Shtetet e Bashkuara bombarduan pozicionet e talebanëve në Sheberghan
Avionët luftarakë amerikanë B-52 mbrëmë me urdhër të Joe Biden, sulmuan pozicionet e talebanëve në Sheberghan.
Sipas Sputnik, pasi talebanët pushtuan qendrat e provincës Jawzjan në veri dhe Nimroz në perëndim të Afganistanit, presidenti amerikan urdhëroi ushtrinë amerikane që të sulmonte pozicionet e talebanëve me bombarduesit B-52. Faëad Aman, zëvendës zëdhënës i Ministrisë Afgane të Mbrojtjes, tha se talebanët kishin pësuar humbje të mëdha në këtë sulm. Urdhri i Biden për të përdorur bombarduesit vjen ndërsa talebanët pushtuan qytetin strategjik Sheberghan, qendrën e provincës Jawzjan dhe pasi mbrëmë grupi pushtoi edhe qytetin Zaranj, qendrën e provincës Nimroz. Zonat brenda Sheberghan, përfshirë të gjitha zyrat qeveritare, zyrën e guvernatorit, agjencitë qeveritare dhe të sigurisë kanë rënë në duart e talebanëve. Ditët e fundit, sulmet talebane janë shtuar gjithashtu në kryeqytetin Kabul dhe javën e kaluar grupi kreu një sulm vetëvrasës në shtëpinë e Bismillah Mohammadi, kreut në detyrë të Ministrisë Afgane të Mbrojtjes, duke vrarë tetë persona dhe duke plagosur 20 të tjerë. Ndërsa talebanët vazhdojnë të përparojnë, Pentagoni vlerëson se grupi tani kontrollon gjysmën e 419 rajoneve të Afganistanit. Më herët, Shtetet e Bashkuara dhe Britania u bënë thirrje qytetarëve të tyre që të largohen nga Afganistani menjëherë pasi talebanët përparuan dhe kur situata e sigurisë në Afganistan u përkeqësua.