Gabimet në mbrojtje i kushtojnë Shqipërisë humbjen me Austrinë
https://parstoday.ir/sq/news/uncategorised-i8401-gabimet_në_mbrojtje_i_kushtojnë_shqipërisë_humbjen_me_austrinë
Shqipëria i nisi keq përgatitjet për pjesëmarrjen në Kampionatin Evropian “France 2016”. Austria ka shënuar fitore para shikuesve të vetë në stadiumin Ernes Hapel kundër Shqipërisë me rezultat 2:1, falë gabimeve trashanike në pjesën e parë të mbrojtjes shqiptare.
(last modified 2026-03-28T19:16:51+00:00 )
Mars 26, 2016 15:39 Europe/Tirane
  • Gabimet në mbrojtje i kushtojnë Shqipërisë humbjen me Austrinë

Shqipëria i nisi keq përgatitjet për pjesëmarrjen në Kampionatin Evropian “France 2016”. Austria ka shënuar fitore para shikuesve të vetë në stadiumin Ernes Hapel kundër Shqipërisë me rezultat 2:1, falë gabimeve trashanike në pjesën e parë të mbrojtjes shqiptare.

Austria ka shënuar golin e parë kundër Shqipërisë qysh në minutën e gjashtë të takimit. Ishte Marc Janko, ai i cili realizoi golin e epërsisë së kombëtares austriake pas gabimit të mbrojtjes shqiptare. Por, ky nuk ishte i vetmi gabim i repartit mbrojtës të kuqezinjve në pjesën e parë. Edhe goli i dytë i austriakëve erdhi në sajë të gabimit trashanik të Mërgim Mavrajt. Kësaj radhe realizator ishte Martin Harnik, i cili ngriti epërsinë e austriakëve në minutën e 13-të takimit. Por, me të filluar pjesa e dytë shënojnë gol kuqezinjtë shqiptarë. Ishte Ermir Lenjani, i cili ka shënuar një gol fantastik duke ulur epërsinë e austriakëve në një gol. Mesfushori shqiptar me një goditje të fortë e ka zënë në befasi portierin Almen në minutën e 47-të takimit. Cana në ndihmë të sulmit merr një pasim perfekt në minutën e 59-të të takimit, tenton me kokë, por nuk koordinohet si duhet dhe shpërdoron. Megjithëse në vazhdim të besuarit e trajnerit italian të Shqipërisë, Gianni De Biasi e kërkuan golin e barazimit, në anën tjetër austriakët herë pas here befasonin me kundërsulme, ndeshja përfundoi me rezultat 2:1 për Austrinë. Paraprakisht, Ergys Kaçe ka lëshuar fushën e blertë në minutën e 77-të takimit. Kjo në saje të kartonit të dytë të verdhë pas një ndërhyrje të palejuar ndaj futbollistëve austriakë. Vlen të theksohet se në stadiumin “Ernest Happel” në mes të 30 mijë tifozëve kanë qenë rreth 7-8 mijë shqiptarë, ndërkaq kjo ishte humbja e shtatë e Shqipërisë në po aq ndeshje kundër austriakëve. Shqipëria ndeshjen e ardhshme miqësore do ta zhvillojë të martën në ora 20:15 kundër Luksemburgut në Elbasan Arena.