Talebanët japin pëlqimin për shkuarjen e vajzave në shkolla në Afganistan
Përgjegjësi i ministrisë së arsimit të qeverisë së Talebanëve ka deklaruar se shkollat e vajzave dhe djemve në Afganistan do të hapen me pjesëmarrjen e mësuesve përkatës dhe duke respektuar hixhabin islamik.
Agjencia e lajmeve Shfaqna e Afganistanit njoftoi se Nurullah Munir, përgjegjësi i ministrisë së arsimit të qeverisë së Talebanëve në Afganistan, ka thënë: “Qeveria e Talebanëve kurrë nuk kundërshton arsimimin e vajzave dhe këtë çështje edhe më parë e kemi deklaruar shumë herë. Prania e arsimtareve për klasat e vajzave dhe e arsimtarëve për klasat e djemve është prej nevojave të domosdoshme dhe në lidhje me këtë çështje i kemi dhënë shpjegimet tonave edhe për Omar Abdi, zv/shefi ekzekutiv i UNICEF”.
Sipas Nurullah Munir, qeveria e Talebanëve së shpejti do të plotësojë dhe prezantojë një plan të ri për krijimin e një ambienti të shëndosh dhe në përputhje me mësimet e fesë islame për shkollat e vajzave. Ky funksionar i ministrisë së arsimit nga qeveria e Talebanëve në Afganistan më parë kishte thënë se nuk ekzistojnë kurrfarë përpjekje për ta bërë detyrim ndonjë lloj të veçantë të veshjes për nxënëset dhe nxënësit, mirëpo veshja e nxënësve në përgjithësi duhet të jetë në përputhje me mësimet e Sheriatit dhe me kulturën e Afganistanit.
Talebanët edhe më parë me anë të një deklarate, kanë deklaruar për institucionet arsimore shtetërore dhe private në Afganistan se nuk ekziston kurrfarë shqetësimi në lidhje me ndonjë ndryshim negativ në aktivitetin arsimor të femrave dhe meshkujve në rajone të ndryshme të vendit dhe i gjithë personeli administrativ dhe arsimor duhet të kryejë detyrën dhe përgjegjësinë e vet pa kurrfarë neglizhence.