Qyteti Ghaznej bie në duar të forcave të grupit Taleban
Grupi militant Taleban ka marrë nën kontroll qytetin Ghaznej që është qendër e provincës Ghaznej dhe aktualisht numri i provincave që kanë rënë nën kontrollin e forcave të grupit Taleban në Afganistan ka shkuar në 10.
Agjencia e lajmeve AFP ka njoftuar se forcat e grupit Taleban kanë marrë nën kontroll qytetin Ghaznej që ndodhet 150 kilometra në jugperëndim të Kabulit. Gjithashtu rruga kryesore Kabul-Kandahar që lidh qytetet veriore me qytetet jugore të Afganistanit, kalon nëpër këtë qytet.
Nasir Ahmed Fakir, kryetari i këshillit provincial të Ghaznejit, ka thënë: “Forcat e grupit Taleban kanë marrë nën kontroll zonat kyçe të qytetit duke përfshirë edhe zyrën e kryetarit të pushtetit lokal, qendrën e forcave policore dhe burgun. Në disa zona të qytetit po vazhdojnë luftimet, mirëpo Davud Loghmani, kryetari i provincës Ghaznej, ka bërë marrëveshje me forcat talebane dhe ka ikur në Kabul”.
Qyteti Ghaznej është qendra e dhjetë provinciale që ka rënë nën kontrollin e forcave talebane gjatë një jave të kaluar. Provinca Ghaznej me 19 rrethe, ndodhet në jug të Afganistanit dhe aktualisht 80% e kësaj province është nën kontrollin e grupit Taleban. Autoritet e Afganistanit gjithashtu kanë njoftuar për zhvillimin e luftimeve të ashpra mes forcave talebane dhe forcave qeveritare në provincat Herat dhe Badghis në veri dhe në perëndim të këtij vendi. Abdulsabur Ghane’, guvernatori i provincës Herat, ka deklaruar se forcat talebane natën e kaluar nga katër anët kanë sulmuar qytetin Herat, mirëpo janë përballur me rezistencë të fortë të forcave të sigurisë dhe forcave popullore dhe në fund janë detyruar të tërhiqen.