se vizita dyditore e shefit të DASH në Rusi do të ndihmojë në përmirësimin e marrëdhënieve SHBA-Rusi. Duket se vizita e sekretarit të DASH në Moskë në këtë periudhë të ndjeshme ka rëndësi të madhe për zgjidhjen e krizës në Siri. Pas marrëveshjes së armëpushimit në Siri të arritur mes SHBA dhe Rusisë, u krijuan kushtet për vazhdimin e bisedimeve në Gjenevë me qëllim që kriza siriane të zgjidhet në kuadër të rezolutës 2254 të KS të OKB. Pas takimit me ministrin e jashtëm rus, sekretari amerikan i shtetit, John Kerry ka thënë se bisedimet me homologun e tij rus, Sergei Lavrov, për krizat në Siri dhe Ukrainë, kanë qenë produktive. Kerry bëri një deklaratë të rëndësishme duke thënë: "Shpresoj se këto takime në Moskë kanë potencial për ta definuar më tej rrugën, në mënyrë që konfliktin në Siri ta mbyllim sa më shpejtë që është e mundur. Ne gjithashtu duhet ta gjejmë një rrugë bashkëpunimi për sfida të tjera në rajon -- për paqe në Jemen, Libi dhe Lindje të Mesme. Duhet dëshmuar se dy shtete të fuqishme janë në gjende të gjejnë bashkëpunim gjatë viteve në vijim, pavarësisht dallimeve”, ka thënë ndër të tjera, sekretari amerikan Kerry. Sergej Lavrov, nga ana tjetër, tha se ai kishte për qëllim të diskutonte “se si komuniteti ndërkombëtar mund të ndihmojë në gjetjen e një zgjidhjeje për krizën në Siri dhe në Ukrainë”. Ndërsa Kerry ka folur edhe për sulmet e Brukselit, duke theksuar urgjencën e angazhimit të të gjitha vendeve për ta ndalur këtë problem, të shkaktuar nga ISIS dhe kryengritjet e dhunshme. John Kerry do të zhvillojë bisedime me presidentin rus Vladimir Putin më vonë të enjten, në një takim të organizuar pas njoftimit të papritur të udhëheqësit rus më 14 mars se do të tërhiqte pjesërisht forcat e tij nga Siria. Duhet theksuar se edhe vendimi i marrë nga presidenti rus Vladimir Putin për largimin e një pjese të forcave ruse nga Siria ka qenë në kuadër të një marrëveshje të përgjithshme SHBA-Rusi. Ky veprim synonte edhe inkurajimin e procesit të bisedimeve të paqes në Gjenevë dhe për të mos u dhënë pretekst perëndimorëve dhe aleatëve të tyre për të sabotuar zgjidhjen e krizës në Siri. Kerry u shfaq optimist se bisedimet në Moskë do të jenë produktive për të hartuar një plan që do t’i jepte fund sa më shpejt konfliktit 5 vjeçar sirian dhe shtoi se armëpushimi në Siri, edhe pse i pjesshëm dhe i brishtë, ka ulur ndjeshëm nivelin e dhunës atje. Përsa i përket krizës në Ukrainë, pritet që sekretari i DASH të ndërhyjë tek funksionarët rusë për të kërkuar lirimin e pilotes ukrainase Nadia Savtchenko e cila është dënuar me 22 vjet burgim nga një gjykatë ruse. Nga ana e tyre, funksionarët e Kremlinit do të kërkojnë që SHBA t'i japë fund përkrahjes për qeverinë pro-perëndimore në Kiev dhe me këtë veprim të ndihmojë në zgjidhjen paqësore të krizës në Ukrainë. Një temë tjetër e bisedimeve mes funksionarëve amerikanë dhe rusë do të jetë edhe aktiviteti në rritje i NATO-s në Evropën Lindore kur dihet se zgjerimi i pranisë së NATO-s në afërsi të kufijve të Rusisë është një nga shqetësimet kryesore të krerëve të Kremlinit.