Shkëmbimi: 2 amerikanë për 200 jemenas
Dy amerikanë të arrestuar nga lëvizja popullore jemenase Ansarallah u liruan të Mërkurën në këmbim të kthimit në Jemen të më shumë se 200 luftëtarëve të Ansarallah të cilët ishin në Oman.
Një aeroplan i Forcave Ajrore të Sulltanatit të Omanit që mbante dy amerikanët dhe kufomën e një të treti u ngrit nga kryeqyteti i Jemenit Sana'a disa orë pasi solli më shumë se 200 luftëtarë të Ansarallah që ndodheshin në Oman prej disa viteve. Marrëveshja siguroi lirinë e Sandra Loli, të cilën Wall Street Journal e paraqet si një aktiviste humanitare amerikane që u arrestua nga Ansarallah rreth një vit më parë, dhe gjithashtu lirimin e Mikael Gidada, të cilin gazeta e përshkruan si një biznesmen amerikan i ndaluar për më shumë se një vit. Marrëveshja parashikoi gjithashtu kthimin e eshtrave të Bilal Fateen, një amerikan i tretë i cili vdiq në Jemen. Muhamed Ali al-Huthi, një anëtar i këshillit politik të Ansarallah, tha të mërkurën se amerikanët ishin arrestuar për pjesëmarrje në aktivitete të dyshimta në Jemen. "Ka shumë amerikanë që vizitojnë Jemenin dhe ata punojnë atje në mënyrë të sigurt, por nëse do të ishin vetëm qytetarë që nuk ishin të përfshirë në ndonjë veprim të dyshimtë ose shkelje të ligjit, ata nuk do të arrestoheshin”, tha ai. Me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara, Arabia Saudite dhe aleatët e saj kanë zhvilluar një luftë pesë-vjeçare kundër Jemenit. Kombet e Bashkuara janë përpjekur në disa raste për të negociuar një fund të luftës në Jemen, i cili, sipas organit ndërkombëtar, është vendi me krizën më të keqe humanitare në botë.