Dënohet Radovan Karaxhiç nga Gjykata Ndërkombëtare për Krime Lufte e Hagës
https://parstoday.ir/sq/news/uncategorised-i8224-dënohet_radovan_karaxhiç_nga_gjykata_ndërkombëtare_për_krime_lufte_e_hagës
Tribunali i Kombeve të Bashkuara për Krime të Luftës për ish-Jugosllavinë në Hagë, ka vendosur se ish-lideri serb i Bosnjës, Radovan Karaxhiç, është fajtor për krime kundër njerëzimit gjatë luftës në Bosnjë në periudhën 1992-95.
(last modified 2026-03-28T19:16:51+00:00 )
Mars 25, 2016 03:26 Europe/Tirane
  • Dënohet Radovan Karaxhiç nga Gjykata Ndërkombëtare për Krime Lufte e Hagës

Tribunali i Kombeve të Bashkuara për Krime të Luftës për ish-Jugosllavinë në Hagë, ka vendosur se ish-lideri serb i Bosnjës, Radovan Karaxhiç, është fajtor për krime kundër njerëzimit gjatë luftës në Bosnjë në periudhën 1992-95.

Ai, po ashtu, është shpallur përgjegjës për gjenocid në Srebrenicë. Karaxhiç është dënuar me 40 vjet burgim. Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Moon, e ka përshëndetur dënimin për gjenocid të ish-liderit serb të Bosnjës, Radovan Karaxhiç dhe e ka quajtur atë si “një ditë historike për drejtësinë penale ndërkombëtare”. “Ky vendim dërgon sinjal të fuqishëm te të gjithë ata në pozita me përgjegjësi se ata do të mbahen përgjegjës për aksionet e tyre dhe tregon se të akuzuarit nuk mund t’i ikin përkushtimit kolektiv të komunitetit ndërkombëtar për të qenë të sigurt se ata do të ballafaqohen me drejtësi në harmoni me ligjin”, thuhet në deklaratën e Ban Ki-Moonit. Aktgjykimi ndaj ish-liderit politik e ushtarak të serbëve të Bosnjës, Radovan Karaxhiç, është pritur me pakënaqësi në Serbi. Fajësia e simbolit të zbatimit të politikës së përgjakshme, konfirmon krimet që janë mohuar për kohë të gjatë. Vojisllav Sheshel, kryetari i radikalëve në Serbi, ka marrë mbështetje të madhe në miting duke thënë se kohës së tradhtisë i ka ardhur fundi. “Në Serbi ekziston një forcë politike gjithnjë më e fuqishme. Ne mund ta nxjerrim Serbinë nga kriza dhe ta integrojmë me Rusinë”, tha Sheshel. Mitingu i radikalëve u mbyll qetë, por, ekstradimi i liderit të tyre mund të shkaktojë problem, por edhe të rrisë konkurrencën ndaj ish-partnerëve të tij. Presidenti serb, Tomislav Nikolliç, nuk ka bërë komente. Para vendimit ai ka kujtuar viktimat e bombardimeve. “Ky është një krim që është kryer nga shumë shtete kundër nesh dhe në kurrë nuk do ta harrojmë atë”, tha Nikoliç. Kryeministri Aleksandar Vuçiç, bashkë me presidentin e serbëve të Bosnjës, Milorad Dodik, kanë bërë bashkë homazhe. “Vendimi i Gjykatës së Hagës nuk mund të përdoret kundër Republikës Serbe sepse ne do ta respektojmë atë, - tha Vuçiç. E ndodhur në udhëkryqin e së shkuarës dhe të ardhmes, qeveria e Serbisë do ta sjellë një vendim pas një mbledhjeje të jashtëzakonshme lidhur me rastin e Karaxhiç. Për banorët e Sarajevës , 40 vjet dënim për Radovan Karaxhiç, janë shumë pak. Babai i një vajzë të vrarë në vitin 1993 , të cilit edhe vajza tjetër iu plagos shumë rëndë nga një granatë dore, thotë se lideri serbo-boshnjak arriti atë çka donte. “E shoh në televizor dhe ai më duket i kënaqur. Fytyra e tij duket më normale sesa fytyra ime kur flas me ty. Nga njëra anë ai ka arritur atë çka do edhe pse jo 100%”, u shpreh ai. Edhe për një tjetër banore, Smilja Karabegoviç dënimi i 70-vjeçarit , për të nuk thotë shumë. “Nuk mendoj se gjërat do të përmirësohen pas kësaj. Arrestimi mund të japë pak satisfaksion tek familjarët e viktimave, por nuk do e zmbrapsë situatën këtu”, tha ajo. Ndërsa për Murat Hajriç , gjërat nuk duhet të shihen kaq bardhë e zi “Gjatësia e dënimit është më pak e rëndësishme sesa mesazhi që përcjell verdikti i marrë. Mendoj se kompromisi është arritur dhe kjo mund të jetë zgjidhja më e mirë për ne”, tha Hajriç.