City barazon, Wolfsburg befason
Dueli i klubeve miliardere mes PSG-së dhe Manchester Cityt, ka përfunduar me rezultat 2-2 në Paris. Ndeshja ishte tejet interesante nga fillimi, me dyja skuadrat që kërkuan të bënin hapat para për historinë.
Ibrahimovic humbi një penalti në minutën e 14-të, për t’i vështirësuar punën ekipit të tij. Në minutën e 38-të, Fernandinho ndihmoi Kevin De Bruynen për të shënuar për 1-0. Vetëm tri minuta më vonë (41′) ishte Ibrahimovic ai që shpërtheu nga nervoza për të barazuar dhe për të përmirësuar gabimin pas penaltisë së humbur. Në pjesën e dytë PSG e mori më seriozisht duelin duke shënuar edhe golin e epërsisë me anë të Rabiot (59′). Në minutën e 72-të vet Fernandinho e futi veten në listën e realizatorëve për 2-2 dhe golin e rëndësishëm për Cityn. Me këtë rezultat (2-2) përfundoi ndeshja dhe kështu dueli i klubeve miliardere është i hapur për ndeshjen kthyese, ku favorizues është City, pasi një barazim pa gola apo 1-1 do të mjaftonte për kualifikim, për shkak të përparësisë së golave si mysafir. Në ndeshjen tjetër, Wolfsburgu ka arritur fitore ndaj Real Madridit me rezultat 2-0. Kjo ishte një fitore shumë e rëndësishme për gjermanët të cilët treguan një lojë shembullore, posaçërisht në pjesën e parë. Goli i epërsisë erdhi nga Ricardo Rodriguez në minutën e 18-të, ndërsa goli i dytë nga Maximilian Arnold në minutën e 25-të. Në pjesën e dytë Reali bëri maksimumin që të barazojë rezultatin, por dështonin vazhdimisht të ishin konkret para portës kundërshtare. Rasti më i mirë në 45 minutat e dytë ishte nga Andre Schurrle në minutën e 68-të, ku anësori gjerman gjuajte mbi portën e Keylor Navas. Ndeshja e dytë në këtë çerekfinale luhet pas një jave në Santiago Bernabeu.