Amerika në një vështrim të brendshëm…50
https://parstoday.ir/sq/news/uncategorised-i9745-amerika_në_një_vështrim_të_brendshëm_50
Në emër të Zotit dhe me përshëndetje për ju të nderuar dëgjues, po fillojmë emisionin tonë të përjavshëm ku do të trajtojmë zhvillimet më të rëndësishme politike, ekonomike dhe sociale në SHBA gjatë javës që lamë pas.
(last modified 2026-03-28T19:16:51+00:00 )
Prill 06, 2016 22:11 Europe/Tirane
  • Amerika në një vështrim të brendshëm…50

Në emër të Zotit dhe me përshëndetje për ju të nderuar dëgjues, po fillojmë emisionin tonë të përjavshëm ku do të trajtojmë zhvillimet më të rëndësishme politike, ekonomike dhe sociale në SHBA gjatë javës që lamë pas.

Spikeri

Javën e kaluar, kandidati republikan për president të SHBA , Donald Trump ka bërë thirrje për “forma ndëshkimi” për gratë që kryejnë abortin, nëse kjo praktikë cilësohet ilegale. Trump mbështet ndalimin e abortit, por duke lejuar disa përjashtime. Kjo praktikë është ligjore në SHBA që prej vitit 1973, me vendim të Gjykatës Supreme. Dikur demokrat, miliarderi amerikan është kritikuar për mbështetjen e të drejtave të abortit në të kaluarën. Liderët republikanë kanë shprehur shqetësimin e tyre për perspektivat e Trump në zgjedhjet e përgjithshme, pasi sondazhet tregojnë se biznesmeni nga Nju Jorku gëzon fare pak popullaritet në radhët e elektoratit femëror. Sidoqoftë, Donald Trump u zmbraps nga pohimet e mëparshme se gratë duhen ndëshkuar për abortet e paligjshme. Komentet e bëra për çështjen e abortit ngjallën një valë të menjëhershme kritikash, e njeriu që kryeson garën për nominimin republikan nuk vonoi të “korrigjonte” thëniet e mëparshme, duke deklaruar se ndëshkimin në fakt duhet ta marrë personi që kryen abortin. Pozicioni im nuk ka ndryshuar, këmbëngul miliarderi njujorkez, edhe pse fjalët e tij dëshmojnë të kundërtën. Në mesin e atyre që nuk i kursyen fshikullimat për Trumpin pas pohimeve të tij polemizuese ishte pretendentja kryesore për nominimin demokrat, Hillary Clinton. Padyshim, deklaratat e Trump mbi abortin do të shkaktojnë edhe më shumë kritika të grave dhe rrymave liberale në SHBA.

Spikeri

Presidenti i SHBA tërhoqi vëmendjen mbi pasojat negative të shtimit të konsumit të lëndëve narkotike në Amerikë. Barak Obama duke folur në konferencën për luftën kundër konsumit të drogës që u zhvillua në Uashington, tha se numri i amerikanëve që vdesin nga përdorimi i drogës është më i madh se i atyre që humbin jetën në aksidente rrugore. Ai shtoi se problemi i përdorimit të drogës ka prekur të gjitha nivelet e shoqërisë amerikane dhe theksoi se politikat e Uashingtonit në reduktimin e konsumit të drogës në SHBA deri tani kanë dështuar. Amerika është konsumatorja më e madhe e lëndëve narkotike në botë. Studimet tregojnë se në çdo 1 mijë amerikanë, 61 janë përdorues të drogave. Gjatë dekadës së fundit, mbi 300 mijë amerikanë u janë shtuar përdoruesve të heroinës. Gjithashtu, Amerika bashkë me Spanjën renditen të parat në botë për konsumin e kokainës. Çdo vit, në 1 milionë amerikanë, 139 vdesin nga përdorimi i drogës dhe ky konsiderohet si një rekord botëror. Mafia e drogës në SHBA ka kontrollin e prodhimit, shpërndarjes dhe shitjes së lëndëve narkotike jo vetëm në Amerikë, por edhe në vendet e tjera të botës. Kjo mafie me anë të ryshfeteve dhe kërcënimeve ka arritur të ndërhyjë edhe në qarqet më të larta politike, ushtarake dhe juridike të SHBA duke e vështirësuar luftën kundër drogës në këtë vend.

Spikeri

Tashmë kur janë shtuar mundësitë e fitores së Donald Trump në kampin republikan, janë shtuar edhe shqetësimet mbi ndikimin e këtij miliarderi në politikën e jashtme të SHBA. Sekretari i DASH, John Kerry, i cilësoi të turpshme sloganet elektorale të kandidatit kryesor republikan për zgjedhjet presidenciale në SHBA, ndërsa ish sekretari amerikan i Mbrojtjes Leon Panetta deklaroi se Donal Trump është një person i papërgjegjshëm dhe nuk i kupton drejtë çështjet e sigurisë kombëtare të Amerikës. Pretendenti kryesor republikan për nominimin presidencial, Donald Trump, javën e kaluar, duke folur për politikën e jashtme të SHBA deklaroi se do të marrë në konsideratë ndalimin e të gjitha blerjeve amerikane të naftës nga Arabia Saudite apo vende të tjera arabe, nëse qeveria saudite nuk do të ofrojë trupa për të luftuar ISIS-in. Ai po ashtu tha se SHBA duhet të rimbursohet nga vendet të cilave u ofron mbrojtje, përfshirë edhe ato me pasuri të shumta si Arabia Saudite. “Nëse Arabia Saudite nuk do të kishte mbrojtjen amerikane, nuk mendoj se do të ekzistonte”, thotë ai. Si pjesë e politikës së tij të jashtme, të etiketuar si “America First”, Trump tha edhe se do të mund të merrte në konsideratë mundësinë që të lejoheshin Japonia dhe Koreja e Jugut që të ndërtonin arsenalet e tyre bërthamore dhe jo të vareshin nga SHBA për mbrojtje nga Koreja e Veriut dhe Kina. Trump insiston se nuk është pro izolimit por thekson se Amerika është nëpërkëmbur, mashtruar dhe zhvatur, për shumë vite, nga njerëz të zgjuar, mendjemprehtë dhe të fortë. “Ne jemi të mashtruarit e mëdhenj por nuk jemi udhëhequr me mençuri. Në mënyrë sistematike ne jemi zhvatur nga të gjithë”, thotë ai. Trump citoi borxhin e Amerikës që së shpejti do të shkojë në 21 trilionë dollarë dhe e lidhi atë me faktin se SHBA mbron botën. “Pavarësisht se për kë bëhet fjalë, ne i mbrojmë të gjithë”, vijoi ai. Trump është i mendimit se dobësia e udhëheqjes amerikane nuk po shfrytëzohet vetëm nga armiqtë e Amerikës, por edhe nga miqtë e saj si Arabia Saudite dhe Meksika. Ai përmendi edhe NATO-n duke e quajtur atë të vjetruar, pasi kërcënimi kryesor ndërkombëtar tani është terrorizmi. “NATO është diçka që në kohën e krijimit ishte e jashtëzakonshme. Sot, ajo duhet të ndryshojë”, tha Trump duke shtuar se SHBA mban pjesën më të madhe të kostove të NATO-s. Pothuajse i njëjti këndvështrim edhe për financimin e OKB-së nga ana e Shteteve të Bashkuara. “Ne nuk marrim asgjë nga OKB. Ato nuk na respektojnë, nuk bëjnë çfarë duam ne, ndërkohë që ne i financojmë në mënyrë jo proporcionale”, u shpreh Trump. Padyshim që këto deklarata të tij kanë shkaktuar shqetësim në qarqet politike amerikane, të cilat parashikojnë se në rast të fitores së miliarderit republikan në zgjedhjet e ardhshme presidenciale, do të dëmtohet rëndë politika e jashtme e SHBA si dhe roli dhe prestigji i këtij vendi në mbarë botën. Miliarderi i cili është karakterizuar nga deklaratat e tij kontroverse ka hedhur sërish akuza ndaj besimtarëve myslimanë që jetojnë në Europë dhe tha se qytetarët të cilët i përkasin këtij besimi po ndihmojnë terroristët dhe se nuk po bashkëpunojnë me autoritetet europiane për të bërë të mundur kapjen e ekstremistëve që janë pjesë e organizatave terroriste. Një deklaratë e tillë nuk është pritur mirë nga opinioni vendas por edhe ai botëror. Donlad Trump është zotuar se në rast se do të jetë ai Presidenti i ardhshëm i Shteteve të Bashkuara, do të bllokojë hyrjen e besimtarëve myslimanë në vend si dhe do të deportojë një pjesë prej tyre.

Spikeri

Bernie Sanders ka triumfuar ndaj Hillary Clintonit në të tri shtetet, ku demokratët votuan javën e kaluar në lidhje me cilin kandidat do të nominojnë në zgjedhjet presidenciale të 8 nëntorit në SHBA. Fitorja më e madhe mund të konsiderohet ajo në shtetin e Uashingtonit, por Sandersa korri sukses edhe në Alaska dhe Hauai, duke i dhënë një shtysë të fortë fushatës së tij. Sanders ka marrë më shumë se 70% të votave në të tre shtetet. Ai falënderoi mbështetësit e tij dhe tha se “fushata personale po arrin kulmin”, megjithatë përpara tij gjendet sërish një “mal” i madh për t’u ngjitur, në mënyrë që të tejkalojë ish-Sekretaren e Shtetit, Clinton. Përpara garës, Clinton udhëhiqte ndaj Sandersit me 1223 delegatë kundrejt 920. Ndërkohë që kur u përfshinë edhe votat e superdelegatëve, siç quhet zyrtarët e partisë që dalin në mbështetje të njërit prej kandidatëve, Clinton shkoi në 1692 vota kundrejt 949 të Sanders, teksa objektivi mbetet të arrihen 2383 delegatë. Uashingtoni ishte më domethënësi mes të tri shteteve që votuan të shtunën, me plot 101 delegatë për t’u siguruar. Ndërkohë që në Alaska diskutohej për 16 delegatë dhe për 25 të tjerë në Havai. Aktualisht Sanders projektohet të ketë fituar 72% të votave në Uashington, ndërsa Clinton 27%; në Alaska përqindjet janë 79 me 21, ndërsa në Havai flitet për rreth 70% mbështetje në favor të senatorit nga Vermonti. Sanders e kaloi këtë javë duke bërë fushatë në brigjet perëndimore, e duke siguruar mbështetje mes liberalëve dhe krahut të majtë. Ai u përpoq të rritej edhe më tepër, pas fitoreve bindëse në Idaho dhe Utah.

Spikeri

Shefi i shtabit të përgjithshëm të ushtrisë amerikane, gjen. Xhozef Danford ka zbuluar planin e ri për shtimin e forcave ushtarake amerikane në Irak me pretekst të luftës kundër grupit terrorist ISIS. Danford me këtë rast deklaroi se në një takim që së shpejti do ta zhvillojë me Barak Obaman, presidentin e SHBA, do të diskutojë në lidhje me rrugët për shtimin e numrit të trupave ushtarake të Amerikës në Irak. Ndërkohë edhe Ashton Karter ka thënë se Uashingtoni është duke shqyrtuar disa opsione për shtimin e pranisë ushtarake amerikane në Irak. Në këtë kuadër Pentagoni i propozon qeverisë së presidentit amerikan Barak Oama që të rrisë numrin e trupave ushtarake të Amerikës në Irak. Siç duket Amerika me pretekst të luftës kundër grupit terrorist ISIS, synon të dislokojë përsëri numër të madh të trupave ushtarake në Irak. Kjo është në kohën kur aktualisht qindra konsultues dhe forca speciale amerikane janë në Irak, ndërsa me dislokimin edhe të 200 marinsave të tjerë në Irak, tani një numër i konsiderueshëm i ushtarakëve amerikanë veprojnë në bazat ushtarake në rajone të ndryshme të Irakut. Pentagoni së fundi ka pohuar se ka ndërtuar një bazë të vogël në veri të Irakut speciale për marinsat amerikane. Ky skandal është zbuluar pasi terroristët e ISIS sulmuan këtë bazë me raketa dhe si pasojë është vrarë një ushtar amerikan dhe disa të tjerë janë plagosur. Aktualisht numri i forcave amerikane në Irak në mënyrë zyrtare është deklaruar 3870 trupa, mirëpo funksionarët ushtarakë të Amerikës pohojnë se shifra reale e trupave amerikane të pranishëm në Irak është rreth 5000 trupa, shifër kjo që natyrisht është hedhur poshtë nga gjenerali Danford. Dëshmitë tregojnë se veprimet e Amerikës nuk kanë ushtruar ndonjë ndikim të madh në luftën kundër terroristëve të ISIS. Kjo është në kohën kur shumë grupe politike në Irak dhe sidomos liderët e partive të myslimanëve shiitë në mënyrë të hapur kanë kundërshtuar praninë ushtarake të Amerikës në Irak. Në realitet irakianët e vendosin në pikëpyetje sinqeritetin e amerikanëve në luftën kundër terroristëve të ISIS dhe gjatë vitit 2015 janë zbuluar disa raste të dërgimit të ndihmave logjistike amerikane për terroristët e ISIS nëpërmjet ajrit. Pyetja më e rëndësishme është kjo që krijimi dhe zgjerimi i grupeve terroriste takfiriste si ISIS nga Amerika dhe nga disa aleatë të saj si Arabia Saudite dhe Turqia, a ishte vetëm si mjet për të luftuar kundër qeverisë legjitime të Sirisë apo kishte qëllim tjetër?